Letra kompromentuese/ Gruaja e Gjin Gjonit pronare e kompanisë ADFD në konflikt interesi

Bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi, gjatë kohës kur bashkëshorti i saj ishte anëtar i KLD-së, duket se ka hequr dorë vetëm formalisht dhe fiktivisht nga zotërimi aktiv i 100 % të kuotave të kompanisë Albania Duty Free Distribution, me të cilën ka marrë ‘peng’ hapësirat Duty Free në Aeroportin e Rinasit, jashtë vullnetit të TIA, përmes një vendimi gjyqësor arbitrar, letrave me natyrë kërcënuese dhe manovrave të tjera, ndonëse ka humbur tenderin si dhe i ka mbaruar kontrata me TIA që në 29 gusht të 2019. Dokumentet provojnë se gjatë kohës kur bashkëshorti i saj Gjin Gjoni ushtronte detyrën e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (2015-2018), Elona Çaushi ka marrë pjesë aktive në veprimtaritë e kompanisë Albania Duty Free Distribution, ndonëse në letra ia kishte besuar formalisht Znj. Altina Rrogozhina për shkak të konflikti të interesit që kishte në raport me detyrën e bashkëshortit. Elona Çaushi ka marrë pjesë në mbledhjet e asamblesë së Albania Duty Free Distribution në kohë kur bashkëshorti ishte në KLD, ndërsa në një letër të datës 05 korrik 2019 drejtuar TIA, firmosur nga vetë ajo, deklaron dhe prezantohet si pronare e kompanisë që nga vitit 1998 pa ndërprerje për 21 vjet, duke përfshirë edhe periudhën kur ia kishte kaluar administrimin aktiv të 100% të kuotës së shoqërisë Altina Rrogozhinës.

Heqja dorë nga kuotat

Në datën 1 qershor 2015, bazuar në një marrëveshje private, Znj. Elona Çaushi, ka emëruar si person të besuar Znj. Altina Rrogozhina, të cilës i ka kaluar administrimin aktiv të 100% te kuotës së shoqërisë Albanian Duty Free Distribucion Shpk.

Ky kalim është kushtëzuar nga fakti se në cilësinë e bashkëshortes së gjyqtarit Gjin Gjoni (anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deri në vitin 2018), u nënshtrohej kufizimeve të përcaktuara ne ligjin 9367, date 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar. Neni 33 i ligjit të sipërpërmendur përcakton se Presidenti i Republikës, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave nuk mund të zotërojnë në mënyrë aktive, aksione ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, të çdo forme. Në vijim neni 35 zgjeron rrethin e subjekteve, duke shtuar personat e lidhur që u zbatohet ky detyrim si vijon: “Person i lidhur, për qëllim të neneve 27 deri 33 të këtij ligji, për kufizimet e interesave privatë të zyrtarëve, të përcaktuar në nenet e tjera të këtij seksioni, janë vetëm bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmijët në moshë madhore, prindërit e zyrtarit e të bashkëshortit/ës dhe bashkëjetuesit/es”.

Marrëveshja për kalimin e kuotave

Sipas nenit 3 të kësaj marrëveshjes, Elona Çaushi i kalon në mënyrë individuale personit të besuar, tërësisht të drejtën e plotë të vendimmarrjes mbi 100% të kuotave të zotëruara prej saj në shoqëri, vendimmarrje e cila i referohet ushtrimit të të gjitha llojeve të veprimeve juridike pa kufizim që lidhen me menaxhimin e përgjithshëm te aktivitetit te shoqërisë Albanian Duty Free Distribucion Shpk, por pa u kufizuar si administrim, zotërim, tjetërsim, menaxhim etj. Më tej neni 3 përcakton se pavarësisht kalimit në zotërues pasiv të kuotave të saj, gëzon në mënyre individuale  të drejtën e përfitimit e fryteve civile të pronësisë që gëzon mbi kuotat e saj në shoqëri, përfitime të cilat do të jenë te pasqyruara hollësisht në pasqyrat financiare të shoqërisë, por në çdo rast nuk mund të ushtroje asnjë veprim tjetër civil mbi ketë pronë. Personi i besuar detyrohet të mos shkëmbejë asnjë informacion me ortakun e shoqërisë dhe as të mos ndikohet nga ai për kryerjen e veprimeve me pasurinë e shoqërisë si dhe në aktivitetin e saj. Pra bazuar në këtë marrëveshje zj. Çaushi heq dorë me vullnetin e saj nga çdo vendimmarrje, përfaqësim, apo menaxhim i kuotave dhe shoqërisë në vetvete, në përputhje me kërkesat e sipërpërmendura të ligjit. Marrëveshja në fjalë do të qëndronte në fuqi për aq kohe sa ekziston konflikti i interesit, pra aq kohe sa z. Gjoni ishte funksionar publik në rolin e sipërcituar (neni 3.6 i marrëveshjes). Marrëveshja është publikuar ne regjistrin tregtar mbajtur nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

 Kontrata mes Elona Çaushit dhe Altina Rrogozhinës, për t’i kaluar kësaj të fundit administrimin aktiv të 100% të kuotave të shoqërisë Albanian Duty Free Distribucion Shpk. 

Elona Çaushi në mbledhjet e asamblesë së kompanisë

Pavarësisht nga sa më lart dhe nga detyrimi për të mos qenë pjesë e procesit vendimmarrës apo menaxhues të Albanian Duty Free Distribucion, nga një kërkim i thjeshtë në faqen e internetit, pranë regjistrit tregtar, identifikohet lehtësisht se ortakja Çaushi ka marrë pjesë në mbledhjen e ortakut të vetëm në vitet e ndalimit për shkak të konfliktit të interesit, përfshire vitin 2018, për marrjen e vendimeve të ndryshme të shoqërisë.  Sipas përmbajtjes së vendimeve pjesëmarrja është në cilësinë e ortakut pasiv, por duket qartë që fjala pasiv merr një kuptim të ri, kur ortaku është i pranishëm në çdo votim e vendimmarrje të ortakut aktiv të shoqërisë, i cili për më tepër e ka marrë përsipër këtë detyrë pa asnjë shpërblim financiar (sipas përcaktimit në marrëveshje).

Letra kompromentuese
Përpos pjesëmarrjes në veprimtaritë e shoqërisë, ajo që i vë vulën është deklarata e Elona Çaushit në datën 05 korrik 2019, ku bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjoni, u ka dërguar një letër përfaqësuesve të shoqërisë koncesionare të Aeroportit të Rinasit (bordit të drejtoreve) si dhe drejtorit te shoqërisë, në cilësinë e pronarit të shoqërisë Albania Duty Free Distribucion Shpk, duke theksuar përkatësisht se që nga viti 1998, pra prej 21 vitesh pa ndërprerje ajo drejton aktivitetin e Duty Free Shop në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ajo shkruan: “Të nderuar zotërinj. Dëshiroj të prezantohem përpara jush. Unë jam Elona Çaushi, pronarja e biznesit të duty free në airport dhe të vetmit të këtij lloji në Shqipëri. Që nga 1998, kam filluar biznesin duty free në Shqipëri, si të parin e këtij lloji. Pra ka 21 vjet që drejtoj të vetmin dyqan duty free në territorin shqiptar”.  Pra nga vete deklarata e Zj. Çaushi kuptojmë se pavarësisht statusit te saj prej “ortaku pasiv” prej vitit 2015, ajo nuk e ka ndërprerë asnjëherë ushtrimin e aktivitetit tregtar me shoqërinë e zotëruar prej saj, dhe ky zotërim rezulton te ketë qene faktik dhe aktiv dhe aspak pasiv.

Letra e Elona Çaushit ku deklaron se është pronare e Albania Duty Free Distribution prej 21 vitesh 

Për me tepër, në periudhën kur pretendonin të ishin “pasiv” për shkak të konfliktit të interesit, Elona Çaushi dhe Gjin Gjoni, nuk kanë kthyer mbrapsht apo dorëzuar lejet për hyrje të palimituar me afat të gjatë në zonën tranzit të airportit, leje që lëshohen qartazi për persona te involvuar aktivisht në biznesin përkatës. Jo vetëm e nuk i kanë dorëzuar, por dhe i kanë rinovuar me kërkesë të tyre, duke konfirmuar sërish që “pasiviteti” i tyre ka qenë vetëm një maskë.

Nga sa me lart del e qartë se Zj. Çaushi ka ushtruar gjatë periudhës se ekzistencës së konfliktit të interesit, jo vetëm kompetencat e plota të ortakut te shoqërisë në shkelje flagrante të ligjit nr. 9367, date 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit te interesave ne ushtrimin e funksioneve publike”, si është ndryshuar. E gjejmë me vend që ketë fakt ta sjellim ne vëmendjen e ILDKP dhe autoriteteve kompetente, në mënyrë që të merren masat e duhura për trajtimin e këtyre sjelljeve arbitrare dhe fshehjen e shkeljeve të ligjit dhe konfliktit flagrant të interesit pas marrëveshjeve fiktive.

Dokumenti që vërteton pjesëmarrjen e Elona Çaushit në mbledhjen e asamblesë së Albania Duty Free Distribution

B.K./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja