Sipas tij, marreveshja e parë përcaktonte një disponibilitet kreditimi prej 70 milionë eurosh, por kjo ka skaduar për shkak të vonesave në ndërtimin e rrugës dhe disbursimit të kredisë. Sikurse theksohet në vetë dokumentin shoqërues të projektligjit, marrëveshja është nënshkruar në qershor 2005, pra para se mazhoranca aktuale të merrte pushtetin.
Marrëveshja është miratuar në Kuvend në maj 2007, pra pas dy vjetësh bllokimi. Ndërkohë, ndërtimi i rrugës është vonuar për shkak të procedurave të vonuara të tenderit, lidhjes së kontrates dhe ritmeve të ngadalta të punës. Së fundit, ndërtimi i rrugës është vonuar nga problemi i shpronësimeve të pakryera dhe ndryshimit të projektit për t'u ardhur në ndihmë kompanive që morën përsipër ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit, që nuk është kryer deri tani. gjitha te shkruara nga Sali Berisha.
Braçe publikon në Facebook dokumentin, që është relacioni shoqërues i projektligjit, me anë të të cilit kërkohet miratimi parlamentar për një kosto shtesë për rrugën nga Levani në Tepelenë, ku nuk përmendet roli pengues i opozitës.
PERURIMI
Kryeministri Sali Berisha ka përuruar më 2 gusht gjysmën e rrugës nga Levani në Tepelenë, duke vijuar një ritual të ri, të prerjes së shiritave disa herë për një vepër, që e ka vendosur kohët e fundit. Ai preu shiritin për një segment prej 38 km të rrugës së re që lidh Levanin me Tepelenën, duke akuzuar opozitën se është përpjekur ta sabotojë këtë vepër. "Nuk votuan në parlament shtesën që u kërkua për ndërtimin e kësaj rruge. Nuk votuan, sepse donin me çdo kusht të bllokonin përfundimin e tyre para zgjedhjeve. Kishin problemin që të mos i përuronim para zgjedhjeve, por ne do të përurojmë rrugë në të katër anët e vendit. Jo bllokimi, por zhvillimi është ajo që kanë nevojë fëmijët tuaj, ju dhe brezat që do të vijnë. Ne do të shfrytëzojmë gjithçka për të zhvilluar Shqipërinë", deklaroi para banorëve Berisha.
Në fakt, marrëveshjen e Shqipërisë me donatorët për këtë vepër qeveria e PD e ka gjetur të gatshme, pasi financimi ishte nënshkruar që më 2 qershor të vitit 2005, para se të vinte Berisha në pushtet. Në emër të qeverisë shqiptare, marrëvëshjen e ka nënshkruar atëherë ministri i Financave, Arben Malaj. Sipas projektit të zbatimit, vlera e punimeve të ndërtimit parashikohej të ishte rreth 70 milionë euro. Bashkëfinancues të tij janë BERZH, me një kredi prej 35 milionë eurosh, BEI me një kredi prej 35 milionë eurosh, Komuniteti Evropian, me një grant prej 2.7 milionë eurosh dhe qeveria shqiptare, që do të përballonte shpenzimet për shpronësimet dhe TVSH-në.
Qeveria Berisha kishte ndërmarrë një sfidë të vërtetë ndaj ndërkombëtarëve, me deklaratat e bëra pasi erdhi në pushtet, lidhur me ndryshimin e gjurmës së rrugës. Në një seancë të posaçme interpelance në Kuvend, në vitin 2006, Berisha tha se kabineti i tij qeveritar do të rishikonte, ashtu si shumë projekte të tjera, dhe atë të kësaj rruge. Skema që paraqiti ai ishte Memaliaj-Berat-Cërrik-Papër e më pas Tiranë.
Ideja e Berishës për të braktisur gjurmën e rrugës Levan-Tepelenë, në favor të një "boshti të qendrës", që do të kalonte nga Memaliaj në Kuçovë e Elbasan, u kundërshtua nga ndërkombëtarët dhe pas dy vjetësh nga bllokimi i tij, Këshilli i Ministrave u detyrua të jepte dritën jeshile për fillimin e punimeve. Fitues i njerit prej dy loteve ishte firma "Alpine", që mori edhe tenderin e Vlorës dhe të mbikalimit të Kamzës, në sajë të pranisë së njerëzve të botuesit Fahri Balliu në drejtimin e degës së saj në Shqipëri.
(gk/shqiptarja.com)