Lëvizja Vetëvendosje ka fituar edhe mandatin e 50-të në Parlamentin e ardhshëm të Kosovës, teksa numërimi i votave po vazhdon dhe është drejt fundit.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë janë numëruar rreth 94 përqind të votave në të gjithë vendin, përfshirë edhe ato të diasporës të hedhura në kutitë në përfaqësitë diplomatike.

LVV-ja aktualisht sipas rezultatit fiton 50 mandate në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës humb një mandat dhe zbret në 23, LDK vazhdon me 19 mandate ndërsa AAK 8 mandate.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Prishtinë sqaroi këtë të shtunë se në vazhdim, do të numërohen fletëvotimet me postë të diasporës, për të cilën ka marrë 85.700 pako me fletë. Numërimi i tyre ka nisur dhe do të marrë ende disa ditë ndërsa tradicionalisht, diaspora e Kosovës ka përkrahur LVV të Albin Kurtit.

Forca fituese e Zgjedhjeve regjistroi një rezultat më të dobët krahasur me ato të dhjetorit të kaluar, konkretisht 7 mandate më pak sipas rezultatit të deritanishëm. Të premten Albin Kurti tha se me partinë e tij janë të gatshëm për bisedime me partitë e opozitës për zgjedhjen e presidentit dhe konstituimin e institucioneve.