Javier Zanetti, Esteban Cambiasso dhe Javier Pastore 'zbresin në fushë' në mbështetje të Gianni Infantinos duke nënshkruar një letër të përbashkët për të shprehur se i janë pranë presidentit të FIFA në kuadër të takimeve elektorale.

Zv/presidenti i Interit, ish mesfushori zikaltër dhe ish sulmuesi i Palermos dhe Romës, që të gjithë ish-futbollistë të kombëtares argjentinase, në letrën e publikuar në rrjetet sociale kujtojnë vlefshmërinë e rrugëtimit të ndërmarrë nga kreu aktual i qeverisë së futbollit botëror në vitet e fundit duke nënvizuar hapjen e institucioneve ndaj futbollistëve.

 "Në 10 vitet e fundit kemi parë impenjimin e FIFA dhe të Gianni Infantinos për të garantuar që futbollistët të jenë të përfaqësuar në botën e futbollit, gjë që më parë nuk ekzistonte. Përmes përfshirjes së tyre në komitete, projekte dhe grupe pune, tani kanë zë dhe një rol të vërtetë në sport.

Opinionet tona dëgjohen dhe shumë nisma në përfitim të futbollit janë rezultat direkt i kontributeve, ideve, planifikimeve dhe pjesëmarrjes sonë aktive. Kemi konstatuar personalisht sesi futbolli ndryshon jetët, përmirëson shoqërinë dhe iu jep më shumë mundësi njerëzve në të gjithë botën.

Do të vazhdojmë të mbështesim evoluimin domethënës që ka përkufizuar këtë sport në 10 vitet e fundit duke lejuar që t'i sjellë përfitime çdo kombi që luan futboll", thuhet në letër.

Marrja e këtij pozicioni nga tre ish-futbollistët argjentinas, vjen në një moment politik delikat të FIFA-s, e tronditur nga polemikat e forta pas propozimit të tërhequr më pas të Infantinos për të financuar turnetë e saj (FIFA-s) përmes privatëve dhe dorëheqjet e disa prej drejtuesve.

Javier Zanetti mbulon rolin e zëvendëspresidentit të Komitetit për Përgjegjësi Sociale të FIFA-s deri në vitin 2029, ndërsa Esteban Cambiasso figuron në Grupin e Studimit Teknik të FIFA-s. Javier Pastore edhe pse nuk ka poste formale, zgjodhi t’i bashkohet këtij mesazhi dhe të ndajë letrën me dy argjentinasit e tjerë në rrjetet sociale.