Lëvizjen e Berishës po e udhëheqin dy forca që në fakt po e shkatërrojnë

Lëvizjen e Berishës po e udhëheqin dy forca që në fakt po e shkatërrojnë

Sali Berisha

Grupimi politik i drejtuar nga Sali Berisha udhëhiqet sot nga dy forca të fuqishme, irracionale të cilat prodhojnë sjelljen dhe veprimin politik që shihet në parlament dhe në një rrugicë në Tiranë. Forca e parë e fuqishme është këmbëngulja e Sali Berishës i cili në 9 shtator të vitit 2021 nisi një lëvizje kundër PD-së, kundër kryetarit dhe kundër institucioneve të saj me pretendimin se ato ishin tradhtare, të shitura dhe se ai do të ndërtonte një parti demokratike më të fortë, më të hapur dhe më të lirë e cila do të rrëzonte me protesta shkundulluese me përkrahje masive qytetare kryeministrin Edi Rama. Sali Berisha ishte shpallur non grata nga SHBA dhe ishte izoluar plotësisht ndërkombëtarisht.

Lëvizja e Sali Berishës dihej që në krye se do të dështonte keqazi, se ajo kurrë nuk do të rrezikonte pushtetin e Edi Ramës (përkundrazi ajo do ta bënte atë të parrezikshëm) , se ajo kurrë nuk do ta bënte PD-në më të fortë dhe më të hapur, se ajo kurrë nuk do të mund të dilte nga izolimi ndërkombëtar.

Që në krye të herës lëvizja e Sali Berisës dihej që ishte kundër kohës, kundër historisë dhe kundër logjikës. Ajo lëvizje vetëm sa do të shtonte me kalimin e muajve vuajtjet e përkrahësve të saj, të drejtuesve të saj dhe padyshim të drejtuesit të saj. Nuk kishte asgjë në favor ajo lëvizje, asnjë rrethanë politike kombëtare dhe asnjë rrethanë politike ndërkombëtare. Asnjë frymë, fluks, forcë, bindje, besim, arsyetim që mund të nxiste në mënyrë racionale një proces oksigjenimi të saj, një proces përtëritjeje, një proces miqësimi dhe fitimi simpatie nga qytetarët e zakonshëm dhe nga vendimmarrësit politikë ndërkombëtarë. Ishte gjithçka kundër me përjashtim të dëshirës apo interesit të qeverisë Rama që kjo lëvizje e izoluar ndërkombëtare dhe irracionale të rrinte në këmbë dhe të bënte gjullurdi në opozitë. Koha i provoi të gjitha këto.

Drejtuesi i saj Sali Berisha i ka ditur të gjitha këto siç ka ditur edhe fatin e kësaj lëvizjeje dhe vuajtjet që ajo do të shkaktonte. Ai e nisi dhe e vijon lëvizjen nën shtysa të forta emocionale personale, shtysa të cilat janë të pranishme në një mënyrë apo në një tjetër tek mjaft njerëz.

Inxhinieri suedez Solomon August Andre vendosi në vitin 1897 të nisej me balonë për në Polin e Veriut. Askush më parë nuk kishte shkuar deri atje. Solomon August kishte bindur njerëzit prej kohësh se ishte njeriu që mund ta realizonte këtë gjë. Njerëzit ishin mësuar me idenë se Solomon Andre mund ta bënte këtë gjë. Ishte krijuar një bindje e përgjithshme, shumë e fortë tek njerëzit për shkak të mënyrës se si ishte sjellë dhe kishte vepruar inxhinieri se ai mund të shkonte ne Polin e Veriut me balonë. Në një farë mënyre ishte inxhinieri njeriu që kishte krijuar këtë imazh apo këtë pikëpamje të vetën e cila tashmë ishte e pakthyeshme.

Solomon August Andre e dinte që nuk ishte e mundur të shkohej në Polin e Veriut. Balona me helium që ai ndërtoi nuk mund ta kryente këtë udhëtim. Ai megjithatë nuk kishte më kthim. U nis dhe tre muaj më pas në tetor të vitit 1897 ai vdiq në akujt e arktikut. Balona e tij ra shpejt. Ai u end disa ditë në luftë për mbijetesë dhe vdiq. Lufta e tij për të mbijetuar ishte shumë e dhimbshme. Mezi gjente ushqim dhe mezi ia doli për gati tre muaj në akujt dhe tmerrin e Polit të Veriut deri sa vdiq atje mjerisht. Në ditarin e tij Solomon August Andre kishte shkruar se ai e dinte që në fillim që ishte një përpjekje e pashpresë, që ai nuk mund ta kryente udhëtimin për në Polin e Veriut, që fundi do të ishte i dhimbshëm por “humbja sociale do të kishte qenë aq madhe sa ishte më mirë të shkonte drejt këtij rrugëtimi vetëvrasës bashkë me ekuipazhin (mori edhe tre të tjerë me vete) se sa të pranonte që ishte gabim”. Kjo është saktësisht ajo që po ndodh ose ndodhi me lëvizjen e nisur nga Sali Berisha. Ai e dinte që lëvizja nuk mund të kishte sukses, ai mori një ekuipazh dhe u nis megjithatë.

Regjisori i famshëm Ruben Ostlund i ka trajtuar gjatë historisë njerëzore që kanë të bëjnë me “frikën dhe humbjen e fytyrës” siç i quan ai. Inxhinieri Solomon Andre e ka frymëzuar atë në këtë gjë. Ai thotë se “një nga gjërat më të dhimbshme që mund ti ndodhë një qenieje njerëzore është të humbë identitetin që ai ka, që ai ka ndërtuar për veten. Të humbësh identitetin është njësoj si të jesh një burracak, është e barasvlershme me të qenit burracak.

Ruben Ostlund e trajtonin këtë gjë shumë thellë në fillimin “Force majeure”. Në atë film personazhi kryesor, një bashkëshort që shkon me pushime me familjen në alpet zvicerane, ia mbath me të katra kur nga mali nis të bjerë një ortek. Ai me gruan dhe fëmijët janë në kafen e hotelit dhe kur shfaqet orteku ai vrapon t’i shpëtoje ortekut. Në të vërtetë nuk është ortek por një shpërthim i kontrolluar i borës nga punonjësit e komunës për të parandaluar orteqet. Kjo nuk ka rëndësi megjithatë.

Bashkëshorti kthehet kur “orteku” kalon. Gruaja është e tërbuar se si ai ia mbathi. Ai nuk e pranon që ia mbathi, ai është i dërrmuar, i shkatërruar, ai është treguar burracak. Familja kishte krijuar bindjen se bashkëshorti, babai i fëmijëve nuk ia mbath. Shoqëria ka krijuar bindjen se babai nuk ia mbath. Këto janë role të përvijuara qartë. Shoqëria pret që ata ti përmbushin rolet. Ostlund thotë se përballë një pritshmërie të tillë nga shoqëria, përballë një identiteti të tillë që dikush ka krijuar përballë shoqërisë kushdo është në një presion të tmerrshëm të brendshëm për të ruajtur këtë identitet, për të “ruajtur fytyrën”, për të mos qenë burracak.

Solomon August Andre ishte viktimë e kësaj pritshmërie dhe e këtij identiteti që kishte ndërtuar. Ai me kohë, madje vite kishte ndërtuar imazhin se mund të shkonte, se ishte i vetmi që mund të shkonte ne Pol të Veriut.

Edhe Sali Berisha e nisi dhe e vazhdon lëvizjen për të mbrojtur këtë identitet që ai është munduar të krijojë për veten në 32 vite politikë. Ai është përlëkur të ndërtojë një identitet se është i pamposhtshëm, se atë nuk e nxjerr askush nga politika, se ai ka fuqinë të mundë Ramën, të përballet me SHBA-të dhe Britaninë, të paralizojë “çdo armik, çdo tradhtar, çdo vegël, çdo prokuror apo gjyqtar në luftë për të mirën dhe të drejtën”, të ngrejë njerëzit në këmbë etj.

Ruben Ostlund thotë se ndodh shpesh që njerëzit përballen me Forca Madhore. Kur ata përballen me Forca Madhore ata në një mënyrë apo tjetrën copëtohen, munden, dërrmohen, dështojnë në përpjekje për të “shpëtuar fytyrën”. Ata dominohen nga emocioni, iracionaliteti dhe jo arsyeja. Kjo forcë është shumë e fuqishme dhe çon deri atje ku shkoi Solomon Andre. Sigurisht është e fuqishme si shtysë emocionale e brendshme por jo e fuqishme për të ndryshuar realitetin e jashtëm të ndonjë gjëje. Përballë realitetit të jashtëm ajo nuk ka asnjë fuqi.

Forca e dytë po kaq e fuqishme që udhëheq lëvizjen politike të drejtuar nga Sali Berisha është lufta e brendshme për pushtet brenda saj. Filozofi i madh Rene Girard thotë se kurrë ndonjëherë nuk ka patur luftë mes palëve. Gjithmonë lufta zhvillohet brenda një pale por ajo shfaqet si mes palëve në pamundësi për tu shfaqur si luftë brenda palës. Njerëzit luftojnë egërsisht me ata që duan të njëjtën gjë me ta. Që nga dita e parë e botës e deri më sot kur dy njerëz duan të njëjtën gjë ata janë në një luftë të egër dhe të dhimbshme mes tyre. Kaini dhe Abeli donin të njëjtën gjë thotë Girard dhe njëri vrau tjetrin. Herodi shkaktoi vrasjen e Gjion Pagëzorit sepse oborrtarët kishin xhelozi të egër për të dhe donin të gjithë të njëjtën gjë dhe I kërkuan mbretit ta vriste. Djemtë e Jakubit (Jakobit) hodhën në pus vëllanë e tyre Jusifin (Jozefin) sepse ata donin diçka që e kishte ai (vlerësimin e babait). Të gjitha vrasjet e vëllezërve në oborrtarët mbretërore, të gjitha vrasjet brenda partive totalitare apo brenda regjimeve totalitare janë vrasje sepse dy apo më shumë njerëz duan të njëjtën gjë. Kjo është diçka që nuk ka debat.

E njëjta gjë edhe me lëvizjen politike të drejtuar nga Sali Berisha. Siç vetë Sali Berisha e ka ditur që ditën e parë që lëvizja do të dështojë edhe ata që e ndoqën e dinin këtë gjë (nuk donte ndonjë dije që të kuptohej kjo). Të gjithë kanë luftuar për një rol në atë që do të mbeste nga lëvizja. Të gjithë kanë menduar periudhën post Berisha dhe të gjithë mendojnë të ruajnë sa të ruajnë nga shkërmoqja e saj. Kjo është një anë shumë e dhimbshme dhe perverse e lëvizjes së drejtuar nga Berisha. Të gjithë poshtë tij presin dështimin e tij, presin shkatërrimin e tij dhe përpiqen që ky shkatërrim ti gjejë në pozita që mund të kapin role të rëndësishme.

Kur lëvizjes iu bashkua edhe deputeti Gazmend Bardhi me një grup tjetër deputetësh lufta u bë edhe më e egër dhe e dhimbshme. Siç thotë Rene Girard kjo luftë e egër e brendshme nuk mund të shfaqet ndryshe vetëm se në formën e një lufte me “armikun”. Pra lufta e egër brenda palës kur nuk shfaqet dot haptazi si luftë e egër brenda palës do të shfaqet si luftë kundër palës tjetër.

Për këtë shkak lufta e vërtetë brenda lëvizjes së Berishës është mes Gazmend Bardhit dhe Flamur Nokës dhe ndjekësve respektivë. Secili prej tyre, edhe Bardhi edhe Noka do të luftojnë egërsisht me njëri tjetrin duke e shfaqur këtë në një garë se kush prej tyre lufton, shan, bërtet, kërcëllet, ndez letra, hedh karrige mbi “armikun”. Ccdo britmë, çdo sharje, çdo hipje mbi hekura, çdo shkulje mikrofoni ndaj Açkës, çdo akuzë ndaj Ramës, çdo ulërimë ndaj Bashës, çdo e çjerrë ndaj Merita Bakiut apo ndaj Evis Kushit dhe Olta Xhacckës e Nokës dhe e Bardhit në fakt është një ulërimë, një britmë, një sharje, një akuzë ndaj njëri tjetrit. Duke treguar zell ndaj armikut ata duan të tregojnë në fakt se cili është i fortë e sa tjetri, se cili meriton një rol të rëndësishëm drejtuesi më shumë se sa tjetri.

Badhi lufton për vendin e Nokës dhe ndjekësit e tyre luftojnë për vendin e secilit. Kjo luftë e brendshme brenda palës është një shtysë e fuqishme, irracionale, epshore. Kjo është një luftë për mbijetesë. Edhe kjo luftë, edhe kjo shtysë e egër, edhe kjo armiqësi e thellë në të vërtetë e secilit brenda lëvizjes kundër secilit brenda lëvizjes po përballet me forcë madhore përballë së cilës do të dërrmohet keqas. Kjo si edhe shtysa e fuqishme e Berishës janë dy faktorët bazë që prodhojnë atë sjellje të atij grupimi politik në parlament dhe një rrugicë në Tiranë. . Këto dy forca të fuqishme nuk ndryshojnë dot asgjë tek realiteti i jashtëm por vetëm tek gjendja e brendshme e tyre. Realiteti i jashtëm u ka nxjerrë përballë “forcën madhore’.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)