Lezhë - Policia ka arrestuar një person për shpërthimin me tritol në një sipërfaqe toke në fshatin Balldren i Vjetër, një ditë më parë.

I arrestuari është identifikuar si Astrit Avdiaj, ndërsa në kërkim është shpallur Ermal Zalla.

Ky i fundit është emër i njohur për policinë. Në vitin 2020, Zalla bashkë me një tjetër u arrestua pasi blutë i sekuestruan një pistoletë me silenciator dhe një celular që dyshohet se do të përdorej për shpërthime ne distancë.

Ndërkohë toka ku ndodhi shpërthimi me tritol u raportua fillimisht se ishte pronë e biznesmenit të vrarë Ardian Nikulaj, por burime bëjnë me dije se toka është në pronësi të një qytetari tjetër.

Njoftimi i policisë

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes së datës 10.06.2026, në fshatin Balldren i Vjetër, ku në një sipërfaqe toke shpërtheu një sasi e lëndës plasëse (pa shkaktuar dëme), specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. A., 55 vjeç, banues në Tiranë.

Po në vijim të veprimeve u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit E. Z., 35 vjeç, banues në Krujë dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Ndërkohë, vijon hetimi për të sqaruar dhe dokumentuar motivin e kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë