Libër me "identitet"

Një libër shumë interesant që duhet lexuar, qoftë edhe nëse dikush do t'i kundërvihet tezave të Krajës.

Lufta lau pashmangshmërisht hesapet e saj si për të vërtetuar zgjidhjen e vet tragjikisht magjike të problemeve, së cilës njeriu nuk i shpëtoka as në kohët e paqes. Pavarësia e Kosovës nuk është më vetëm një ëndërr, dhe as thjesht një festë e madhe por, sidomos një realitet kompleks e sfidues jo vetëm për ata që e kundërshtuan por edhe për ata që e dëshiruan, ata që e mbështetën dhe ata që e mundësuan. Mes shtetit të Shqipërisë e atij të Kosovës u hapën dyert dhe hyrje-daljet e shumëpritura janë një modus vivendi në të cilin shqiptarët po zbulojnë njeri-tjetrin dhe po ndërtojnë emocione dhe dije të reja reciproke.

Mbikëqyrja e këtij peizazhi të ri, të paktën juridikisht, mbaroi. Ndërkombëtarët po dorëzojnë çelësat te të zotët e shtëpisë, proces fort i vështirë ku përgjegjësitë shumëpalëshe nuk mund të ndahen vetëm me një akt konvencional.

Të gjitha këto nuk mund të mos ndezin fort reflektimin ekzistencial mbi shoqërinë kosovare, reflektim i cili jo vetëm i takon, por është edhe më i besueshëm kur vjen prej vetë përfaqësuesve të kësaj shoqërie.

Provokues deri në çdo faqe është "Identiteti kosovar" i Mehmet Krajës, botuar nga Pen Qendra e Kosovës (2011). Në tri pjesët, të organizuara në qasje historike, kulturore dhe politike, i ashtuquajturi "identitet kosovar" thirret herë në bankën e të akuzuarit, herë në stolin e dëshmitarit, shpeshherë në atë të viktimës, por edhe në fronin e martirit.

Vetë autori vendoset me radhë në të gjitha këto pozicione, si një përfaqësues i një vendi, aty dhe pak më tutje, i një populli, i një klase socio-kulturore, i një njeriu të letrave, i një trashëgimtari të historisë, duke e çuar kështu gërmimin deri në thellësi të përkatësisë së tij por, edhe duke ia përballur atij lexuesi që nuk e ka pjesë të identitetit të vet "gjakun" prej Kosove.

Është padyshim një libër jo i rastësishëm dhe as i kohëve të fundit. Duket se Kraja me të nuk është marrë veç gjatë kohës në të cilën e ka shkruar. Ai vjen si një reflektim i hershëm, i shtrirë në kujtesën e jetëgjatësisë së autorit, i gdhendur në vëzhgimin e tij intelektual, i përtypur e i ripërtypur pa guxuar ndoshta të dalë më parë kaq i plotë e i shprehur sa sot.

Me kurajo, në pjesën e parë të librit, shkrimtari Mehmet Kraja i qepet Historisë për një përshkrim e shpjegim ngjarjesh më shumë të Kosovës por, domosdo, edhe të rajonit. Nuk ngurron të vendosë gishtin nëpër plagë, në krizat e trojeve shqiptare në shekuj, në pikëpyetjet e mëdha e në vonesat historike, në ligshtimet e shqiptarëve që pazotësitë e tyre i kanë fshehur pas miteve dhe zbukurimeve ose duke iu fshehur vetë Historisë. Kraja ve në dyshim kornizat, sulmon klishetë, zhbën tabutë, prek në besë e në fe, rrëzon maska e mendon me zë të lartë.

E gjitha kjo personalisht më tërheq shumë dhe jam e sigurt se do e fuste në të thella çdo lexues.

E kam një "por", megjithatë! Nisur që nga kohët e hershme, përfshi dhe Betejën, aq shumë të debatuar, të Kosovës të vitit 1389, duke kaluar nëpër perandorinë osmane me kosovarë tejet të orientalizuar, me Lidhje të Prizrenit pa Prizrenin, me Luftë Antifashiste pa antifashistë, me Shqipërinë e diktaturës ndërkohë që adhurohej Enveri, me "luajalistë jugosllavë" apo autonomistë pa profil politik të qartë e, të gjithë këta, pa emra individësh që, mirë ose keq, luajnë rolin e tyre në histori, Mehmet Kraja kritikon shkrimin e Historisë, interpreton historinë si të kishte qenë dëshmitar i gjallë i të gjithë shekujve.

Gjuha e përpunuar e njeriut të kultivuar dhe stili i shkrimtarit që di ta stërhollojë mendimin nuk ia fshehin megjithatë empirizmin me të cilin trajton faktet historike. Më tërheq në lexim por s'më jep dorë në besim. Ta marr të mirëqenë çdo gjë më thotë? Vështirë kur në të gjithë trajtesën historike të librit nuk ka as edhe një bibliografi të vetme. Do tituj librash me kujtime janë veç ca pika uji në thatësirën e referencave aq të domosdoshme në një libër të tillë i cili, ndoshta pa e ditur, e kalon dukshëm pretendimin e të qenit veç një rrëfim e bëhet kështu, i pambrojtshëm ndaj kësaj mangësie

Është padyshim një libër shumë interesant që duhet lexuar, qoftë edhe nëse dikush do t'i kundërvihet tezave të Krajës. Ai nxjerr në pah problematika të thella, ekzistenciale që kanë të bëjnë jo thjesht me synimin e fundëm që propozon titulli i librit, por me gjithë qenien shqiptare në përgjithësi: me shoqëritë e politikat e saj, me personazhet historikë, me vetë historinë me të cilën, siç thotë Kraja "ne kemi shumë çështje të hapura, të trajtuara shkel e shko, pa përqendrim, pa metodë dhe pa dije historike" (fq 210).

Kultura, lakuar në të gjitha rasat e mundshme: shqiptare, kosovare, ballkanike, si trashëgimi kombëtare apo si kulturë e pushtuesit, si kulturë e munguar apo e huazuar, përzier me fetë apo shkulur rrënjësh; gjuha si guri më i vërtetë identitar i mbarëshqiptarëve me gjithë tallazet e sprovat shekullore të cilave u ka mbijetuar më mirë se sa folësit e vet; feja, si mit i bashkëjetesës apo si pragmatizëm i mbijetesës dhe jo domosdoshmërisht si identitet fetar por që gjithsesi "nuk u diskutua pothuajse asnjëherë në mënyrë eksplicite, por u përdor aty-këtu në kuadër të trajtimeve për historinë, për kombin, për identitetin, për politikën, për civilizimin etj" (fq 209). Të gjitha këto e të tjera përbëjnë një tjetër pjesë të nxehtë të librit që me siguri ka bërë të hidhen përpjetë ithtarë e fanatikë gjithfarë dhe, pa dyshim, ka intriguar studiues e opinionistë, ndonëse, në dijeninë time, kanë parapëlqyer ta kalojnë në heshtje këtë botim për arsye që s'i gjej dot duke anashkaluar këtu mëritë tipike personale, si dhe përtesën që na karakterizon për t'i hyrë një debati a shumë debateve me tema të cilave Kraja u ka përkushtuar reflektimin e jetës së vet.

Qasja politike ndaj identitetit të diskutuar kosovar mbyll këtë libër që luhatet midis studimit dhe eses, midis meditimit për vendin amë dhe formimit të njeriut të letrave. Politika e vjetër dhe e re, vetëvendosja e munguar dhe fati tragjik por jo rrallë dhe qaraman i vendeve të vogla si i yni, që dikton "rrethana të tilla që Kosova, realisht nuk do të ishte subjekt relevant në marrëveshjet për të ardhmen e saj" (fq 373), ilustrojnë përpjekjen graduale të Krajës për ta zhbërë alibinë e kërkuar të identitetit kosovar. Natyrisht, dhjetë vitet e fundit me kthesa, kthina, klithje e kundërthënie, (të gjitha brenda kapelës së paketës të pavarësisë së kushtëzuar, ambalazhuar nga Ahtisaari, pastaj të sapopërcjella në fundin administrativ të mbikëqyrjes,) kanë nxjerrë në skenë këtë debat, ndërkohë që vendimet luftarake, ndërkombëtare e administrative thuhet se janë futur në brazdën e "shtetit të Kosovës si kompromis" (fq 477). Kjo nuk e kënaq aspak Krajën dhe dukshëm jo vetëm atë. Pesëqind faqe e kusur të "Identitetit kosovar" nuk janë shteruese për një problematikë aq të koklavitur të kombit shqiptar. E thotë vetë autori kur nuk i shpëton nënteksteve për agresivitetin "tradicional" të Ballkanit dhe nuk i kursen thumbat për "rolin konstruktiv" të Shqipërisë dhe të "abstenimit të saj në diskutimet për integrim shqiptar" (fq 509).

Sado të hidhura e bash për këtë, edhe shumë të rëndësishme, qofshin shumë prej konstatimeve të këtij libri, ato nuk shoqërohen me metodologji rigoroze bibliografike, çka do të na bënte ne lexues më të bindur të tij. Gjithsesi kjo nuk duket se e shqetëson autorin i cili nuk synon medoemos të bindë, por sidomos të shpërfaqë hapur e guximshëm pikëpamjet e tij sipas të cilave "shteti i Kosovës nuk bëhet më i qëndrueshëm, më i dashur për shtetasit e tij, nëse identitetit shqiptar, të cilit i detyrohet, i kundërvihet me një identitet të ri, të pakonsoliduar, siç është identiteti kosovar" (fq 508).

Kjo pjesë e fundit e librit kushtuar periudhës dëshmitarë të së cilës jemi të gjithë bashkë, pranohet, pa dyshim, si reflektim i drejtpërdrejtë i autorit, një reflektim që meriton vëmendje, analizë dhe pa dyshim një lexues të vëmendshëm dhe mendjehapur.

(Shkrimi u publikua te gazeta express, 8 nentor 2012)

(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Sot finalja e Superkupës së Spanjës dhuron një 'El Clasico', formacionet zyrtare të Real Madrid - Barcelona! Flick ka gati Olmon

Sot finalja e Superkupës së Spanjës dhuron një 'El Clasico', formacionet zyrtare të Real Madrid - Barcelona! Flick ka gati Olmon