Libri, 60 studime albanologjike
për 60-vjetorin e Francesco Altimarit

Libri, 60 studime albanologjike<br />për 60-vjetorin e Francesco Altimarit
Rreth 60 autorë nga vendi e bota dhe po aq studime botohen në një libër, nën titullin e thjeshtë “Studime”, i cili i kushtohet, në vend të një kartoline, kolegët të tyre, gjuhëtarit dhe studiuesit të njohur arbërësh, prof. Francesco Altimari, i cili këto ditë mbushi plot 60 vjet. 

Me këtë rast, në nderim të prof. Francesco Altimarit, me rastin e 60-vjetorit të lindjes, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Fondacionin Kulturor “Fan Noli” që mbështeti financiarisht botimin, organizuan promovimin e librit “Studime”, ku pati një fjalë përshëndetëse në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndërsa mbi vlerat e librit dhe kontributin e prof. Francesco Altimarit folën prof. dr. Kolec Topalli, prof. dr. Seit Mansaku.

Ajo që bëri dikur, shumë vite më parë, Lasgush Poradeci për poetin kombëtar Naim Frashëri, por që, për fat të keq, mbeti e vetme, edhe pse praktikë e njohur në botë si “Festschrift”, rivjen në Shqipëri në formën e një surprize për prof. Altimarin. Ndonëse këto studime i përkasin temave dhe argumenteve të ndryshme, gjithsesi nuk janë një libër biografik apo për veprat e prof. Altimarit. Ajo që i bashkon është pasioni dhe kompetenca për problemet albanologjike, për historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Sipas shënimit hyrës të librit të shkruar nga prof. Matteo Mandalá, i konceptuar si një shënim vlerësues dhe nderues me rastin e 60-vjetorit të lindjes, “Francesco Altimari ia ka dalë ta përfshijë gjuhësinë shqipe mes disiplinave që gëzojnë prestigj dhe respekt në Itali, duke e mbajtur të gjallë interesin shkencor që e kishte zënë fillin me studimet e mëparshme të gjuhëtarëve Francesco Ribezzo, Carlo Tagliavini, Vittore Pisani. Nuk është e rastit që ndër studimet e tij kryesore gjenden kontribute gjuhësore që e pasurojnë qoftë ballkanistikën, qoftë albanologjinë”. Sipas Mandalá, “kuadrin e figurës së albanologut e plotësojnë kontributet që Altimari ka dhënë në lëmin e kritikës letrare dhe në atë të historisë kulturore. Këto punime, duke zbatuar metodologji të reja kërkimi, kanë nxjerrë në pah aspekte të panjohura më parë nga kritika letrare albanologjike. Analiza strukturore e disa prej miteve kryesore të letërsisë së kultivuar arbëreshe, –fjala vjen, miti i Skënderbeut, ose miti “pellazgjik” – nxori në pah rolin që kanë lozur arbëreshët, veçanërisht folklori dhe tradita gojore në procesin e krijimit të identitetit kombëtar gjatë lëvizjes së Rilindjes, nga fillimet deri te Pavarësia e Shqipërisë. Jo më pak rëndësi kanë rezultatet e kërkimeve historiko-kulturore në mjedisin arbëresh, sidomos ato mbi dinamikat dhe dukuritë që gjatë shek. XVIII përcaktuan zhvillimin e identitetit arbëresh. Merita e Altimarit është se përmes studimeve të tij ka vërtetuar se ideologjia albaniste jo vetëm që zuri fill gjatë gjysmës së parë të shek. XVIII, por pati si vatër qytetin e Napolit, kryeqendrën e Mbretërisë së Dy Sicilive, ku arbëreshët që vinin nga trevat e ndryshme të Italisë së Jugut takoheshin dhe shkëmbenin idetë duke promovuar atë stinë kulturore të papërsëritshme që do të krijonte lëvizjen romantike të Rilindjes. Falë këtij impostimi të ri është bërë i mundur rindërtimi i marrëdhënieve përmes të cilave u krijua një simbiozë ideologjiko-kulturore mes dy brigjeve të Adriatikut, çka lejoi depërtimin në trevat ballkanike të temave, ideve dhe miteve që ushqyen kulturën politike nacionaliste të elitave intelektuale shqiptare”.

Prof. Matteo Mandalá nënvizon në shënimin hyrës të librit se “Për komunitetin arbëresh dhe për albanologjinë ai ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë në të ardhmen një pikë referimi e pazëvendësueshme”.
  
altimari
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë