Kritikë Sali Berishës për sulmet ndaj ambasadorit Silvio Gonzato i bëri edhe ish- deputeti Ervin Salianji.
“Figura janë ata që zgjedhin demokratët, jo një lidership që për interesa personale ka uzurpuar PD. Nuk mund të jetë Shqipëria dhe PD një frëngji ku gjuhen ambasadorët, siç ndodhi sepse qëndrimi nuk ishte i PD, por i një njeriu që e ka uzurpuar dhe po e mban peng PD. Nuk fitohet duke sharë dhe mallkuar cilindo, mediat, shqiptarët, demokratët, por duke bashkëpunuar dhe ndërtuar partneritet. Vetëm me këtë kapërcim, PD mund të hapet dhe të fitojë”, tha Salianji.
Nga Dibra, ku u ndal në takimin e radhës me demokratët, Salianji e akuzoi drejtpërdrejt Berishën se nuk e lejoi të futej në garë, për shkak të frikës së humbjes. Ndërsa e quajti “dinozaur të politikës”, Salianji tha se Berisha është e shkuara. Për sa kohë ai s’arrin dot as ta mundë Salianjin, përpara Ramës është i pashpresë.
“Pas 36 vitesh në krye, ai mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë sot për gjendjen ku ndodhet PD. Ai përfaqëson të shkuarën. Kur Sali Berisha nuk më mund dot mua duke pasur listën, mediat, regjimin, si do ta mundë Ramën? Se si të mos mjaftonin të gjitha këto, ai po përjashton gjithë kundërshtarët, zërat ndryshe. Kjo është rruga që do ta shuajë PD. PD nuk e meriton, demokratët dhe as Shqipëria, zgjidhja është e qartë: të hapë partinë, të lejojmë garën, fraksionet, të respektojmë fraksionet”, tha Salianji.
Salianji e quajti Berishën barrë për opozitën, duke i kërkuar të largohet:
“Sali Berisha nuk mund ta sjellë Partinë Demokratike në pushtet as sot, as nesër dhe as kurrë! Çdo ditë që ai qëndron në krye të PD është fitore personale për të, por humbje e madhe për PD-në, opozitën dhe Shqipërinë. Ai sot është i izoluar ndërkombëtarisht dhe qëndrimi i tij në krye të PD ndihmon duke mbajtur në pushtet Edi Ramën. Sali Berisha është barrë për opozitën dhe duhet t’i hapë krahun një brezi tjetër”, tha Salianji.
I entuziazmuar nga numrat, Salianji u shpreh gjatë fjalimit se takimi i radhës do të ishte në stadium dhe se shumë shpejt i pret Tirana.
Komente










