Të gjithë specialistët pohojnë njëzëri se një ndërtim i tillë si ky hotel në qendrën historike të Gjirokastrës bie në kundërshtim me ligjin aktual të Trashëgimisë. Po ku shkelet ky ligj?

Në nenin 14 të Ligjit për tragiminë kulturore i datës 7.4.2003, thuhet se “Në rastin e fatkeqësive natyrore, të shembjes ose të djegies së objekteve me vlera të trashëgimisë kulturore, kur nuk vendoset kryerja e rikonstruksionit, mbi truallin e mbetur ose mbi pasurinë rrënojë, lejohet ndërtimi vetëm në sipërfaqen dhe vëllimin e mëparshëm, duke respektuar kategorinë dhe llojin e monumentit të dëmtuar”.

Pra sipas këtij neni, ku mendohet të jetë mbështur Këshilli Kombëtar i Restaurimit, ish- Minsitri Bumçi dhe drejtori Apollon Baçe, ajo çka lejohet të rindërtohet është vetëm një ndërtesë si ajo e mëparshmja, e të njëjtës kategori me monumentin e dëmtuar dhe asgjë më shumë jashtë vëllimit dhe karakterit të saj.

Por a ka pasur aty një monument Kulture? Pronarët e këtij trualli posedojnë fotot e një banese të hershme, mbase që nga periudha e para Luftës së Dytë Botërore.
Edhe nëse kjo banesë ka qenë me vlera të rralla për kompleksin muzeor, që gëzonte statusin monument kulture, ligji e parashikon qartë se nëse behet një rindërtim duhet të jetë identik si i pari. Pra një banesë tipike gjirokastrite, jo një hotel me 15 dhoma.

Më tej Neni 29 i Ligjit për Trashëgiminë thotë se është i ndaluar çdo ndërtim i ri, me përjashtim të rrjetit inxhinierik nëntokësor dhe rikonstruksionit, në  zonat muze, ansamblet muze qendrat historike apo  parqet arkeologjike.

Për rastin e ndërtimit në zonën muzeale në Gjirokastër ne u ndalëm vetëm në këto dy nene, por janë edhe disa nene të tjera që e ndalojnë me ligj këtë ndërtim në zonën muzeale ose parashikojnë kushte të caktuara për restaurim apo ndërhyrje të tjera siç janë neni  3, 14, 17, 27, 28, 29 dhe 38, të cilët po sjellim këtu për të dhënë përgjigje për të gjithë pyetjet që mund të lindin mbi rastin konkret në ndërtimin e Gjirokastrës.    
 
LIGJI, "PËR TRASHËGIMINË KULTURORE"

Neni 3, pika 23. "Restaurim" është vlerësimi i thelbit origjinal të monumenteve nëpërmjet ndërhyrjeve për ndalimin e degradimeve të mëtejshme dhe nxjerrjes në pah të vlerave të tyre. 

Neni 14
Në rastin e fatkeqësive natyrore, të shembjes ose të djegies së objekteve me vlera të trashëgimisë kulturore, kur nuk vendoset kryerja e rikonstruksionit, mbi truallin e mbetur ose mbi pasurinë rrënojë, lejohet ndërtimi vetëm në sipërfaqen dhe vëllimin e mëparshëm, duke respektuar kategorinë dhe llojin e monumentit të dëmtuar. 

Neni 17
1. Projektet e restaurimit dhe restaurimi i monumenteve të kulturës bëhen nga institucione shtetërore të specializuara dhe nga subjektet e licencuara për këtë qëllim, sipas pikave 3, 4 e 5 të këtij neni, si dhe nga institucionet e huaja të parashikuara në nenin 42 pika 3 të këtij ligji. 
5. Punimet e restaurimit, të cilat kryhen nga subjektet e licencuara për këtë qëllim, mbikëqyren dhe kolaudohen nga institucionet shtetërore, të specializuara dhe të ngarkuara me ligj për mbrojtjen, ruajtjen dhe studimin e objekteve të trashëgimisë kulturore.
6. Çdo projekt për restaurim i paraqitet për miratim Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, i cili përcakton kriteret dhe kategorinë e projekteve, që miratohen nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.
7. Zbatimi i punimeve të restaurimit të monumenteve të kulturës, mbikëqyrja dhe kolaudimi i tyre nuk i nënshtrohen ligjit nr. 8402, datë 10.9.1998 "Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit", të ndryshuar.
Rregullat dhe kriteret e punimeve të restaurimit në objektet e trashëgimisë kulturore përcaktohen në Kartën Shqiptare të Restaurimeve, e cila miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.

Neni 27
Monumente kulture të kategorisë II janë ndërtimet me vlera të spikatura, kryesisht në pamjen e tyre të jashtme. Ato ruhen në vëllime dhe pamjen e tyre të jashtme. Ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore i shpall ato monumente kulture të kategorisë II.

Neni 28
1. Monumente Kulture të kategorisë I janë ndërtimet me vlera të spikatura dhe me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore. Ato ruhen në tërësinë e përbërësve të tyre arkitektonikë dhe teknikë.
2. Kompozimi i vëllimeve, trajtimi arkitektonik i pamjeve të jashtme dhe të brendshme, si dhe zgjidhja planimetrike dhe funksionale e këtyre monumenteve nuk mund të ndryshohen.
3. Ndërtimet e reja pranë tyre duhet të respektojnë distancat e zonës së mbrojtur.

Neni 29
1. Zonat-muze, ansamblet-muze, qendrat historike, parqet arkeologjike janë kategori objektesh në grup, që ruhen në tërësinë e tyre si komplekse historiko-arkeologjike, monumentale, arkitektoniko-urbanistike dhe mjedisore.
2. Në këto kategori objektesh është e ndaluar çdo lloj ndërtimi i ri, me përjashtim të rrjetit inxhinierik nëntokësor dhe rikonstruksionit. Në rastin e rikonstruksioneve, projekti miratohet nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve. 

Neni 38
Çdo vendim i marrë nga këshillat e rregullimit të territoreve për ndërhyrje ose ndërtim në zonat e shpallura monument kulture ose në zonën e mbrojtur pranë një monumenti kulture, pavarësisht nga pronësia, është i pavlefshëm.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)