TIRANË - Me një minutë heshtje dhe shumë dhimbje, kështu ka nisur në "Selman Stërmasi" sfida e raundit të 21-të të Superligës mes KF Tiranës dhe Flamurtarit.

Futbollistët e dy skuadrave u bënë bashkë në mesin e fushës për t'i dhënë lamtumirën e fundit Irinës, vajzës së futbollistit të KF Tiranës, Freddy Alvarez, e cila pa mbushur ende 10 vjeç u nda tragjikisht nga jeta mëngjesin e të shtunës pas një incidenti në banesë.

Gjatë minutës së heshtjes tifozët u panë në lot, dukshëm të prekur nga largimi i vogëlushes që prej tre javësh banonte në kryeqytetin shqiptar, kjo pasi i ati, mesfushori i bardhebluve u bashkua vetëm këtë janar me KF Tiranën.

"Tirona Fanatics", ultrasit e bardhebluve kishin përgatitur edhe një banderolë në nderim të saj, ndërsa futbollistët dhe stafet e dy skuadrave u drejtuan drejt tifozëve dhe me lule në duar nderuan kujtimin e saj.

Nuk munguan lotët as te trajneri i Flamurtarit, italiani Francesco Moriero, si dhe lojtarëve në fushë e tifozëve në tribuna.

Irina Alvarez Esquivel, vogëlushja që do mbushte 10 vjeç më qershorin e këtij viti, dyshohet se u rrëzua nga krevati dykatësh dhe pësoi lëndime të parikuperueshme që rezultuan tragjike.

Ndeshja mes KF Tiranës dhe Flamurtarit ishte e programuar për të shtunën, por pas dakordësisë mes klubeve u shty me 24 orë.

Drejtuesit e KF Tiranës në lot