Luan Rama: Meta në qeveri
një kontribut me rëndësi

Luan Rama: Meta në qeveri<br />një kontribut me rëndësi
Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" është shprehur se një përfshirje e Metës në qeverinë 'Berisha' do të ishte një kontribut, jo vetëm për LSI por dhe për qeverisjen e vendit. Ndërkohë ai është deklaruar pro ndryshimeve në kabinetin qeveritar, por pas analizave. Në të njejtën kohë, duke folur për kandidaturën e Fatos Nanos për President, numri dy i LSI tha se do të ishte në nderin e PS nëse ajo do ta propozonte për këtë post.

Qeverisja e koalicionit me PD-në po afrohet në fundin e vitit të tretë të mandatit të dytë për të djathtën. Mendoni se me këtë kabinet qeverisës mund të maksimalizoni votën më 2013 apo ka vend për përmirësime në qeveri?
Vlerësimi, përkatësisht edhe gjykimi mbi gjithë sa ka bërë një qeveri legjitime dhe demokratike nuk ka si kriter kohëzgjatjen e mandatit qeverisës, por produktin, atë që ka bërë në të mirë të jetës së qytetarëve dhe të interesave të vendit. Parë nga kjo pikëvështrimi, mazhoranca qeverisëse ka se çfarë të sjellë si argument dhe që i jep asaj mundësinë të ketë kurajon dhe legjitimitetin të ballafaqohet me qytetarët me arritje të prekshme prej të gjithëve. A ka vend për përmirësime? Padyshim që po, dhe në vlerësimin tim, ndryshimet duhen projektuar në funksion të sfidave të së ardhmes që janë shumë më tepër se sfida të një mazhorance apo të një qeverie. Por duhet të kuptoni një gjë. Unë shpreh vetëm opinionin tim, pasi referuar atributeve kushtetuese të Kryeministrit, është në të drejtën e tij të gjykojë dhe vlerësojë punën e kabinetit qeveritar dhe të përcaktojë se çfarë duhet bërë.

Po ndonjë propozim konkret...?
Nëse Kryeministrit do t'i lypej këshilla ime, do t'i propozoja një analizë të detajuar të punës së qeverisë, por edhe të koalicionit qeverisës në tërësi, në mënyrë që analiza të krijojë kushte për një pamje më reale të gjithë produktit qeverisës, por edhe për të parë se çfarë duhet bërë më mirë dhe ku duhet ndërhyrë për përmirësime apo korrigjime. Ndërkaq, për LSI-në maksimalizimi i votës është i lidhur më së shumti me punën që ne zhvillojmë me njerëzit, është i lidhur ngushtë me marrëdhëniet që kemi me votuesit dhe qytetarët që gjejnë tek LSI-ja zëdhënësen dhe mbrojtësen e interesave të tyre. Natyrisht që nuk lë mënjanë rezultatet që qeveria ia ka dalë t'i mbërrije falë rolit dhe kontributit të madh të LSI në qeverisje, të cilat janë përmbushje e premtimeve tona elektorale. Por ato nuk janë gjithçka.

Thoni që roli i LSI ka qënë determinant...?
Sepse, nëse të gjithë e dinë se pa angazhimin e LSI-së në qeverisje shqiptarët nuk do të mund të lëvizinin lirisht në hapësirën 'Shengen', po ashtu të gjithë presin që LSI të vazhdojë të kontribuojë për përshpejtimin e ritmeve të integrimit në BE, proces që nuk do të mund të jetë i suksesshëm pa LSI-në.

Pra dhe më 2013 do jeni përcaktues për qeverisjen e vendit?
Aktualisht LSI është përfshirë në një proces tërësor të riorganizimit dhe ridimensionalizimit të rolit të saj, me synimin dhe bindjen që në zgjedhjet e vitit 2013 të jemi fitues dhe padyshim, përcaktues për krijimin e mazhorancës. Pra, përveç synimit për të qenë fituese në zgjedhjet e 2013-ës, LSI ka edhe përgjegjësinë të ruajë dhe të ridimensionoje edhe vlerat e të majtës demokratike dhe europiane në Shqipëri, të braktisura e të harruara prej partisë së vjetër, që gjithçka mund të jetë, por vetëm socialiste jo.

Si e komentoni afrimin e PDIU në qeverisje përmes posteve të zv.ministrave?
Për ta plotësuar mendimin tuaj më lejoni të saktësoj se PDIU është aleate e respektuar dhe e rëndësishme e mazhorancës qeverisëse, dhe nëse do të ketë përfaqësues të saj në nivele më të larta të përfaqësimit qeverisës, padyshim që do të kemi të bëjmë me më shumë hapësira për kontribute më të mëdha.

Zoti Meta ashtu sikundër e ka mbrojtur me ngulm për një vit me radhë pafajësinë e tij, tashmë e ka të konfirmuar këtë pafajësi edhe me vendim gjykate. Çfarë do të thotë kjo për partinë tuaj?
Zoti Meta nuk ka mbrojtur me ngulm dhe me shumë prova dhe argumenta pafajësinë e vet, por, përmes një beteje për drejtësinë ka mbrojtur të vërtetën, duke krijuar precedentin që çdo personalitet politik i gjendur nën akuzë, me apo pa të drejtë, duhet të ballafaqohet me drejtësinë dhe t'ia lërë asaj ta thotë fjalën e fundit. Prandaj Ilir Meta nuk zgjodhi të fshihej pas procedurave që formalisht janë zgjidhje ligjore, po përmes një ballafaqimi me shqyrtimin në themel, ai krijoi mundësinë që edhe opinioni publik të kuptonte që e vërteta ishte në anën e tij. Duke qenë një fitore ligjore, kjo për LSI është edhe një fitore politike, madje fitore e dyfishtë. Sepse sa është fitore e drejtësisë mbi manipulimin është dhe fitore mbi ata që mbi këtë manipulim ngritën e mbështetën gjithë strategjinë e tyre politike.

Mendoni se zoti Meta mund të kontribuojë më shumë në përbërje të qeverisë?
Kontributet e zotit Meta nuk janë të kushtëzuara domosdoshmërisht me praninë në qeveri, pasi duke qenë Kryetar i LSI-së ai është fator i rëndësishëm qeverisës. E theksova edhe me lart që, LSI është në një proces riorganizimi dhe ridimensionimi tërësor, përbërëse e të cilit është dhe analiza e gjithë performancës tonë qeverisëse. Në konkluzion të kësaj analizë ne do të zhvillojmë edhe Konventën Kombëtare Zgjedhore, dhe i gjithë ky proces padyshim që drejtohet nga Kryetari i LSI. Personalisht mendoj se angazhimi i Ilir Metës në qeveri do të ishte padyshim një kontribut më shumë dhe madje i rëndësishëm për LSI dhe për vetë qeverinë. Ky është gjykimi im, po për të tilla vendime në kohën e duhur do të duhet të gjykojnë forumet drejtuese të LSI-së.

Komisioni i reformës zgjedhore është në kulmin e punës së vet për ndryshimet përmirësuese në Kodin Zgjedhor. Sa bashkëpunuese është PD me LSI-në për të reflektuar edhe propozimet tuaja?
Nuk ka asnjë diferencë për çështjet thelbësore të reformës zgjedhore mes PD e LSI. Duke qenë pjesë e këtij procesi LSI ka si prioritet transparencën e garantimin e vlefshmërisë së çdo vote. Pavarësisht sistemit, LSI do të jetë faktor përcaktues, vlerë që asaj ia jep pesha e votës dhe e mbështetjes popullore. Natyrisht ne synojmë që të mbërrijmë në një përputhshmëri sa më të plotë të votës me mandatet e përfaqësimit, pasi sistemi aktual krijon diferenca diskriminuese.

Ekziston mundësia e një koalicioni parazgjedhor me PS?
Për fatin e keq të socialistëve, lidershipi i asaj partie ka zgjedhur të humbë. Ne nuk kemi asnjë arësye të ndërhyjmë në zgjedhjen e tyre.

Cili është komenti juaj për ecurinë e hetimeve të ngjarjes së 21 janarit, veçanërisht pas ekspertizës së ardhur nga FBI, ç'ka çoi në përfshirjen nën hetim të komandantit të Gardës së Republikës dhe të tre deputetëve të PS-së?
Parimisht, duke qenë një çështje në hetim jo unë, po askush nuk ka të drejtë të komentojë. Aq më tepër që ngjarja e 21 janarit të vitit 2011, për shkak të mënyrës se si u keqpërdor nga politika është shndërruar në një çështje shumë sensitive. Ndërkaq, duke qenë se unë nuk kam asnjë mundësi të di detaje që lidhen me hetimin edhe konkretisht e kam të pamundur të komentoj. Ajo që mund të them së jashtmi është se hetimi duhet të jetë profesional, tërësor, rigoroz, i pandikuar prej emocioneve politike me të vetmin synim, zbardhjen e të vërtetës dhe ndëshkimin ligjor të të gjithë fajtorëve.

Përtej bashkëpunimit me PD, në lidhje me zgjedhjen e Presidentit gjë që është deklaruar dhe nga zoti Meta, mendoni se LSI do mund ta votojë ish-kreun e PS zotin Nano për postin e Presidentit?
Gjithnjë e kam konsideruar të panevojshëm dhe jashtë kohe diskutimin për emrin e Presidentit, për sa kohë nuk kemi mbërritur ende në kohën kur sipas Kushtetutës duhet të zgjidhet Kryetari i Shtetit dhe që përkon me mbarimin e mandatit të Presientit aktual. Sakaq, zgjedhja e Kryetarit të Shtetit duhet të paraprihet prej një procesi politik institucional dhe kushtetues, jo për të gjetur një emer, po për të zgjedhur një përfaqësues me integritet të plotë qytetar, politik dhe intelektual që të garantojë që institucioni i Presidentit të Republikës të jetë jo vetëm mbi palët, por figurë referente e vlerave më të mira të shoqerisë shqiptare.

LSI do ta votojë zotin Nano?
LSI respekton dhe vlerëson çdo kandidaturë që aspiron postin e Kryetarit të Shtetit, por qëndrimin e saj do ta shprehë pasi të kenë vendosur forumet e saj drejtuese, kur kandidatura të administrohet zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë. Në vlerësimin tim, nëse PS do ta propozonte Fatos Nanon për postin e Presindetit, do t'i bënte nder Partisë Socialiste.
(Shkrimi eshte botuar ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Greqi/ Shkatërrohet banda e drogës, kapen 23.4 kg heroinë e marijuanë dhe 60 gr kokainë! 6 të arrestuar, mes tyre 2 shqiptarë

Greqi/ Shkatërrohet banda e drogës, kapen 23.4 kg heroinë e marijuanë dhe 60 gr kokainë! 6 të arrestuar, mes tyre 2 shqiptarë