Luan Zhegu: Ju tregoj si këndohej
nën  tingujt e Ibrahim Madhit

Luan Zhegu: Ju tregoj si këndohej<br />nën  tingujt e Ibrahim Madhit
TIRANE- Është përcjellë dje për në banesën e fundit mjeshtri shqiptar i violinës, Ibrahim Madhi. Familjarë, miq, por edhe artistë nga fusha e artit dhe politikës ishin të pranishëm dje në Akademinë e Arteve për t’i bërë homazhet e fundit. “Talente të tilla, në saj të kontributit dhe veprës së tyre mbeten pika të konsiderueshme referimi edhe për të ardhmen”, u shpreh mes të tjerave kreu i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë homazheve për nder të Ibrahim Madhit dje në Akademinë e Arteve. Edhe presidenti Bujar Nishani ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të violinistit. “Ibrahim Madhi, të cilin e kemi dëgjuar për vite e vite të tëra, sot, e mbylli violinën e tij dhe u nis drejt përjetësisë. Na la ndjenjën e pakufishme të respektit, të mirënjohjes dhe të vlerësimit për Artin dhe Artistin”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të presidentit.

“Ibrahim Madhi ishte shumë modest dhe i druhej bujës. Qëllimi i tij në jetë ishte muzika, koncertet dhe pedagogjia”, shprehet këngëtari Françesk Radi, i cili një nga kujtimet e tij më të bukura ka atë të vitit 1994, kur shkuan në një koncert me Vaçe Zelën në Zvicër. “Ishte koncerti i fundit ku Vaçja nuk u kthye më në atdhe dhe qëndroi atje, -kujton Radi, -por unë nuk do ta harroj mënyrën sesi Madhi na mblodhi dhe si organizoi gjithçka në mënyrë aq perfekte dhe që na emocionoi të gjithëve”. Violinisti i njohur, Ibrahim Madhi, ndërroi jetë në moshën 68-vjeçare, të martën rreth orës 14:00, pas një sëmundjeje të rëndë. Gjatë homazheve që u bënë dje nga ora 12.00 deri në orën 13.00 në UA, këngëtari i njohur Luan Zhegu ka rrëfyer për Shqiptarja.com kujtimet me mjeshtrin Madhi.

Zoti Zhegu, ju keni qenë miq të skenës, si është ndjerë këngëtari Luan Zhegu duke kënduar në shoqërinë e tingujve të violinës së Ibrahim Madhit?
 Ibrahimi, mbi të gjitha, ishte një muzikant shumë i madh. Me të drejtë ai mban titullin Artist i Popullit. Ai vërtetë i takonte popullit me mprehtësinë që kishte. Por edhe si mik, si njeri ishte i mrekullueshëm dhe si familjar. Unë kam përshtypje shumë të mira për Bimin (kështu e thërrisnin shkurt të gjithë miqtë e tij) se unë e kam njohur shumë më afër. Kemi ndenjur bashkë. Kemi bërë turne jashtë shtetit bashkë. E çmoj për ngrohtësinë e tingullit mbi të gjitha. Bimi ishte një koncert-maester i mrekullueshëm, por violina e tij këndonte. Me ikjen e tij arti shqiptar humbi një nga personalitet e artit, por ai ka lënë vepra shumë dhe do të jetë gjithmonë mes nesh dhe ne do ta kujtojmë gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë Bimin e madh, siç kishte edhe mbiemrin e tij.
 
Ai ka pasur edhe aftësinë e riinterpretimit të kompozitorëve shqiptarë që nuk janë më...
 -E vërtetë është kjo. Dhe veçantia e tij ishte se ato pjesë vinin akoma më të reja edhe më emocionuese nga telat e violinës së tij. Ky ishte Bimi.
 
Zoti Zhegu, së bashku ju keni kaluar një jetë në skenë dhe keni qenë në koncerte brenda dhe jashtë vendit, cilat janë kujtimet tuaja?
 -Nuk ka qenë vetëm kjo lidhja jonë, por edhe të qenit në sallë kur ai jepte koncerte. Unë i kam parë të gjitha koncertet e Bimit, sidomos ato koncerte për violinë e orkestër, në ekzekutimin e të cilave Bimi ishte një mrekulli. E kam ndjekur hap pas hapi në koncertet e tij. Madje ai bënte edhe muzikë të lehtë. Ibrahim Madhi ishte një universal. Mjeshtri ka qenë njeriu që diti të bënte muzikë, diti të mësojë instrumentistët e rinj dhe diti të bëjë edhe politikë. Ishte një njeri i gjithanshëm, sepse kishte një talent që i bënte për vete studentët dhe kolegët.

Shkrimi u publikua sot (06.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane