Tirane- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar publikisht sot pas reagimit të Rexhep Rrajës, djalit të deputetit të Partisë Socialiste i akuzuar për përndjekjen e ish të dashurës së tij Xhisiela Malokut , akuzë për të cilën Gjykata e Krujës e la në burg. Nga reagim, Rraja dukej sikur akuzonte Bashën për politizimin e çështjes së tij dhe e sfidoi duke u shprehur se “le ta provonte në zgjedhje”.

Në reagimin e tij, kryedemokrati e quan Rrajën përdhunues dhe thotë se para se të bënte këtë ishte i angazhuar në vjedhjen e zgjedhjeve. Sipas tij, Rraja ka vjedhur zgjedhje për të sjellë në pushtet Ramën.

Statusi i kreut të PD-së

Para se të kthehej në përdhunues dhe torturues vajzash, Rexhep Rraja ishte dhunues zgjedhjesh. Rexhep Rraja dhe kriminelët e tjerë sollën në pushtet Edi Ramën, dhe pushteti i Edi Ramës e mbrojti atë nga dalja para drejtësiësë për vjedhjen e votave. Pushteti që i ati dhe Edi Rama mbajnë me votat e vjedhura, e mbrojtën Rexhepin edhe kur përdhunoi.

Ishte denoncimi dhe presioni i shoqërisë dhe opozitës që e çuan Rexhepin në sallën e gjyqit. Prandaj Rexhepi është i habitur që ndodhet atje dhe kërcënon se do hakmerret kundër opozitës duke i vjedhur prapë zgjedhjet. Sepse Rexhepi e di mirë se kur vjedh zgjedhjet je zot që mund të bësh çfarë të duash, të grabisësh të përdhunosh të vrasësh. Që Rexhepi të mos dhunojë më, duhet që Edi Rama të mos ketë më pushtet!

Lulzim Basha

Postimin e tij Basha e shoqëron edhe me një foto të Rexhepit kohë më parë, teksa shfaqej me një kallashnikov në dorë. Bashkë me foton e tij Basha ka montuar një foto të kryeministrit Rama.

Postimi i Lulzim Bashës

Kujtojmë që pak para se të reagonte Basha, Ina Zhupa, zëdhënëse e Partisë Demokratike ka dërguar një kërkesë të çuditëshme në adresë të ambasadorit të BE-s, Luigi Soreka për t’i garantuar azil politik Xhisiela Malokut dhe familjes së saj, pavarësisht se kjo e fundit nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. Ina Zhupa, thekson se Xhisiela Maloku ka nevojë më shumë se kurrë për mbrojtje pasi dhunuesi i saj, tashmë i arrestuar, është djali një deputeti.

Rexhep Rraja tha sot për Report Tv, pasi doli nga ambientet e gjykatës në Krujë se: “Lulzim Basha ta provojë në votime”. Rexhep Rraja, djali i deputetit Rrahman Rraja, u la në burg sot nga gjykata e Krujës, pas një jave deklaratash dhe akuzash politike. Rraja u akuzua nga Xhisiela Maloku në korrik të këtij viti për dhunë, ndërsa prokuroria e arrestoi të dielën për përndjekje, ndaj të resë. Akuzat për dhunë të ushtruar ndaj Xhisiela Malokut, u bënë publike javën e shkuar nga denoncimi i ish-policit në arrati, Emiljano Nuhu. Nuhu akuzoi për kërcënim me armë në ambientet e komisariatit të Krujës, edhe deputetin Rrahman Rraja, në prani të deputetit socialist, Taulant Balla dhe kryetarit të bashkisë, Artur Bushi. Balla mohoi akuzat për ndikim tek policia e Fushë-Krujës, ndërkohë që vetë vajza Xhisiela Maloku, në një intervistë ekskluzive për Report Tv, Maloku, u shpreh se kërkonte drejtësi por të mos përdorej politikisht në këtë ngjarje.