Mahir Domi, historian i Letërsisë

Mahir Domi, historian i Letërsisë
TIRANE- Profesor Mahir Domi është edhe historian i letërsisë, në kuptimin e plotë dhe të saktë të fjalës. Ai është historian i letërsisë me formimin e tij të përgjithshëm filologjik, me zotërimin e metodës dhe të instrumentave të shkencës për historinë e letërsisë, si degë e shkencës filologjike, me njohjen e letërsisë shqipe dhe të letërsive evropiane e ballkanike, me afeksionin për fjalën e bukur dhe shijen e ndjeshmërisë artistike ndaj forcës së saj dhe, kryesorja, me kontributet e shumta dhe të qëndrueshme që ka sjellë në këtë fushë studimesh.

Mahir Domi nuk është i vetmi filolog, kryesisht gjuhëtar, që iu kushtua dhe studimeve letrare. Edhe prof. Çabej, fjala vjen, u mor me këto studime, madje e filloi karrierën e tij shkencore me to, për t’iu kushtuar më pas tërësisht gjuhësisë, sidomos studimeve etimologjike, ndryshe nga prof. Mahir Domi i cili nuk hoqi dorë asnjëherë prej tyre. Vatra e interesimeve të tij shkencore për historinë e letërsisë mbeti përherë e ndezur.

Në një kohë kur në vend ndodhnin ndryshime të rëndësishme edhe në fushën e arsimit dhe të kulturës, me zgjerimin e rrjetit të institucioneve arsimore, me ngritjen e institucioneve të arsimit të lartë me fakultetet përkatëse albanologjike, kur ndjehej nevoja urdhëruese për tekste të disiplinave shkencore përkatëse, prof. Mahir Domi u angazhua në hartimin e teksteve të reja të historisë së letërsisë shqipe dhe botërore.

Ai është autor ose bashkautor a redaktor i teksteve të shkollave të mesme për letërsinë antike greke dhe romake, për letërsinë e Rilindjes evropiane, të romantizmit dhe realizmit, për letërsinë ruse dhe sovjetike, të hartuara a përgatitura në pjesën më të madhe në bashkëpunim me shkrimtarin dhe mikun e tij të afërt Sterjo Spasse. Në të njëjtën kohë ai është autor i teksteve të para të letërsisë shqipe për shkollën e lartë.

Më 1958 boton dispensën “Letërsi e vjetër shqipe” për Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dhe angazhohet në studime të thelluara duke marrë përsipër e hartuar për tekstin përgjithësues universitar “Histori e letërsisë shqipe” vëll. I, botuar më 1959, gjithë kapitujt për letërsinë shqipe të shekullit XVI-XVIII, përfshirë dhe letërsinë humaniste me Barletin e të tjerë.

Si anëtar i redaksisë së kësaj vepre, të kryesuar nga prof. Shuteriqi, Mahir Domi jep një kontribut themelor për nivelin shkencor të veprës, me punën e tij si redaktor shkencor i shumë kapitujve të vëll. II, botuar më 1960, që i kushtohet letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Dhe dihet se redaktimi shkencor për Mahir Domin do të thoshte “qilizmë e thellë”. Projekti i ri për një histori të letërsisë shqipe nga fillimet te Lufta Nacionalçlirimtare, botuar në vitin 1983, nuk mund të kuptohej pa pjesëmarrjen në të të prof.

Mahir Domit. Si anëtar i redaksisë së kësaj vepre kolektive akademike, prof. Mahir Domi dha një kontribut të çmuar në realizmin e këtij projekti, me pjesëmarrjen aktive në çdo fazë të punës, me mendimet argumentet dhe sugjerimet e tij të urta.

Mund të thuhet se ai është eruditi që me dijet e tij u bë garant i nivelit shkencor të këtyre veprave, dhe jo vetëm i tyre. Bilancit të interesimit dhe punës së vazhdueshme të prof. Domit në fushë të historisë së letërsisë shqipe, nuk mund t’i mungojë një varg studimesh e artikujsh të botuar në shtypin e kohës, për sa e sa probleme dhe autorë të letërsisë shqipe, duke filluar nga Buzuku e Barleti e duke ardhur te Veqilharxhi, De Rada, Naimi, Samiu, Mitkoja, Mjeda, Noli e deri te Spassja.

Por rëndësia e kontributit të prof. Mahir Domit në këtë lami studimesh nuk qëndron thjesht në vëllimin e madh të punës së tij, por në radhë të parë në risinë e metodës shkencore, që shënonte një kapërcim dhe një fazë të re të historiografisë letrare, dega më pak e lëvruar e filologjisë te ne. Bazuar kryesisht në parimet e shkollës historiko-kulturore, ky brez studiuesësh me profesor Shuteriqin, prof. Domin, e të tjerë, ndryshuan përfytyrimin tradicional për historinë e letërsisë si një renditje shkrimtarësh a grumbullim faktesh pa lidhje e vazhdimësi të brendshme midis tyre.

Studimet e tyre, mbështetur në një vizion historik, e shohin atë si një proces, arrijnë në përgjithësime të gjera, e rrokin atë si diçka të tërë, ku çdo autor dhe etapë është hallkë e një zinxhiri, pa humbur pyllin prapa drurëve dhe natyrisht brenda kontekstit të zhvillimeve të përgjithshme historike e kulturore. Falë këtyre arritjeve, historia e letërsisë shqipe, për herën e parë, veç të tjerave u bë një disiplinë universitare, çka nuk mund të mos ndikonte në zhvillimin e mendimit shkencor.

Natyrisht si në të gjitha studimet e realizuara në ato kushte, edhe në tekstet e studimet e prof. Domit, ndjehet se ato janë shkruar në një kohë të caktuar, por ndjehet dhe se pas tyre qëndron një shkencëtar objektiv, i ftohtë ndaj emocioneve e vlerësimeve konjukturale.

Ajo që duhet theksuar veçanërisht për punimet historiko-letrare të Mahir Domit është serioziteti  dhe rreptësia shkencore e këtyre punimeve si dhe fakti që ato i kanë qëndruar kohës, nuk janë vjetëruar, as tezat, as argumentet, as informacioni i pasur dhe i saktë; ato janë shkruar me dashuri për letërsinë shqipe dhe kulturën tonë, me një elegancë stili, me një gjuhë kristaline, me fjalën e zgjedhur me kujdes e shije.

Një vlerë e kontributit të prof. Domit, e çmuar për një historian të letërsisë, është ajo pjesë “e padukshme” që fshihet në studimet e tij gjuhësore, sidomos për sintaksën, pikërisht studimet dhe vëzhgimet e tij të karakterit të stilistikës gjuhësore. Këto vëzhgime të mprehta për mjetet e sintaksës ekspresive ndihmojnë historianin e letërsisë për një analizë funksionale të tekstit letrar.

Unë i përkas atij brezi që prej bankave të shkollës së mesme deri në universitet, jemi shkolluar me tekstet e prof. Mahir Domit, jemi formuar e kemi përfituar prej studimeve të tij, prej seriozitetit dhe metodës së tij të punës. Për këtë i jemi mirënjohës dhe i falemi sot me përulje kujtimit të tij. 

Prof. Mahir Domi nuk është sot midis nesh, por ai është te secili prej nesh; në punën dhe në formimin e secilit prej nesh është mendja dhe dora e tij dhe trashëgimi i tij shkencor dhe moral. Ai i përket atij brezi të papërsëritshëm shkencëtarësh që i dhanë prestigj albanologjisë shqiptare identitetin e një shkence kombëtare duke mbetur figura emblematike të identitetit tonë shkencor kombëtar.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf