Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot në Kuvend se rritja e kuotave të Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar është një investim i duhur në sigurinë financiare dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.
Gjatë prezantimit në Kuvend të projektligjit “Për miratimin e rritjes së kuotës së Republikës së Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar”, Malaj u shpreh se pr/ligji parashikon rishikimin e kuotave për sa i përket Bordit të Guvernatorëve të FMN-së, institucion ku Shqipëria bën pjesë me të drejta të plota.
Ky projektligj, sipas tij, është në funksion të përmbushjes së detyrimeve që shteti shqiptar ka në drejtim të institucioneve financiare ndërkombëtare.
Malaj theksoi se bashkëpunimi me FMN-në është thelbësor, veçanërisht në garantimin e stabilitetit makroekonomik, si dhe kuadrit të politikave monetare dhe fiskale.
“Kjo mbështetje bazohet kryesisht si në aspektet e mbikëqyrjes dhe vlerësimit të ecurisë ekonomike, në asistencë teknike apo mbështetje financiare. Sfidat e njëpasnjëshme që kaluam si tërmeti dhe pandemia, treguan qartazi rëndësinë e të qenit jo vetëm anëtar i këtij institucioni, por edhe të konsolidimit të pozitave të Shqipërisë kundrejt këtij institucioni”, u shpreh Malaj.
Sipas tij “mbështetja e menjëhershme që ju dha Shqipërisë pati një ndikim në zbutjen e efekteve negative që pësoi ekonomia jonë”.
“Prandaj rritja e kuotave të Shqipërisë është një mesazh i fortë dhe i drejtpërdrejt sa i takon pozicionit tonë në vendimmarrjen e FMN-së. Në kontekstin e pasigurive globale ekonomike, të tensioneve gjeopolitike, si dhe sfidave të ndryshimit klimatik, forcimi i marrëdhënieve me FMN-në përmes rritjes së kuotave është një investim i duhur në sigurinë financiare dhe stabilitetin makroekonomik”, u shpreh Malaj.
Ministri i Financave solli në vëmendje se Shqipëria është anëtar me të drejta të plota pranë FMN-së, duke zotëruar kuota në vlerën e 174 milionë eurove. Si çdo vend anëtar pranë këtij organizmi financiar kemi pranuar kushtet dhe rezolutat që adaptohen nga ky institucion”, tha Malaj.
Në këtë drejtim ai bëri të ditur se në dhjetor 2023 bordi drejtues i FMN-së miratoi rezolutën për rishikimin e kuotave duke i rritur kuotat e Shqipërisë në masën 87 milionë euro.
“Kjo rrijte do të quhet efektive pas kryerjes së pagesës përkatëse nga ana jonë, ku 75% e shumës do të paguhet në monedhën vendase. Banka e Shqipërisë do të kryejë me fondet e saj pagesat përkatëse në FMN ndaj nuk parashikohet të kemi kosto në buxhet”, shtoi Malaj.
Ministri theksoi se pas nënshkrimit të marrëveshjes vendi ynë do të zotërojë kuota pranë FMN-së në nivelin e 261 milionë eurove.
Po ashtu, ministri informoi se aktualisht vetëm 23 % e huave të marra nga FMN kanë mbetur pa shlyer ende.
“Rritja e kuotave në FMN përbën një hap strategjik në pozitën e Shqipërisë pranë këtij institucioni, si dhe rrit burimet tona për të pasur akses në burimet që ka ky institucion në çdo rast që do të nevojitet”, shtoi Malaj.