Mallkimi që e ndjek në çdo palë zgjedhje Lulzim Bashën

Mallkimi që e ndjek në çdo palë zgjedhje Lulzim Bashën

Kreu i PD-së Lulzim Basha

Pas çdo procesi zgjedhor, partitë kryesore politike nisin brenda strukturave të tyre analizën e fitores ose të humbjes së zgjedhjeve. Analizën më të lehtë e ka partia fituese, por edhe ajo ka zonat e saj humbëse për të cilat nxjerr mësime që në zgjedhjet pasardhëse të ndryshojë qasje.

Kur vjen puna tek partia humbëse, ky proces analize në Shqipëri kalon në një ngërç të madh sidomos kur humbësi e ka emrin Partia Demokratike. U bënë disa palë zgjedhje që kjo parti nuk e njeh humbjen dhe përpiqet ta justifikojë atë me “vjedhjen” nga kundërshtari. Kjo gjë nuk shozqërohet me asnjë analizë, duke ecur me inerci nga njëra zgjedhje në tjetrën.

Ndonëse Partia Socialiste doli fituese nga zgjedhjet e 25 prillit, lideri i saj Edi Rama nuk humbi kohë por urdhëroi sekretaratin e partisë për të përgatitur analizat në të gjithë Shqipërinë. Urdhëri i tij ishte i prerë: Aty ku nuk u arritën objektivat, kryetarët e çdo organizate të largohen nga drejtimi. Vëreni me kujdes, “aty ku nuk arritën objektivat”, jo ku nuk arrit fitorja, që as nuk diskutohet largimi.

Ja një shembull nga qendra ku votoj personalisht. Partia Socialiste mori 401 vota duke korrur një fitore me 59 për qind kundrejt Partisë Demokratike ose me 190 vota diferencë. Por kryetari i organizatës socialiste të kësaj qendre votimi kishte tjetër objektiv fitoreje për të arritur dhe meqë objektivi nuk u arrit, ai do largohet si një “dështak” në zgjedhje. Ndërkohë që kryetari demokrat i seksionit për këtë qendër votimi, ndonëse ka 10 vjet që i humb zgjedhjet, vijon të rrijë në detyrë pa asnjë problem. Ky është një shembull kuptimplotë se përse PS fiton rregullish zgjedhjet dhe pse PD humb po ashtu.

Personalisht nuk hyj tek ata që një kryetar partie në opozitë që është alterantiva kryesore e pushtetit, të japë dorëheqjen qysh në dështimin e tij të parë elektoral pasi ka marrë detyrën.

Ndodh që humbja e parë nuk vjen për paaftësi të kryetarit të opozitës, po edhe për aftësinë qeverisëse të kundërshtarit të tij në pushtet. Populli dëshiron të ketë vazhdimësi kur sheh një qeverisje të suksesshme dhe reformatore, kësisoj nuk ka arsye që t’i kërkohet llogari kryetarit të opozitës për humbjen.

Por ku humbjet ndodhin në seri, në dy palë zgjedhje parlamentare e po aq vendore, situata bëhet serioze dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi.

Është e vërtetë që një lider politik nuk mund të krijohet për 4 vjet. Por kjo nuk do të thotë që ai të abuzojë me këtë të vërtetë dhe ta uzurpojë partinë edhe kur disfatat i vijnë radhazi.

Një lider politik vizionar, që shikon përtej të sotmes, krijon bazat e shëndosha që edhe në rast se dështon në dy palë zgjedhje dhe i duhet të japë dorëheqjen, t’u ketë dhënë së paku një ose dy individëve hapësirën e nevojshme për të spikatur si alternativa që do ta zëvendësonin denjësisht atë.

Po ta shikosh sot përbërjen e “elitës” së PD-së, nuk gjen dot alternativa zëvendësuese për Lulzim Bashën. Jo se nuk ka individë të zotë, por tani për tani asnjë prej tyre nuk jep ndjesinë e një lideri.

Ndryshe ndodh në Partinë Socialiste ku historikisht kanë dalë dhe dalin individë me shpirt lideri që janë të gatshëm qysh ditën e parë që kryetari i radhës do largohet, që të marrin në dorë fatet e kësaj partie.

Loja që po bën sot Lulzim Basha që për të ruajtur karrigen e tij të kryetarit, kërkon përsëritje zgjedhjesh në 9 qarqe, thjesht me akuza të karakterit politik duke i mëshuar fyellit në një vrimë se qeveria përdori administratën dhe resurset qeveritare për të arritur fitoren, është një alibi shumë e dobët.

Që suksesi me rindërtimin pas tërmetit si dhe me përballimin e pandemisë do të ishin kalë beteje në fitoren e kryeministrit Rama, kjo nuk ka përse të vihet në diskutim. Ashtu sikurse po të dështonte në këto dy drejtime, do të ishte Partia Demokratike e cila do ta kishte kalë beteje.

Ndërtimi i banesave të reja dhe sigurimi i vaksinave në kohë rekord për të nisur vaksinimin masiv, pa diskutim që do paraqiteshin nga qeveria si një argument më shumë se ajo e meriton një mandat të tretë.

A nuk ishte Partia Demokratike që ndonëse në janar po vinin vaksinat e para, kërkonte llogari se nga hynë ato?

Po për dyshimet e efikasitetit të tyre duke krijuar tymnaja se ishin të skaduara, a nuk ishin këto në kuadër të fushatës së saj përbaltëse për të fituar kapital politik?

Po nëse njerëzit do ishin të gjithë nëpër çadra apo në qiell të hapur, a nuk do e kishte shfrytëzuar PD-ja këtë si një dështim të qeverisë për t’u dalë zot shqiptarëve?!

A nuk ishte Partia Demokratike e cila javën e fundit të fushatës elektorale përdori paturpësisht një incizim të para 4 viteve për procesin e legalizimeve duke e shfrytëzuar për interesat e saj bisedën e drejtorit Lame si një alarm që shqiptarëve do u prishen masivisht shtëpitë pa leje?

A nuk bëri politikë në këtë rast PD-ja për të fituar kapital politik me ndjeshmërinë e atyre që ende nuk u është legalizuar shtëpia?

Të luash me frikën e njerëzve duke e nxjerrë nga konteksti një bisedë të një drejtori me stafin e tij, është një hipokrizi e pastër në raport me akuzat që sot PD-ja i bën qeverisë se përdori legalizimet për të marrë vota.

Kur dëgjoj akuzat e PD-së se qeveria përdori buxhetin e shtetit për të blerë vota, më vjen të qesh. Një proces rutinë, i nisur qysh nga dhjetori 2019 me dëmshpërblime që u jepen me grafik çdo muaj të dëmtuarve nga tërmeti, po trumbetohet si blerje votash. PD-ja i dinte me kohë këto pagesa që përpara zgjedhjeve, por nuk ia mbante ta thoshte në publik sepse kishte hall se mos kështu zhytej më thellë në zgjedhje. Edhe kjo është një tjetër formë e hipokrizisë.

A nuk ishte PD-ja që në këto zgjedhje përmendte si arritje të saj futjen e Shqipërisë në NATO dhe liberalizimit të vizave? Përse atëherë qeveria nuk duhet të ishte më koherente duke i ballafaquar, siç thashë më lart, suksesin e saj me rindërtimin dhe me pandeminë?

Ndërkohë më vjen ndërmend se si në vitin 2009, sapo Shqipëria u pranua (për shkaqe gjeo-politike) në NATO, qeveria alokoi një fond me miliona euro në llogarinë e ministrisë së Mbrojtjes e cila kishte për detyrë që në prag të zgjedhjeve atë fond ta kthente në një spot publicitar me të cilën u financuan një sërë televizionesh me ndikim në publik. Ajo ishte një fushatë tmerrësisht abuzuese me fondet e shtetit, sepse harxhonte kot më kot fonde për publicitet pa asnjë vlerë në rritjen e mirëqenies së popullit.

Për të mos përmendur më tej shpërdorimet marramendëse që bëri qeveria “Berisha” në zgjedhjet e vitit 2009 ku një nga zërat më kriminalë ishte fondi për karburant i ministrisë së Mbrojtjes, tollonat e naftës të së cilës kaluan 100 për qind për të financuar lëvizjen e makinave të Partisë Demokratike anembanë Shqipërisë.

Sot Partia Demokratike është në ngërçin e saj më të madh, qysh nga krijimi i saj. Në vitin 2013, kur lideri historik Berisha dha dorëheqjen, kjo parti i kishte dy alternativa pasardhësish: Tradicionalin dhe konservatorin me përvojë Sokol Olldashi, si dhe prurjen e re, të katapultuarin në parti Lulzim Basha, pa asnjë lidhje organike me bazën e partisë.

“Humbja” në konkurrimin për kryetar partie i të parit me fletë votimi me numër rendor, ishte zanafilla e humbjeve nga ku kjo parti nuk po del dot. Dhe as ka për të dalë sa kohë që humbjen nuk e sheh tek vetja dhe lideri i saj dështak, por si gjithnjë tek “vjedhja” prej kundërshtarit.

Ky është kompleksi i “liderit” që erdhi në krye të partisë dhe të bashkisë, duke vjedhur vetë fitoren e tjetrit. Mallkimi i këtyre “fitoreve” do e ndjekë Lulzim Bashën në çdo palë zgjedhje. Por në të ardhmen ky nuk do të jetë më faji i Lulzim Bashës, po i atyre që u bënë konformistë me gjendjen kënetore ku e zhyti partinë ky individ pa lavdi.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë