Nga nesër lëvizje me autorizim në e-Albania! Masat kufizuese deri më 2 dhjetor, Manastirliu: Baret dhe restorantet vatrat kryesore të infeksionit

TIRANË- Nga dita e nesërme, 11 nëntor, do të hyjnë në fuqi masat e reja kufizuese, e për pasojë do të rikthehen autorizimet online në portalin e- Albania. Qytetarët që do u nevojitet që të dalin pas orës 22:00, do duhet të pajisjen me autorizim në e-Albania. Përjashtim bëjnë rastet kur janë emergjenca shëndetësore apo për institucionet e shëndetësisë dhe punonjësit e shërbimeve kritike.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije ditën e sotme se këto masa kufizuese do të zgjasin të paktën deri në 2 dhjetor. Që do të thotë nga nesër, 11 nëntor deri 2 dhjetor do të ketë kufizim të lëvizjes nga ora 22:00-06:00, kufizim të bareve restoranteve fast- food nga ora 22:00-06:00 përveç shërbimit delivery, si edhe administrata do të punojë online.

E vetëdijshme që masat nuk janë respektuar aq sa duhet, Manastirliu ka argumentuar se u mor ky vendimi pasi lokalet dhe baret ishin kthyer në vatrat kryesore për përhapjen e COVID-19.  Moshat mesatare e të prekurve është 47-vjeç, dhe këta, tha Manastirliu, janë bërë shkaktar për infektimin e prindërve dhe gjyshërve që kanë një imunitet të dobët.

Një vendim i rëndësishëm është edhe "fuqizimi" i rolit të mjekut të familjes, i cili mësohet se do të jetë ai që do të lëshojë vërtetime për një pacient që ka kaluar COVID-in dhe që mund të kthehet në punë pasi është negativizuar. Sa i përket ndëshkimeve për shkelësit që nuk zbatojnë masat e vendosura, ministrja tha se mbetet në fuqi gjoba për qytetarët, që kapen në rrugë pas orës policore që në rastin konkret gjoba është 10 mijë lekë.

Gjatë fjalës saj, Manastirliu ka bërë një thirrje për opozitën për të bashkëpunuar në këtë betejë që është e të gjithëve, teksa shtoi se janë marrë të gjitha masat për të përballuar epideminë në muajt në vijim.

Masat kufizuese që hyjnë në fuqi nga nesër (11 nëntor -2 dhjetor 2020)
Kufizim të lëvizjes nga ora 22:00-6:00
- Qytetarët që do u nevojitet që të dalin pas orës 22:00, do duhet të pajisjen me autorizim në e-Albania
Kufizim të bareve restoranteve fast- food nga ora 22:00-6:00 (përveç shërbimit delivery)
Administrata do të punojë online
-Përjashtim bëjnë rastet kur janë emergjenca shëndetësore apo për institucionet e shëndetësisë dhe punonjësit e shërbimeve kritike

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:35
Pacienti i hodh nga kati i dytë i Infektivit/ Manastirliu: Po kryen hetime

Manastirliu foli për ngjarjen e ndodhur gjatë në spitalin infektiv ku një pacient ka tentuar të kryejë aktin tragjik.

“Dua të shpreh keqardhjen time të thellë, për një ngjarje të rëndë të ndodhur në spitalin infektiv. Stafi Mjekesor është duke u kujdesur për pacientin dhe ju siguroj që po kryhen të gjitha hetimet dhe verifikimet për ngjarjen. Qytetarit dhe 120 qytetarëve të tjerë që po marrin shërbim në Spitalin Infektiv, nuk u ka munguar asgjë. Shërbimin mjekësor e kanë marrë dhe do të vazhdojnë ta marrin nga mjeket dhe infermieret që janë në frontin e luftës me një armik të padukshëm për më shumë se 8 muaj” tha Manastirliu.

Ora 16:33
Ministria e Shëndetësisë publikon urdhrin për ndalimin e lëvizjes! Ja gjobat për baret dhe restorantet

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar urdhrin për kufizimin e lëvizjes brenda vendit si dhe mbylljen e aktiviteteve të bareve dhe restoranteve të cilat do të hynë në fuqi nga dita e nesërme.

Në këtë urdhër parashikohen dhe masa administrative të cilat janë të njëjta me me Aktin Normativ të datës 15.03.2020 "Për marrjen e masave të veçanta administrative  gjatë kohëzgjatjes së periudhës të shkaktuar nga COVID-19".

Kufizimin e lëvizjes brenda vendit

Në mbështetje të nenit 7 pika 4 gërmat d të ligjit nr. 15/2016, "Për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve infektive" sipas udhëzimit të Institutit të Shëndetit Publik në zbatimin e Vendimit të Komitetit të Përkohshëm për Infeksionin e përhapur nga Coronavirusi i ri nr. 5005 datë 09/11/2020, me qëllim mbrojtjen e shënetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga koronavirusi COVID-19.

Urdhëroj:

1. Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 22:00 deri në orën 06:00, në të gjithë vendin, deri në datën 02.12.2020.

2. Përjashtim nga rregulli i përcaktuar në pikën 1 të këtij urdhëri bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Personat që lëvizin për arsye pune apo arsye të domosdoshme pajisen me autorizim përmes portalit e-Albania.

3. Personeli i shëndetësisë, punonjësit e strutkurave të shërbimeve kritike, përjashtohen nga rregulli i aplikimit në portalin e-Albania, duke patur dokumentacionin që vërteton punësimin pranë institucioneve.

4. Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhëri organet kompetente për dhënien e masave administrative sipas Aktit Normativ nr. 3 datë 15.03.2020 "Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së shkaktuar nga COVID-19" i ndryshuar.

5. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë që dhe fillon efektet në datë 11/11/2020.

Ky akt normativ nuk parashikon gjoba për këmbësorët por parashikon gjoba për restorantet dhe baret.

Në pikën nr. 7 të këtij Akti Normativ parashikohet:

7. Subjektet apo individët, të cilët nuk zbatojnë urdhrat e dhëna nga organet kompetente për mosmbylljen e bareve, lokaleve, restoranteve dhe klubeve, dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe në rast pësëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e aktivitetit për një periudhë 6-mujore.

Ndërsa në pikën 8 parashikohen

8. Subjektet dhe individët, publikë apo privatë, të cilët, në kundërshtim me urdhrat e autoriteteve kompetente, lejojnë zhvillimin e aktiviteteve sportive, sociale, kulturore, ekskursionet mësimore të organizuara nga institucionet arsimore, publike dhe private, brenda dhe jashtë vendit, dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe në rast pësëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e aktivitetit për një periudhë 6-mujore.

Ora 16:06
Manastirliu: 100 % transparencë për tamponët! Ka patur fluks por laboratorët punojnë 24 orë

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, deklaroi se laboratorët COVID funksionojnë 24 orë. Ajo u shpreh se vetëm përmes transparencës mund të luftojmë kundër koronavirusit.

"Pjesa tjetër e vaksinave ka arritur sot dhe në vijim do të vijë. Vaksinat janë blerë nga qeveria shqiptare, janë porositur prej muajit prill, kanë mbërritur dhe janë vaksinuar përgjatë muajit tetor personeli mjekësor. Ka një kalendarizim për mbërritjen e vaksinave, ato falas të siguruara nga shteti. Në bazë të kërkesave si dhe sipas kalendarit, ne të vendosim një ditë ku mund të shkoni në një nga spitalet për të filmuar. Përsa i përket asistencës apo protokollit të trajtimit në banesë, Komiteti ka punuar gjithë kohës për të vlerësuar dhe për të patur një protokoll për trajtimin në banesë. Ky protokoll po përdoret nga gjithë mjekët e familjes. Ftoj të gjithë qytetarët që të lidhen me këta mjekë nëse kanë simptoma. Mjeku ka një rol të rëndësishëm dhe bën vlerësimin e gjendjeve të pacientëve. 100 përqind transparencë e përgjigjeve. Vetëm kështu ne mund tia dalim në këtë luftë me virusin. Është e vërtetë që ka patur një fluks të jashtëzakonshëm tamponësh. Nëse në muajin qershor bënim mbi 8 mijë tampone në muaj, tani bëjmë më shumë se 30 mijë tampone. Laboratorët tanë po punojnë 24 orë në ditë. Në momentin që je i dyshuar me COVID-19 duhet izolim automatik dhe duhet kontaktuar mjeku i familjes. Ne kemi rritur kapacitetet. Ju kemi paraqitur strategjinë tonë. Për këtë arsye po ngremë laboratorët e back-upit dhe po bëjmë një test të shpejtë. Do të jenë teste të parakualifikuara nga OBSh-ja" - tha Manastirliu.

Ora 15:06
Manastirliu: Mjekët e familjes vërtetime për pacientët që kanë kaluar COVID e mund të kthehen në punë!

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se mjekët e familjes do të ketë "fuqi" që të lëshojnë vërtetime që një pacient ka kaluar COVID dhe mund të rikthehet në punë. Sa i përket ndëshkimeve për shkelësit, ajo tha se mbetet në fuqi gjoba për qytetarët që kapen në rrugë pas orës policie

"Nga dje është përcaktuar një udhëzim që për arsye të vendimi për çështjen e ritestimeve, një udhëzim për mjekun e familjes që do të japë vërtetime për qytetarët që kanë kaluar karantinimin dhe quhen të shëruar për të kthyer në punë. Do jetë mjeku që do të relatojë për qytetarin pikërisht këtë aspekt dhe do të jetë një vërtetim nga ky mjek që u jepen qytetarëve që ta paraqesin në vendet e punës. Sa i përket zbatimit të masave që kemi shpallur, do të jenë organet kompetente të përcaktuara në aktin normativ për marrjen e masave të cilët do të zbatojnë këto masa dhe do të ketë masa administrative qoftë nga Inspektorati Shëndetësor, që do jenë zbatues të këtij urdhri dhe nga policia e shtetit", tha Manastirliu.

Ora 14:59
Manastirliu: Jemi përgatitur për të përballuar vjeshtën dhe dimrin! 360 pacientë po trajtohen në 3 spitalet Covid, nuk mungon asgjë

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar se i kanë marrë të gjitha masat për të përballuar situatën e pandemisë për muajt vjeshtë dhe dimër.

Ajo ka deklaruar se po trajtohen 360 pacientë në të 3 spitalet Covid dhe deri më tani nuk mungon asgjë as kujdesi nga mjekët dhe as paisjet.

"Puna jonë nuk ka ndalur për asnjë moment në këto 8 muaj të gjatë. Jemi përgatitur për të përballuar vjeshtë dimrin duke forcuar kapacitetet tona në të gjithë sistemin shëndetësor. Në pritje të rritjes së numrit të rasteve sepse e dinim që do të rriteshin në vjeshtë dimër, kemi gati edhe spitalet rajonale sipas skenarëve të cilat ua kemi bërë të ditur, për tu përfshirë në trajtimin e rasteve me Covid në momentin që do të ketë ezaurim të kapaciteteve të 4 strukturave të ngirtura për trajtim të Covid.

Mjekët e familjes të gjithë të angazhuar dhe po ndjekin mbi 50 mijë qytetarë të cilët kanë marrë shërbime konsulta nga mjekët tanë të familjes.

360 pacientë po trajtohen në 3 spitalet Covid ku nuk mungon as kujdesi,  as paisjet dhe as stafet, të cilat janë të siguruara falë një përgatitje sistematike për të përballuar një situatë të pritshme nga sezoni i vjeshtë dimrit", tha ajo.

Ora 14:55
Masat kufizuese/ Manastirliu: Do zgjasin deri më 2 dhjetor, administrata do punojë online (VIDEO-Konferenca e plotë)

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se kufizi do të zgjasë deri më datë 2 dhjetor. Ai tha se administrata do të punojë online.

"Masa të një niveli me intensistet mesatar. Qytetarët presin më shumë informacion, të dinë çfarë do bëhet më vonë a do të kemi kufizime si dpo të jetë kufizimet. Këto 8 muaj një gjë dihet që kjo  është një situatë e një pandemie e cila na ka ballafaquar me shumë pikëpyetje dhe që ka ende shumë të panjohura dhe që do jetë një periudhë sfiduese. Në raport me të gjithë sistemet shëndetësore në të gjithë botën dhe jo vetëm në vendin tonë. E rëndësishme zbatimi i rregullave. Masat e deklaruara dje do të sqarohen sot nga unë, sot dalin dhe dy urdhërat për marrjen e këtyre masave duke filluar nga ora 22 e ditës së nesërme, në sqarim të qytetarëve që pyesin padyshim që ka dhe nga ata që mund të priren të bëjnë humor me virusin dikush me sëmundjes, sepse padyshim pyetja që ngrihen është pse ora 22 a del virusi natën.

Këto pyetje mund të jenë të bukura për të qeshur për një moment por të kthehemi me këmbë në tokë. Mjekët dhe infermierët në spitale janë hallka e fundit pritëse, por janë shumë ekipe që punojnë 24 në 24. Këto nxjerrin konkulzione mbi burimet dhe rrisqet e infeksionit. Jo vetëm kanë përcaktuar se cilët janë qytetet me risk të ulët dhe të mesëm që është prezantuar dje dhe nga Silva Bino por zonat që shtojnë aktivitete për hapjen e virusit.

Mosha mesatare është 47 vjeç, tregon që është një moshë që priret të ketë më shumë infektime dhe sigurisht do të infektohet më shumë. në mjedise të mbyllura ulet vigjilenca, maska nuk mbahet, nuk respektohen të gjitha rregullat. Më pas e përhapin në shtëpi, prindërve e gjyshërve që nuk kanë imunitet. Komiteti u mbështet në këtë lloj arsyetimi kur vendosi këto masa, zbatueshmëria e rregullave nuk ka ndodhur në masën 100%, se as në Shqipëri e as në vend të botës nuk ka luksin që të ketë një polic në çdo lokal, nuk kemi shpikur rrotën duke marrë këto masa. Ka vende që kur vala e dytë ka përparuar më shpejt i kanë marrë masat gradualisht dhe ne po ndjekim të njëjtën trajektore. Sot kam firmosur urdhrat që do të jenë në fuqi nga nesër me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID. Kufizimi deri 2 dhjetor, përjashtim për arsye emergjente. Për ata për arsye pune do të pajisen me autorizim përmes portalit e-albania. Administrata do të punojë online sipas vlerësimti të sektorëve, sigurisht të shërbimeve do të ketë një rakordim sipas sektorëve për punën online duke zbatuar detyrat dhe përgjegjësit që ka cdo punonjës", tha Manastirliu.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Flamur Mamaj: 10/11/2020 17:18

    Duhet te jepni dorheqjen zonja Ministre,bashke me drejtuesin e Spitalit.Mjeket e turnit duhet te hetoen nga Prokuroria.Eshte me e pakta qe duhet te beni

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja