Nelson Mandela ndërroi jetë në moshën 95 vjeçare. Një jetë sa një shekull, por jeta nuk është vetëm numra. Ai kaloi 27 vitet e jetës së tij në burg politik dhe ishte 5 vjet Presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut. Ka fituar çmimin Nobel për Paqe, është i njohur në mbarë botën për qëndresën dhe sakrificat në emër të lirisë dhe barazisë; thëniet, sjellja dhe modeli i tij janë dhe mbeten inspiruese dhe frymëzuese, dhe se ndershmëria e thjeshtësia e tij kanë fituar simpati të dyfishtë anë e kënd botës. Kur regjimi i Aparteid-it ra Mandela mund të ishte për më shumë se një dekadë udhëheqës i zgjedhur i Afrikës së Jugut, por e refuzoi rikandidimin. I mjaftoi një mandat presidencial dhe e la pushtetin ashtu siç e mori, - me vlerësimin më të lartë dhe mbështetje masive në vendin e tij dhe mbarë botën. Më shumë se emri dhe biografia personale detajet e rastit Mandela dëshmojnë një model politik mendimi dhe sjelljeje, një sistem vlerash dhe cilësish pozitive, pjesën e mirë të natyrës njerëzore, virtytin pa hakmarrje, kurajën pa kompromise amorale, modestinë pa bezdinë e pushtetit, simbolin e sakrificës për liri që thotë se ka bërë vetëm detyrën përpara ndërgjegjes dhe qytetarëve të tij.

Natyrisht që njeriu nuk mbetet fizikisht i përjetshëm dhe Mandela do të kishte një datë ndarjeje, si çdo person tjetër mbi tokë. 

Çdo vdekje sjell hidhërim por raste të tilla që sollën një reagim botëror, jo vetëm zyrtar apo edhe qytetar, publik dhe mediatik, tregon se humbja e Mandelës është përjetuar më shumë sesa ndarja nga jeta e një personi, një qytetari të botës, një Presidenti, një disidenti apo një politikani. Ai nderohet e kujtohet si një prej pak pasurive të çmuara morale të një bote të dhunshme, të ashpër, mosmirënjohëse dhe shpesh edhe amorale. Në burg apo jashtë tij, në zyrën e Presidentit apo në qelinë e ftohtë, ai refuzoi të jetë zëdhënës i çfarëdo forme të urrejtjes dhe hakmarrjes, të diskriminimit dhe abuzimit me pushtetin e fjalës dhe emrit të tij. Kjo e bën atë më të veçantë, më madhështor, dhe sot, me siguri, Afrika e Jugut, një vend i largët për ne, do të duhet të ndjehet sa e turpëruar për aplikimin e Aparteid-it aq edhe shumë më krenare për fundin e tij dhe fatin që krijoi sistemin, simbolin dhe modelin e Nelson Mandelës.

Shqipëria politike dhe publike e kujtoi dhe nderoi Mandelën. Për çfarë? Për emrin? Për simbolikën? Për parimet e bindjet e tij? Për qëndrimin kritik në luftën e Kosovës? Për tu bërë pjesë e botës modern duke ndjekur modën e nderimit të çdo VIP që ndërron jetë? A nuk e nisëm nderimin më 1924 për Leninin, më pas për Stalinin, etj, për të vijuar së fundi edhe me minutat e heshtjes në parlament për Stive Jobs? A nuk i kemi bërë ne varrimin më madhështor diktatorit më të madh që kemi pasur, Hoxhës? A nuk i bëmë ceremoni zyrtare nderimi pasuesit të tij? Si shumë gjëra të tjera që nuk gjejnë shpjegim serioz në shoqërinë shqiptare edhe në këtë rast secili variant I pyetjeve të lart mund të jetë përgjigje. Gjithsecili një analizë vlen, sidomos sot kur bota demokratike është në zi për Mandelën.
Shqipëria nuk ka pasur një Nelson shqiptar. Ne kishim një humaniste të madhe dhe e pranuam/nderuam vetëm në 6-7 vitet e fundit të jetës së saj. Mandela ka mbajtur fjalim për të dhe e ka përmendur emrin e origjinës së saj shqiptare, gjë që ne nuk e bëmë për gati treçerek shekulli. Ne kemi pasur emra kurajozë, disidentë politikë, figura të krijuara mbi vlerat morale, që sakrifikuan shumë për bindjen e tyre politike apo fetare, por i zhdukëm shpejt, i ekzekutuam, ua hodhëm eshtrat në lumenj apo i lamë pa varr. Në bilancin e diktaturës në Shqipëri ne kemi pasur të paktën 15 të burgosur politikë, të cilët kanë bërë më shumë vite burg sesa N.Mandela, disa prej tyre mbi 44 vite burg e internim, të tjerë mbi 30 vjet, gjithsesi ne nuk kemi arritur të krijojmë një profil të Mandelës shqiptare. E përdorëm për P.Arbnorin kur ndërroi jetë i vetëm, i braktisur nga shteti dhe kolegët e tij politikë, diku në Itali; e përdorëm për të përndjekurin tjetër O.Kazazi, të cilit ia ndërtuam një bust, e më pas ia zhvendosëm dy herë për ti hapur vend një rruge apo një pallati të ri shumëkatësh; e përdorëm për gruan e jashtëzakonshme, M. Kokalarin, të cilën e lamë pa varr dy ditë derisa një makinë e komunës e përcolli në varreza të vetme, të shuar dhe të braktisur; e përdorëm për Lirakun apo Shpëtimin, dy të përndjekur të dyfishtë të cilët u bënë aktakuza e gjallë e brutalitetit të politikës e shoqërisë 4-5 vjet pasi patëm festuar hyrjen në NATO; siç e kemi përdorur në rastin e shuarjes së jetëve të tjera pas kalvareve të gjata të vuajtjes së djeshme dhe braktisjes së sotme.
Shqipëria, vendi më i persekutuar nga regjimi komunist, një vend me më pak demokraci përgjatë një shekulli sesa çdo vend tjetër evropian, e kujton sot Mandelën e zënë në faj për paaftësinë e saj për të nderuar dhe jetësuar parimet e vlerat për të cilat sot kujtohet. Liderit tanë bëjnë elozhe, FB mbushet me fotot e tij, citatet dhe detajet i gjejmë në çdo media, por tej anës protokollare dhe aftësisë tonë për të respektuar tjetrin vetëm pas vdekjes, ne nuk e kemi merituar Mandelën dhe as modelet e tij më të vogla shqiptare. Sepse ne ende nuk kemi treguar se kemi mësuar nga gabimet e të kaluarës, ende nuk kemi dëshmuar brerje ndërgjegjeje apo pendesë, ende nuk kemi bërë integrimin real të ish të përndjekurve politikë në shoqëri, ende nuk kemi një muze në nderim të disidencës dhe vuajtjes së tyre, ende nuk kemi një botim zyrtar dokumentar mbi këtë temë, ende nuk kemi një realizim kinematografik të modelit miniaturë “Madiba”, ende nuk kemi një figurë disidente në simbolet tona shtetërore apo kombëtare, ende nuk kemi një burg – muze për të treguar sesi trajtoheshin kritikët e regjimit, etj, etj. Ne vijojmë të ushqehemi me kujtimet për diktaturën (jo për viktimat), njësoj si sot, në Afrikën e Jugut politika, media e publiku të krekoseshin me arritjet/kujtimet e Bothës apo Suart. Ata nuk e bëjnë sepse nuk mund ta bëjnë, nuk e ndjejnë ta bëjnë, ndaj ata kanë Mandelën dhe e meritojnë atë. Kurse ne, duke bërë të kundërtën, kam frikë se nuk e meritojmë modelin e Mandelës dhe as shumë prej tipareve humane, fisnike, politike dhe qytetare që përfaqëson ai. Ndaj mendoj se ne duhet ta nderojmë Mandelën trefish, si Nelson, si simbol dhe si një model të munguar vlerash, të cilat përgjithësisht dhe fatkeqësisht ne ia kemi mohuar dhe vijojmë t’ia mohojmë vetes.
 
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)