Anëtarë të fisit Bajri në Shkodër kanë kallëzuar në SPAK për shpifje dhe kanosje deputeten Marjana Koçeku, pasi kjo e fundit pretendoi se familjarë të saj janë kërcënuar, pasi u tërhoq nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Në kallëzimin e bërë ndaj Neomalsores nga Behar Brajoviç dhe Safet Bajri, me avokat mbrojtës Sokol Tahirajn, thuhet se deputetja nuk ka provuar para organeve kompetente deklaratat e bëra në rrjetet sociale.
“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën",- thuhet në postimin e bërë nga Koçeku më datë 17 në Facebook dhe Instagram.
Bajrat e Shkodrës thonë në kallëzimin e depozituar në SPAK se nuk ekziston asnjë provë që vërteton se kanë kërcënuar deputeten ose familjen e saj. Përveç kësaj, në denoncim thuhet se deklaratat e deputetes Koçeku cenojnë reputacionin e të gjithë fisit Bajri
Më tej, Behar Brajoviqç dhe Safet Bajri pretendojnë se zotimi "unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën" i Koçekut, është qartazi kërcënim i hapur, ndaj kërkohet nga SPAK hetimi edhe për veprën penale kanosja.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku la të kuptohej se ishte kërcënuar nga fisi i Bajrave, mesazhi ndaj të cilëve ishte me një gjuhë po me tone të forta paralajmëruese, duke thënë se nëse i prekin familjen do t’i shkatërrojë.
Zhvillimet vijnë vetëm pak ditë pasi Koçeku njoftoi largimin nga grupi parlamentar i PS. Më 14 qershor, përmes rrjeteve sociale, ajo shpalli shkëputjen nga shumica që e çoi në Kuvend. Një ditë më pas, deputetja publikoi simbolin e flamingos, tashmë të lidhur me protestat që prej javësh po zhvillohen në vend.
Mesazhet vijuan më pas me tone edhe më politike. Në një postim, Koçeku u shfaq duke u lutur në një kishë, ndërsa në një tjetër sfidoi hapur kryeministrin Edi Rama, duke kërkuar shpërndarjen e Parlamentit dhe zgjedhje të reja.
Në kampin socialist reagimet nuk munguan. Zëra të ndryshëm i kërkuan deputetes të dorëzonte mandatin, me argumentin se ai është fituar nën siglën e Partisë Socialiste. Megjithatë, sipas burimeve nga parlamenti, deri tani në Kuvend nuk ka mbërritur asnjë shkresë zyrtare nga Marjana Koçeku për largimin nga grupi parlamentar apo kalimin e saj në statusin e deputetes së pavarur.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente








Kulmi!
Përgjigju