Martin Leka për sondazhin e Report TV: Më duket realist! Opozitës i duhet kauzë që të mundë Ramën dhe ajo s’është Sali Berisha! Radikalizohen se s’kanë mbështetje në popull

Tiranë- Nëse zgjedhjet zhvillohen sot, sondazhi nga Eduart Zaloshnja, në bashkëpunim me Report TV dhe i publikuar mbrëmë (17 Tetor) në emisionin “Frontline”, u jep një mandat të katërt socialistëve dhe kryeministrit Edi Rama me mbi 50% të votave dhe madje të vetëm, kurse 70% e qytetarëve ishin kundër “mosbindjes civile” të PD-së së Sali Berishës dhe pjesës së opozitës që e ndjek.

Për këtë sondazh, në emisionin “Sot, Live në Shqipëri”, të gazetarit Nertil Agalliu, ishte i ftuar analisti Martin Leka, i cili e quajti të saktë tabelën e shifrave mbi dy rezultatet kryesore dhe komentoi e argumentoi përgjigjen e tij.

Ai tha se opozita duhet të ketë një kauzë të vërtetë dhe të ndahet nga ajo e Sali Berishës, nëse kërkon që të vijë në pushtet dhe që të mundë Edi Ramën. Në situatën që vendi dhe politika ndodhet, ai tha se mandati i katërt i PS i duket i vërtetë.

Më poshtë edhe pjesa e intervistës:

Nertil Agalliu: Nëse zgjedhjet zhvillohen sot, sipas sondazhit të publikuar mbrëmë në “Frontline” në Report TV, socialistët dhe Edi Rama fitojnë të vetëm një mandat të katërt, si mendoni?

Martin Leka: Për mua dhe për shumëkënd nuk është gjë e re. Sigurisht socialistët dhe Edi Rama do t’i fitonte zgjedhjet, ashtu siç do t’i fitojë edhe ato të ardhshmet, që vijnë pas 5 muajsh. Pjesë e një radiografie të qartë, me këtë lloj opozite dhe me gjendjen aktuale, ku realisht Rama i ka në dorë pothuajse të gjitha pushtetet e mundshme në Shqipëri. Ku ka një opozitë të dobët, e cila nuk ka mundur të kultivojë te njerëzit frymën e besimit për të bërë të mundur ndërrimin e pushtetit, aq të domosdoshëm. Them kështu, sepse në situatë normale dhe me opozitë të fortë, një qeveri që ka 3 mandate, do ta kishte shumë të vështirë të pretendonte apo fitonte mandatin e katërt.

Në këtë situatë sondazhi më duket realist. Nuk është gjë e re për mua dhe për shumë njerëz. Opozita duhet të drejtojë gjithçka te vetja dhe rreth saj, në mënyrë që të gjejë rrugët e duhura se si të mund Edi Ramën dhe se si të vijë në pushtet.

Nertil Agalliu: Çfarë duhet të bëjë më shumë opozita tani, pasi 70% e qytetarëve janë kundër mosbindjes civile?

Martin Leka: Unë mendoj se mosbindja civile është një term i cili nuk është kuptuar mirë jo vetëm nga njerëzit, madje as nga votuesit, por nuk është kuptuar mirë madje as nga lidershipi i Partisë Demokratike. Kjo lloj mosbindje civile, në thonjëza, që pretendon opozita e Sali Berishës, duhet thënë, sepse nuk është vetëm Sali Berisha opozitë në këtë vend, apo Partia Demokratike, është një amalgamë e tërë, ku predominon forca. Nuk është mosbindje civile, ka disa aspekte dhe nuanca të mosbindjes civile, por s’është e vërtetë. Sepse nuk është mosbindje civile të djegësh karriget e Parlamentit, apo të shfrysh pakënaqësitë e tua te policët që janë aty për të mbrojtur rendin dhe qetësinë, apo personalitetet etj., nuk është të djegësh dhe të shkatërrosh. Mendoj se në këtë term ka një abuzim fjale dhe që tregon mungesën e kauzës tek opozita. Pra, nuk mund të jetë kauzë e opozitës burgosja e Sali Berishës, aq më keq e Ervi Salianjit. S’mund të jetë kauzë e saj për faktin se opozita të vetmen shpresë për drejtësi që kemi dhe që është bërë me bekimin e ndërkombëtarëve, SPAKU, opozita dhe vetë Sali Berisha e quan organizatë kriminale. Imagjinoni tani se çfarë do të mendojnë njerëzit, që mendojnë 70 apo 80 për qind se SPAK-u është shpresëdhënës, e na del që opozita na e quan organizatë kriminale. Pra kemi një nonsens.

Nertil Agalliu: Pra ju mendoni se opozita kauzën e vetë duhet ta ndajë nga ajo e zotit Berisha?

Martin Leka: Padyshim. Duhet të tregojë kauzë. Kauzë mund të jetë rritja e pensioneve, varfëria, korrupsioni i administratës dhe të tjera. Por jo kauzë një problem ligjor, i cili do të zgjidhet përfundimisht me një vendim gjyqësor. Vetëm kjo e zgjidh problemin e Sali Berishës. Nëse Gjykata vendos se është fajtor Sali Berisha, atëherë kauza mbaron. Dhe kauza fillon e mbaron vetëm me mbarimin e gjyqit. Merr pagën mujore që ka pasur në 30 vjet ish-kryeministri dhe në fund del shuma sa për të blerë një apartament. Si na del kjo për të blerë vila në të gjitha vendet e Europës apo në bregdet, nga 400-500 mijë euro?

Unë mendoj se opozita ka edhe një problem tjetër, e cila me radikalizimin e vetë, kërkon të marrë lidershipin e opozitës dhe për të bërë të gjithë zërat e tjerë opozitarë si bashkëpunëtorë të Edi Ramës. Ky është një akt malinj, që dobëson vetë opozitën, vetë PD-në në fakt, që po mundohet të kamuflojë apo përdorë këtë lloj aksioni të vetë radikal, për të shmangur dhe sfumuar zëra të tjerë opozitarë dhe për hir të së vërtetës ka shumë zëra racionalë të opozitës dhe që sfumohen nga ky radikalizim i pjesës më të madhe të PD-së dhe duhet ta themi këtë. Janë një sërë faktorësh që kanë çuar opozitën të ketë këtë lloj qasjeje radikale ndaj institucioneve, ndaj asaj që ajo e quan mosbindje civile.

Nertil Agalliu: Te sondazhi bie Meta nga froni, partia e tij nuk është më e treta dhe është Adriatik Lapaj?

Martin Leka: Padyshim, mund të ishte edhe partia e Endri Shabanit, me “Nisma”. Është shumë më i besueshëm një njeri që të argumenton, sesa një njeri që të turret vrap dhe forcën ka argumentin kryesor. Forca nuk është argument. Madje unë mendoj se forca që kërkon të tregojë partia Demokratike e Sali Berishës tregon mungesën e madhe të mbështetjes që ka në elektorat. Vetëm kjo ma arsyeton faktin se papritur këta kanë bërë një radikalizim kaq të egër, sepse nuk kanë mbështetje në popull. Dhe tjetra, unë mendoj se duhet një reformë e madhe ligjore, për të mbrojtur ata që janë për të mbrojtur qytetarët, rendin dhe qetësinë në këtë vend. Unë nuk e di sesi do të marrë vota nesër një deputet, i cili i heq kapelën, shtyn apo qëllon një gardist. S’e di se si do marri vota një deputet apo deputete, e cila hedh lëndë apo djeg karriget në Kuvend. Dhe të gjithë manipulojnë me faktin se deputeti është i mbrojtur, ka status të veçantë etj. Duhet reformë e thellë me ligje, të edukohen edhe deputetët, për përgjegjësinë që kanë. Por edhe për të mbrojtur Policinë e Shtetit dhe Gardën, për të gjitha këto akte vandale që kryhen ndaj tyre.

A.Q/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës