Pas përhapjes së koronavirusit të ri, autoritetet shqiptare kanë nisur masat e sigurisë për të evituar mbërritjen e tij në vendin tonë. Kontrollet e shumta janë ushtruar në pikat kufitare, detare, ajrore dhe tokësore, për të bërë të mundur kontrollin e çdo individi që mbërrin në Shqipëri.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu theksoi dje gjatë mbledhjes së task-forcës për masat ndaj koronavirusit se vendi ynë nuk është aq i rrezikuar sa vendet e tjera të BE, për shkak se nuk ka një linjë ajrore me Kinën.
Deri më tani ky virus ka marrë 106 jetë në Whuman, provincën e izoluar ku u shfaq për herë të parë, ndërsa numri i të prekurve ka shkuar më shumë se 4000.
Masat kundër koronavirusit/ Në portin e Durrësit të shtunën u ndaluan dy kinezë, rezultuan të pastër
Në kuadër të shtimit të masave për parandalim e rrezikut të përhapjes së virusit vdekjeprurës 'koronavirus', autoritetet e portit të Durrësit tre ditë më parë (të shtunën) kanë ndaluar dy shtetas kinezë.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se dy kinezët kanë qenë në tragetin e linjave me Italianë dhe pas ndalimit u janë nënshtruar testeve dhe vizitave të hollësishme sipas protokollit përkatës dhe kanë rezultuar të pastër.
Pas rezultateve se ata nuk ishin të prekur nga asnjë virus, janë lënë të lirë të vazhdojnë udhëtimin. Kinezët ishin turistë dhe kishin 3 muaj që udhëtonin nëpër Evropë.