TIRANE - Shqipëria vijon të mbetet jashtë hartës së prekur nga koronavirusi, gjë e cila po habit edhe Organizatën Botërore të Shendetësisë. Në mbledhjen e sotme të task-forcës për masat nga koronavirusi, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh se në vend janë testuar gjithsej 42 raste, 6 prej të cilëve ditën e djeshme të cilët kanë rezultuar të gjithë negativë.  Drejtori i Zyrës së OBSH në Tiranë, Raul Gonzales u shpreh se po përpiqen të kuptojnë përmes një studimi se pse në Shqipëri nuk ka ende asnjë rast të prekur nga koronavirusi. "Por pse ndodh që në Shqipëri nuk ka? Ne ende jemi duke studiuar", u shpreh Gonzales.

Ai shtoi se në duhet të bëhet kujdes me lajmet e rreme, të cilat janë mjaft të dëmshme jo vetëm për shëndetin, por edhe për ekonominë e vendit. 

Lidhur me planin e masave dhe kontrolleve në pikat kufitare të personave që vijnë nga vendet e huaja, shefi i emigracionit Eduard Merkaj u shpreh se kontrollet vijojnë jo vetëm për ata që hyjnë në formë të ligjshme, por edhe për emigrantët e paligshëm që vijnë nga zonat e konfliktit në vendin tonë.

Nga ana tjetër, ministrja Manastirliu deklaroi se ditën e djeshme institucioni që ajo drejton i ka dërguar një shkresë të gjitha bashkive të vendit ku rekomandohet rritja e kontrollit të higjienës në linjat urbane qytetase dhe ndërqytetase.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:48
Manstirliu: Kemi bërë shkresë për të gjitha bashkitë e vendit për kontrollin e higjienës në linjat urbane

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se ministria që ajo drejton ka dërguar një shkresë në të gjitha bashkitë e vendit për të shtuar kontrollet e higjienës në linjat urbane qytetase dhe ndërqytetase.

"Kemi bërë dje në shkresë për të gjitha bashkitë për kontrollet e higjenës, në linjat urbane qytetase dhe ndërqytetase. Marrja e masave të higjenës është një element i shtuar për të luftuar këtë virus. Nuk është asnjëhere e tepër të përmendim masat për kontrollet e higjenës. Higjena personale është shumë e rëndësishme duke filluar nga larja e duarve dhe do të fillojmë me këshillimin periodik", u shpreh Manastirliu.

Ora 09:42
Masat ndaj koronairusit/ Merkaj: Po kontrollojmë edhe emigrantët e paligjshëm!

Drejtori i Përgjithshëm i Emigracionit, Eduard Merkaj u shpreh se është përgatitur plani i masave për emigrantët që vijnë nga zonat e konfliktit

"Që nga dita e parë që kemi përgatitur planin e masave dhe kemi rekomanduar kontrolle të shtuara në pikat kufitare vazhdojnë të njëjta kontrolle. Jemi koshientë për emigrancionin e rregullt. Edhe për kërë shtetas që vijnë nga zonat në konflikt ne vazhdojmë kontrolle. Për të gjithë këta emigrantë kryhen të njëjtat procedura si për ata që vijnë nga pikat kufitare. Marrim edhe të dhënat e përcaktuara të secilit prej tyre për të bërë të mundur më pas gjurmimin e tyre", u shpreh Merkaj.

Ora 09:41
Shefja e spitalit infektiv: Asnjë person me insuficencë respiratore! Kemi shtuar alertin për ata që vijnë nga Italia

Najada Çomo, shefe e spitalit Infektiv në QSUT u shpreh se gjatë kontrolleve nuk ka rezultuar asnjë person me insufincencë respiratore.

"Ne nuk kemi pasur asnjë rast me insufincence respiratore. Kemi bërë ekzaminime dhe nga ana epidiomologjike. Pas Kinës, kemi shtuar alertin edhe në zonën e Italisë, dhe kemi kontrolluar pacientë që kanë rezultuar me grip dhe personat e dyshuar me koronavirus kanë rezultuar negativë. Shërbimi është i pajisur dhe urgjenca është në gatishmëri të madhe", u shpreh Como.

Ora 09:25
Drejtori i zyrës së OBSH në Tiranë: Po përpiqemi të kuptojmë pse Shqipëria nuk ka asnjë rast! Të shmangen lajmet e rreme!

Drejtori i zyrës së OBSH në Tiranë Raul Gonzales deklaroi në mbledhjen e task forcës se duhet të shmanget keqinformimi lidhur me koronabvirusin i cili shkakton dëme shëndetësore dhe ekonomike.

"Unë ju kërkoj të keni besim tek institucionet dhe ekspertët e certifikuar ndërkombëtarisht. Në Spanjë para dy javësh kemi hasur raste me koronavirus. Ne po përpiqemi të mësojmë pse nuk ka asnjë rast në Shqipëri. Personat e prekur në vendin tim nuk kishin udhëtuar jashtë vendit dhe nuk kishin pasur kontakte me persona të prekur. Një pikë tjetër është edhe informimi. Element kyc është informimi dhe duhet të shmangim keqinformimin. Nuk duhet të shpërndajmë lajme të rreme sepse i bëjnë keq shëndetit dhe ekonomisë së vendit", tha ai.

Ora 09:15
Manstirliu: Asnjë i prekur nga koronavirusi në Shqipëri! Deri më tani janë testuar 42 raste

Shqipëria vijon të jetë e paprekur nga koronavirusi. Lajmin e ka dhënë Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë mbledhjes së task-forcës.

"Asnjë rast me koronavirusin e ri edhe pse në Itali paraqitet një situatë me shumë raste. Shqipëria nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirusin e ri. Deri më tani janë realizuar 42 testime të cilat kanë rezultuar negative. Ditën e djeshme janë testuar 6 raste të reja që kanë dalë negative. Përshëndes strukturën tonë në terren në pikat hyrëse në vend ku po bëhet një punë për kontrollin dhe masat që duhen marrë për të pasur edhe një gjurmim të personave që duhet të vetëkarantinohen", u shpreh Manastirliu.