Ministrja Manastirliu inspektoi sot qendrën shëndetësore verore Golem plazh, e hapur enkas për pushuesit me 3 mjekë dhe 3 infermierë në shërbim 24/7.
“Jemi në gatishmëri të plotë në 28 qendrat shëndetësore verore nga veriu në jug të vendit, me shërbim mjekësor pa ndërprerje, për të garantuar një sezon turistik të sigurtë. Qendra e Golemit plazh është ndër qendrat me fluksin më të lartë të pushuesve që kanë marrë trajtim mjekësor”, tha Manastirliu.
Qendrat shëndetësore verore po mbështeten edhe me 18 postacione fikse autoambulancash, spitalet me shërbim të përforcuar si dhe me Njësinë e Helikopterëve.
“Me masat që kemi marrë për sezonin turistik me ekipet mjekësore të trajnuara për çdo emergjencë, të koordinuar nga urgjenca kombëtare mjekësore, garantojmë më shumë siguri për pushuesit, në të gjitha zonat turistike”, tha Manastirliu.
Ministria thekson se janë 132 mjekë dhe infermierë në 28 qendrat shëndetësore verore nga Thethi në Ksamil që ofrojnë shërbim pa ndërprerje për pushuesit. Të gjitha qendrat shëndetësore verore janë të pajisura me 52 lloje medikamentesh dhe 25 lloje materialesh mjekimi, të domosdoshme për të siguruar një shërbim sa më efikas, sipas nevojave të pushuesve.