Maska shpëton jetë, por amerikanët të vështirë për t'u bindur

Maska shpëton jetë, por amerikanët të vështirë për t'u bindur

Shkenca është e qartë: Maskat shpëtojnë jetë.

Në bazë të dhënave të tyre të fundit, studiuesit e Institutit të Shëndetësisë në Universitetin e Uashingtonit parashikojnë që afro 220,000 njerëz do të vdesin nga Covid-19 deri më 1 nëntor në Shtetet e Bashkuara.

“Nëse 95 për qind e amerikanëve përdorin maskat kur të dalin nga shtëpitë e tyre, kjo shifër do të binte me afro 34,000”, thanë shkencëtarët në një email. “Ata që refuzojnë maskat po e rrezikojnë jetën e tyre, familjet, miqtë dhe komunitetet e tyre.”

Por rezistenca ndaj përdorimit të maskave vazhdon në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në pjesët jugore dhe qëndrore të vendit, siç raportohet në një shkrim të gazetës Neë York Times.

Për shumë kundërshtarë përdorimi i maskës është çështje politike, dhe jo e shëndetit publik.

Presidenti Donald Trump këtë javë e mbështeti përdorimin e maskës në vendet publike. Më parë, ai kishte refuzuar ta bënte këtë.

Guvernatori republikan i Xhorxhias, Brian Kemp, ka bllokuar kryebashkiaken demokrate të Atlantës, të lëshojë një urdhër për ta bërë të detyrueshëm përdorimin e maskës.

“Refuzimi për të veshur maskën është egoist. Kjo cenon jetën dhe lirinë e të gjithë të tjerëve në një dyqan”, tha guvernatori demkrat i Karolinës së Veriut, Roy Cooper në një konferencë për shtyp në fillim të kësaj jave.

Kjo mund të jetë e vërtetë, por mesazhi nuk është i dobishëm, tha profesori i marketingut dhe psikologjisë në Universitetin Duke, Gavan Fitzsimons.

“Shumë njerëz e kuptojnë se disa nga udhëzimet e zyrtarëve të shëndetit publik janë kërcënime të drejtpërdrejta ndaj lirive të tyre”, tha Fitzsimons. “Ata do të bëjnë përpjekje të mëdha për të mos i respektuar ato udhëzime.”

“Përdorimi i shprehjeve si “egoist”, unë mendoj se do t’i bëjë më këmbëngulës njerëzit që tashmë janë kundër përdorimit të maskave”, shtoi ai. “Nuk mund të turpëroni dikë që po mbron një liri, dhe ta detyroni të heq dorë nga vendimi për të mbrojtur atë liri.”

Për hir të shëndetit dhe ekonomisë, kjo sjellje duhet të ndryshojë. Por si?

Një fushatë reklamash për shëndetin publik mund të jetë një mënyrë për realizimin e këtij synimi. Por ajo duhet të bëhet siç duhet.

“Ajo që nuk mund të bësh është turpërimi. Kjo nuk funksionon”, tha Andreë Schirmer, bashkë-president i agjensisë për marrëdhëniet me publikun, Ogilvy Health.

Mesazh nga Zoti

Ndoshta njerëzit do të dëgjojnë aktorin Morgan Freeman.

Në serinë e parë të reklamave me njerëz të famshëm që shteti i Nju Jorkut po publikon, zëri i thellë bariton i aktorit thotë: “Kur përdor maskën, ke respektin tim. Sepse maska jote nuk të mbron ty. Ajo më mbron mua.”

Firma Ogilvy Health nuk e krijoi reklamën dhe zoti Schirmer nuk e pëlqen atë. Por Freeman, një aktor i mirënjohur për rolet në filma si Zot dhe president i Shteteve të Bashkuara, mund që t’i japë reklamave një ton serioz, tha ai.

“Unë besoj se ka shumë njerëz që ndikohen nga një prani e fortë“, thuhet në një deklaratë të firmës Ogilvy Health.

Megjithatë, firma Ogilvy Health zgjodhi një drejtim tjetër.

Jason Voorhees, ylli me një maskë hokeji i serialit televiziv “Friday the 13th”, shëtitet rrugëve të Nju Jorkut në një reklamë të prodhuar nga firma Ogilvy Health.

“Nuk është e lehtë. Maskat i bëjnë njerëzit të parehatshëm”, thotë Voorhees. Këmbësorët dhe përdoruesit e metrosë i hapin rrugën atij gjatë ecjes nëpër qytet.

Në reklamë ai shihet duke u ulur në një park ndërsa një vajzë e vogël i jep atij një maskë kirurgjikale. Ai e vendos atë mbi maskën e hokejit, dhe miraton veprimin e vajzës.

“Veshja e maskës mund të jetë e frikshme”, thuhet në tekstin e shkruar në ekran. “Mosveshja e maskës mund të jetë vdekjeprurëse”.

Mësimet nga SIDA dhe poliomieliti

Reklama e pranon që njerëzve nuk u pëlqen të veshin maska. Ky është një mësim që ekspertët shëndetësorë e morën nga përpjekjet për t’i detyruar njerëzit të përdornin prezervativë gjatë krizës së sidës.

“Askush nuk është i gëzuar për mundësinë për të veshur një maskë!”, tha ekspertja e shëndetit seksual, Jill McDevitt për gazetën Neë York Times.

Mesazhi i fëmijës është çelësi i reklamës së realizuar nga firma Ogilvy Health, tha zoti Schirmer.

“Vajza e vogël e pafajshme, e cila në të vërtetë hapë krahët e saj për të ndihmuar këtë djalë, sepse ai po turpërohet (nga përdorimi i maskës së hokejit),” tha ai.

“Nuk është tundja e gishtit (tregues)”, shtoi zoti Schirmer.

Schirmer ka punuar në fushata të shëndetit publik për vaksinimin e poliomielitit në zona të Pakistanit dhe Nigerisë, ku dyshimet janë të larta dhe besimi te qeveria dhe ekspertët e shëndetit është i ulët, një situatë shumë e ngjashme me atë në Amerikën e sotme, tha ai.

Rreziqet ishin më të larta në Pakistan. Vaksinuesit po vriteshin për shkak të mosbesimit. Ajo që ndihmoi ishte lidhja e përpjekjeve me shëndetin e komunitetit, tha zoti Schirmer.

Rruga ligjore

Një mënyrë tjetër për të ndryshuar sjelljen është miratimi i një ligji.

“Unë mendoj se kemi kaluar pikën ku ne mund të varemi vetëm nga mesazhet bindëse”, tha profesori i shëndetit publik i Universitetit të Kolumbias, Ronald Bayer.

Ndalimi e pirjes së duhanit, ligjet për përdorimin e rripit të sigurisë (në makina) dhe përdorimit të helmetave kanë hasur në të njejtat kundërshtime nga njerëzit që mendojnë se të drejtat e tyre po shkelen.

“Liria për të mos veshur rripin e sigurisë (në makinë) kishte një rëndësi të madhe në fillim”, tha profesori i Univeristetit Duke, Fitzsimons. Por mesazhet për këtë çështje “ishin të pandryshueshme dhe të vazhdueshme, dhe përfundimisht liria për të mos veshur rripin e sigurisë u zbeh dhe u bë një liri jo e rëndësishme.”

Dy shtete me guvernatorë republikanë, Ohajo dhe Indiana, së bashku me Minesotën të udhëhequr nga demokratët, lëshuan udhëra për ta bërë të detyrueshme përdorimin e maskave këtë javë.

Zoti Fitzsimons tha se edhe mbështetja nga Presidenti për përdorimin e maskave do të ndihmojë në këtë drejtim.

“Do të duhet pak kohë që politizimi (i kësaj çështje) të venitet këtu në Shtetet e Bashkuara”, tha ai, “dhe shpresojmë që të shohim të njëjtin lloj pranimi të rekomandimeve që ne po shohim në vendet e tjera të botës.”(VOA)

Ne.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat