Daniele Massaro e imponoi veten si sulmues. I lindur në qytetin e “Tempullit të Shpejtësisë” (Monza), ai kaloi shpejt nga Seria B në Serie A dhe mezi e priste këtë kapërcim. Ai ishte tashmë kampion bote me të kaltrit në “Spanjë 1982”.
“Ishte diçka e pashpjegueshme”, – rrëfeu ai për “MARCA”. Tani, pas një periudhe me shumë suksese, tituj dhe gola, ai është pjesë e organikës së Milanit si ambasador i markës dhe pret me padurim një edicion të ri të “Derby della Madonnina”…, në versionin e Champions League. Milani dhe Interi janë përballur tashmë me njëri-tjetrin në të kaluarën, me Ligën e Kampionëve si sfond.
Massaro doli në pension (ai u largua nga futbolli në vitin 1996, pas një magjie ekzotike dhe të shkurtër me Shimizu S-Pulse të Japonisë), por i kujton përplasjet më 2002-2003 dhe 2004-2005. “Qyteti ishte i paralizuar, – kujton ai, teksa të dyja ndeshjet kualifikuese u fituan nga Milani. – Që kur kaluam raundin e mëparshëm, qyteti ka qenë në trazira”.
Referencë e qartë për “EuroDerby” e këtij edicionit të Champions-it, që ka mbërthyer Milanon për shtatë ditë. Milani eliminoi Napolin (kampion i Serie A); Interi hoqi Benfica. “Ka pasur ndeshje të Serie A, por padyshim s’ka vlerë ta mohojmë, vëmendja është aty…, në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Dy tifozëritë janë në delir, do të shohim se cila skuadër do të luajë më mirë dhe do të kalojë në finale”.
Kundër Napolit nuk ishte favorit, por Milani fitoi dhe u rikthye në gjysmëfinale për herë të parë që nga viti 2006. “Ka disa skuadra që kur dëgjojnë muzikën e Champions League, gjithçka ndryshon. E kanë në ADN-në e tyre dhe i bëjnë lojtarët të kuptojnë menjëherë se sa e rëndësishme është ky kompeticion. Kjo është diçka që ekziston vetëm te klubet e mëdha”, – thotë Massaro.
Çmimi pas gjysmëfinales është i dukshëm: finalja e Stambollit. Atje një ish-shok skuadre mund ta priste Massaron. Një mik, asgjë më shumë dhe asgjë më pak se Carlo Ancelotti. “Epo, duke folur për të shkuar në finale kundër mikut tim Carletto…, ne kemi ende një pengesë për të kapërcyer. Kjo vlen si për atë, edhe për ne”, – paralajmëron Massaro me kujdes.
Daniele Massaro
Kur duhet të flasë për Ancelottin, Daniele Massaro shprehet me emocione.
“Carletto është numri një, ajo që ka bërë si lojtar është e jashtëzakonshme, sepse, më besoni, kam qenë në dhomë me të për pesë vite në Milanello. E ndihmoja të ngrihej çdo mëngjes me tërë ato dëmtime që kishte. E shoqëroja për të dalë në stërvitje.
Ancelotti është me të vërtetë diçka e jashtëzakonshme, një shembull unik. Dhe tani ka meritën të jetë një nga trajnerët që ka fituar më shumë në botë. Ai ka mësuar shumë nga Sacchi, fillimisht padyshim si lojtar dhe më pas si ndihmës i tij (gjatë Kupës së Botës 1994).
Mendoj se Carlo është një nga të paktët që, për mendimin tim, mund të lexojë dhe të ndryshojë lojën në një sekondë…, sipas kundërshtarin përballë. E ka treguar këtë. Për mendimin tim kjo është një aftësi e madhe. Carlo nuk ka një taktikë, ka shumë të tilla dhe ky është një avantazh i madh”.