TIRANË - Është hapur sot konkursi për masterplanin e Qytet Studenti, në të cilin janë  8 skuadra ndërkombëtare të cilat po shpalosin programin e tyre. I pranishëm në këtë konkurs, kryeministri Edi rama theksoi se masterplani për Qytet Studentin përveçse do ofrojë një hapësir shumë të madhe për ndërtimin e një kampusi modern universitarë, do të kthehet edhe në një qendër në dispozicion të të gjithë qytetarëve.

“Projekti për të ndërhyrë dhe ristrukturuar Qytetin Studenti është një hap i rëndësishëm i rilindjes urbane në Tiranë. Qyteti Studenti është kthyer në një pijetore e degraduar e  lënë në harresë përgjatë 20 viteve të fundit të demorkacisë, edhe pse demokracia është konceptuar pikërisht nga kjo hapësirë. Projekti do t’i ofrojë studentëve më shumë gjelbërim, më shumë hapësira dhe më shumë mundësi për të zhvilluar jetën e tyre studentore me qëllim që këta studentë të japin më të mirën e tyre gjatë viteve shkollore. Qyteti Studenti ka pësuar një degradim spektakolar ndër vite, por ai ka një potencial të madh për të qenë një kampus i mirëfilltë. Ky është një tjetër projekt që qeveria ka çelur për të vijuar me Rilindjen Urbane. Ky ristrukturim do të jetë rrënjësor dhe për këtë janë ftuar 8 skuadra ndërkombëtare, të cilat do të shpalosin projektet e tyre për ti rikthyer jetën një hapësire të humbur tashmë.  Është koha për ta rikonceptuar të gjithë kampusin edhe nga pikëmpamja e logjikës financiare dhe për të garantuar një nivel dinjitoz shërbimi por dhe cilësie komunitare”, - deklaroi Rama..

Më tej ai ka sjellë shembujt e transformimeve urbane që kanë pësuar disa qytet si Durrësi, Korça duke shprehur gadishmërinë e qeverisë për të financuar disa projekte të rëndësishme në mbarë vendin.

“Shembulli më kuptimplotë i këtij programi është nga njëra anë Korça, ku efektet e këtyre ndërhyrjeve po sjellin rezultate të drejtpërdrejt në ekonominë lokale, Durrësi dhe me radhë qytete të tjera. Ne kemi bërë një sërë garash në dy nivele, në këtë nivel që është i pari i kërkesës për të marrë programe inovative dhe në nivelin e zhvillimit të rajoneve, që ka çelur një program të tërë për rilindjen urbane. Sot kemi në dispozicion një sërë dosjesh frymëzuese. Ne jemi të gatshëm që ti financojmë. Kam parasysh dosjen e disa projekteve për bregun e Jonit, projektin për ishullin e ri në Berat, kam parasysh projektin e parkut të liqenit, projektin e vijës së re të liqenit të Pogradecit e me radhë. Në të njëjtën kohë jemi duke u përgatitur për disa konkurse të tjera, më i pari për hyrjen e parkut të liqenit, ku ti japim rinisë universitare disa hapësira, njëkohësisht për ti dhënë mundësi fakultetit gjeologjik për tu akomoduar në disa mjedise të standardeve bashkëkohore dhe duke i dhënë mundësi shkollës së magjistraturës për tu vendosur në ambientet e gjeologjikut. Nga ana tjetër është konkursi për rindërtimin e Operës ku nuk është ndërhyrë prej shumë vitesh. Konkursi për sallon e re të Teatrit të Dramës. Konkurs të posaçëm për rikonceptimin e një sërë godiash që qëndrojnë prej vitesh të kërcënuara nga degradimi i vazhdueshëm. Nga vila e Enver Hoxhës, Muzeu Kombëtar dhe godina e lidhjes së shkrimtarëve. Ti ktherjmë në hapësira me përdorim më të madh publik.Është shumë e nevojshme të ritheksohet nevoja jonë që këtë projekt mos ta shikojmë të shkëputur nga gjitha zhvillimet që kanë ndodhur rreth e rrotull. Jam i bindur që siç na ka ndodhur në të shkuarën dhe ky konkurs do jetë një tjetër hapësirë një tjetër dritare për të parë më tutje dhe pa diskutim në drejtimin e duhur", - tha Rama.

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)