TIRANË- SPAK ka kërkuar 28 vite burg në total për 6 të pandehur të dosjes së ‘Veliaj’, të cilët po gjykohen në një proces të ndarë dhe me gjykim të shkurtuar. Për 2 të pandehura, Klotilda Bushkën, Flutura Xhanin si edhe për 3 shoqëri, SPAK kërkoi dënimin vetëm me gjobë.

Konkretisht, dy prokurorët e SPAK Ols Dado dhe Altin Dumani kërkojnë që biznesmeni Elman Abule i akuzuar për pastrim parash të dënohet me 7 vite burg, që me gjykim të shkurtuar do t’i ulej në 4 vite e 8 muaj burg, ndërsa për shoqërinë e tij, kërkohet dënimi me 18 milionë lekë gjobë që po me gjykim të shkurtuar zbret në 12 mln lekë. Në nisje të seancës gjyqësore, Abule kërkoi shpalljen e moskompetencës nga GJKKO, por kërkesa iu rrëzua.

Dënim me nga 7 vite burg, organi i akuzës kërkoi edhe për Ina Goxhajn dhe Adela Kondakçiun që akuzohen për pastrim parash. Goxhaj përfiton nga gjykimi i shkurtuar ndërsa për OJF-në e saj , “Frobolous” u kërkua 340 mijë lekë gjobë. Sa i takon Kondakçit, Prokuroria e Posaçme kërkon që dënimi i saj të shuhet pasi ka bashkëpunuar me drejtësinë.

Ndërkohë, për biznesmenin Fatmir Bektashi të akuzuar për korrupsion, SPAK kërkoi 1 vit burg por në fund t’i konvertohet në kryerje e punës në interes publik. Ndërsa për shoqërinë e tij, “Kontakt” kërkohet 600 mijë lekë gjobë.

Kurse për Fatjon Baci, gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, kërkohet 5 vite burg që nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 3 vite e 4 muaj, por në përfundim organi i akuzës kërkon që dënimin ta shlyejë me shërbim prove. Për Frosina Bollon u kërkua 1 vit burg që me gjykim të shkurtuar ulet në 8 muaj burg.

Për ish-deputeten e PS, Klotilda Bushka e cila akuzohet për pengim të drejtësisë, SPAK ka kërkuar dënimin me 600 mijë lekë gjobë e ulur në 400 mijë lekë për shkak të gjykimit të shkurtuar. Me të njëjtën masë gjobe SPAK kërkon edhe dënimin e Flutura Xhanit.

Në konkluzionet përfundimtare, prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani dhanë pretencën si më poshtë
Elman Abule – 7 vite burg, që me gjykim të shkurtuar ulet në 4 vite e 8 muaj burg.
Klotilda Bushka – 600 mijë lekë gjobë, që me gjykim të shkurtuar ulet në 400 mijë lekë.
Ina Goxhaj – 7 vite burg, që me gjykim të shkurtuar ulet në 4 vite e 8 muaj burg; kërkohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit dhe vendosja në shërbim prove për 5 vite.
Fatmir Bektashi (për korrupsion) – 1 vit burg, që me gjykim të shkurtuar ulet në 8 muaj burg; kërkohet pezullimi i dënimit dhe kryerja e punës në interes publik.
Fatjon Baçi – 5 vite burg, që me gjykim të shkurtuar ulet në 3 vite e 4 muaj burg; kërkohet pezullimi i dënimit dhe vendosja në shërbim prove.
Flutura Xhani – 60 mijë lekë gjobë, që me gjykim të shkurtuar ulet në 40 mijë lekë.
Frosina Bollo – 1 vit burg, që me gjykim të shkurtuar ulet në 8 muaj burg; kërkohet pezullimi i dënimit dhe vendosja në shërbim prove për 1 vit e 6 muaj.
Adela Kondakçiu – 7 vite burg, që me gjykim të shkurtuar ulet në 4 vite e 8 muaj burg; kërkohet përjashtimi nga vuajtja e dënimit.
Për kompanitë:
Rametal sh.p.k. – 12 milionë lekë gjobë (me gjykim të shkurtuar)
Kontakt sh.p.k. – 600 mijë lekë gjobë (me gjykim të shkurtuar)
OJF Frobolus –  340 mijë lekë gjobë  (me gjykim të shkurtuar)

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.