TIRANË- Kur akrepat e orës kanë shënuar 13:00, që përkon me përfundimin e afatit për të lëvizur, ushtria ka zbritur në terren, me një mision të veçantë, sensibilizim e qytetarëve për të qëndruar në shtëpi. Report Tv ka shoqëruar autokolonën e ushtrisë nga Zall-Herr, pika e nisjes deri në stacionimin e tyre në pikat kryesore të qytetit, për të monitoruar zbatimin e urdhrit. Arma e tyre e vetme është megafoni, mitralozi është çmontuar, ndonëse nga sot janë autorizuar që të përdorin edhe forcën nëse do të jetë e nevojshme për qytetarët e pabindur.

Kjo pamje do të jetë e përditshme, deri kur armiku i padukshëm i quajtur koronavirus, do të mundet dhe vendi do të çlirohet nga pushtimi i tij. Një fakt i tillë u konfirmuar edhe nga Majori Saimir Germenji, Zv.komandant në detyrë i batalionit, i cili një intervistë për gazetarin Arsen Rusta bëri me dije se ushtria do të jetë në terren, në çdo cep të Shqipërisë, deri sa situata të normalizohet. "Kemi dalë në detyrë me qëllim për të rritur ndërgjegjësimin e popullatës civile, për të sensibilizuar njerëzit duke respektuar oraret e lëvizjes. Do të vijojmë të jemi në terren derisa sa situata të vihet në normalitet. Jemi në të gjithë Shqipëri, veçanërisht në zonat e prekura me COVID-19", tha majori.

Pyetur se përse patrullojnë me makina dhe jo në këmbë, majori tha se kjo është edhe një masë për të shmangur kontaktet me njerëzit dhe për të dhënë një mesazh. "Një nga masat është që të mos kemi në kontakte me njerëzit, dhe makina të krijon këtë përparësi dhe duke dhënë një mesazh sensibilizimi. Në fund, ai ka pasur edhe një mesazh për qytetarët. "Për të gjithë bashkëatdhetarët e mi, kam një mesazh t'u binden urdhrat dhe të qëndrojnë në shtëpi, duke marrë edhe masa mbrojtëse  të kujdesit personal", përfundoi majori në një intervistë për Report Tv.

Pas orës 13:00 në rrugë dhe në sheshe të qyteteve kryesore, siç gazetarët e Report Tv në rrethe kanë raportuar, ka pasur patrulla policie dhe të ushtrisë. Tek-tuk mund të shihej ndonjë qytetarë apo makinë, që po nxitonin për të shkuar në shtëpi. Nga ora 13:00 të ditës së sotme deri në 05:00 të së hënës, nuk do të lejohet të lëvizë asnjë qytetarë dhe asnjë një automjet, në të kundërtën do të ndëshkohen siç parashikohet në Aktin Normativ që ka hyrë në fuqi së fundit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:02
Tirana në shtetrrethim, zbresin në terren shefat e Policisë

1584799418_rebaiu.JPG

Drejtori i Policisë së shtetit, Ardi Veliu, i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi dhe shefi i rrugore, Erjon Ahmetaj kanë zbritur në terren duke monitoruar zbatimin e urdhrit për ndalim qarkullimi pas orës 13:00. Ato janë stacionuar në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", përballë Piramidës të cilët po ndjekin nga afër zbatimin e planit të masave.

Ora 14:01
Në Lushnje, Berat dhe Korçë lëvizin qarkullojnë në rrugë vetëm policia dhe ushtria

Pas orës 13:00, Korça, Lushnje dhe Berati janë boshatisur! Në rrugë nuk ka asnjë qytetarë, përveç patrullave që vijojnë kontrollet e imtësishme për zbatimin e urdhrit.

Ora 13:55
Nga shëtitjet buzë detit e dyndjet në treg paradite...Pas orës 13:00 durrsakët kyçen në shtëpi

Vetëm 30 min pas mbylljes së orarit të qarkullimit, rrugët e Durrësit boshatisen. Asnjë qytetar në rrugë.

Paraditja, kur dhe ishte orari i lejuar para orës 13:00, ofroi një panoramë tjetër në qytetin e Durrës, nga shëtitjet buzë detit familjarisht, dhe në tregje e supermarkete në grumbullime masive.

Ora 13:54
Zbrazet Fieri/ Qytetarët mbyllen në shtëpi

Sapo ora ka kaluar 13:00, rrugët janë boshatisur. Në Fier, rrugët janë bosh. Tek-tuk mund të shihet ndonjë qytetar apo makinë, e cila po nxitojnë për të shkuar në shtëpi. Në terren janë patrulla të policisë dhe ushtrisë.

Ora 13:53
Gëlonte nga njerëzit, vjen ora e gjobës dhe Lungomarja boshatiset!

Shëtitorja në Vlorë që në orët e lejuara për qarkullim gëlon nga qytetarët pa respektuar asnjë masë mbrojtëse e duke mos ruajtur distancën, me të shkuar ora 13:00 është boshatisur nga njerëzit. Kush kapet në rrugë gjobitet me 10 mijë lekë të rinj, por kryeministri Rama lajmëroi edhe masa të reja ndëshkuese.

Ora 13:52
Mbyllet orari për lëvizje/ Boshatiset edhe Lezha, qytetarët nxitojnë për në shtëpi

Në orën 13:00 rrugët e Lezhës janë boshatisur. Edhe ata pak qytetarë që shihen po nxitojnë për të shkuar në banesat e tyre. Policia dhe ushtria kanë shtuar prezencën dhe po ushtrojnë kontrolle nëpër rrugë dhe lagje.

Ora 13:51
Shkon ora 13:00, Shkodra mbyllet në shtëpi

Janë boshatisur rrugët pas orës 13:00 në qytetin e Shkodrës, ndërsa në terren ka dalë makina e policisë bashkiake me thirrje ndaj qytetarëve të fundit për t'u larguar në banesa.