TIRANE- Të rinjtë shqiptarë garojnë denjësisht me ide novatore në fushën e bujqësisë dhe agro-industrisë. Projekti Trans-ballkanik “Rrjeti i inovatorëve të rinj me ide të qëndrueshme në sektorin agro-ushqimor” ose NOBLE-Ideas është një risi për vendin tonë i mbështetur nga Ministria e Bujqësisë. Tërheqja e inovatorëve të rinj, përfshirja në rrjetin kombëtar dhe aq më shumë në rrjetin Trans-ballkanik të inovatorëve të rinj është një ide sa interesante aq edhe me vlera të mëdha për nxitjen e inovacionit në përgjithësi dhe të inovacionit tek të rinjtë e fushës së bujqësisë dhe agro-industrisë.
 
Ndërkohë që profesori Remzi Keco vlerëson këtë organizim si një mundësi për të angazhuar të rinjtë shqiptarë në sjelljen e ideve të veçanta për sektorin e bujqësisë dhe të Agro-Industrisë.

“Një projekt i fokusuar kryesisht në pjesëmarrjen e të rinjve dhe angazhimin e tyre në inicimin e ideve të reja dhe ideve inovative, inicimin e ideve të biznesit dhe në angazhimin e tyre në aktivitetet ekonomike në tërësi”, tha Keco.
 
Pjesëmarrja e biznesit në këtë sipërmarrje, konfrontimi midis asaj çfarë ofrojnë shpikësit e rinj dhe nevojat që biznesi ka për ide të reja inovatore në prodhim, është gjithashtu një iniciativë me vlerë të shtuar dhe me përfitim të dyanshëm.
 
Projekti NOBLE-Ideas mbështeti dhe u dha shanse të rinjve të fushës të afrohen dhe të bëhen anëtarë të rrjetit NOBLE. Drejtoresha për Integrimin Europian Arjana Misha shpjegon se qëllimi i këtij projekti është tërheqja e inovatorëve të rinj në rrjetin kombëtar.

“Qëllimi kryesor i këtij projekti ka qenë tërheqja e inovatorëve të rinj, me ide të reja në rrjetin kombëtar dhe në rrjet trans-ballkanik të inovatorëve të rinj në fushën agro-ushqimore”, tha Misha.
 
Festivali i ideve inovatore, i mbajtur në Tiranë në 26-27 Prill 2014, mblodhi së bashku të gjithë partnerët e projektit, profesorë të universitetit Bujqësor, inovatorë e kërkues shkencorë në fushën e bujqësisë dhe agro-industrisë si dhe studentë që kanë përqafuar sfidat dhe iu tregoi vendeve partnere anëtare dhe kandidate në BE, se dhe të rinjtë shqiptarë janë të gatshëm të garojnë dhe të vihen në krah të njeri-tjetrit pasi kanë njohuritë, dëshirën, nxitjen dhe mbështetjen për të ecur përpara.
 
Projekti bëri të mundur që ekspertë shqiptarë të fushës të marrin pjesë me dinjitet në Vratsa të Bullgarisë me dy projekte mbi Bujqësinë dhe sigurinë ushqimore.
 
Këto dy projekte ishin pjesë e garës prej 14 projektesh që u përzgjodhën midis shumë e shumë të tilla të përgatitur nga ekspertë të vendeve partnere. Të rinj me ide të reja në bujqësi dhe agro-industri morën pjesë aktive dhe u bënë pjesë e rrjetit të inovatorëve të rinj NOBLE. Anisa Çupi dhe Eriola Pacani treguan se me gjëra të thjeshta mund të kontribuojnë në futjen e ideve të reja.
 
Konferenca finale e projektit NOBLE e mbajtur në Timisioara të Rumanisë në 18 shtator 2014, vlerësoi arritjet e projektit në përgjithësi dhe të partnerit shqiptar në veçanti, arritje që përbëjnë një bazë për të vazhduar dhe thelluar iniciativat rinore dhe mbështetja Evropiane do të jetë prezent në iniciativa të reja dhe ekselente.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)