Mbledhja e Byrosë/ Hekuran Isai: Shoku Enver, u gjykuan dhe janë futur në burg, Elham Gjika, Kristofor Mërtiri, si dhe Nesti Kerenxhi, që e morëm…

Mbledhja e Byrosë/ Hekuran Isai: Shoku Enver, u gjykuan dhe janë futur në burg, Elham Gjika, Kristofor Mërtiri, si dhe Nesti Kerenxhi, që e morëm…

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat përmbajnë siglën “Sekret” e “Tepër Sekret” dhe i përkasin një periudhe nga janari i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, ku ndodhet një dosje voluminoze me, proces-verbale mbledhjesh të Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, mbledhje të cilat janë kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Enver Hoxha, ku kanë asistuar: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Rita Marko, Pali Miska, Hajredin Çeliku, Haki Toska, Simon Stefani, Lenka Çuko, Muho Asllani, Vangjel Çerrava, etj., si tema kryesore janë analizat rreth “veprimtarisë armiqësore” të Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, etj.

Në dosjen që disponon Memorie.al, përveç analizës së “veprimtarisë armiqësore të poli-agjentit Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij Beqir Balluku te Kadri Hazbiu”, në mbledhjet e Byrosë Politike dhe takimet ditore të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, janë marrë në analizë edhe veprimtaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, me agjenturën e bashkëpunëtorët e saj, brenda e jashtë vendit, raportet e marrëdhëniet e shtetit shqiptar me vende të ndryshme të botës, si: SHBA-ës, Bashkimi Sovjetik, Gjermania Perëndimore, Anglia, Spanja, Italia, si dhe ato me fqinjët, si Greqia e Jugosllavia e demonstratat në Kosovë, si e paraqiste shtypi botëror Shqipërinë Socialiste, bisedimet me Gjermaninë Perëndimore për pagesat e reparacioneve të Luftës, takimet e bisedat me kryetarët e partive marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës, si Ernst Aust, Zhoao Amazonas, Fosko Dinuçi, etj., lidhur me “vetëvrasjen e Mehmet Shehut”, problemet e emigracionit politik shqiptar, në shtete të ndryshme të botës, e ndryshimin e kursit të shkëmbimit të dollarit në dërgesat, që ata bënin për të afërmit e tyre në Shqipëri e deri te probleme të shumta ekonomike, që nga industria e rëndë, hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin, importi dhe eksporti i energjisë, etj., etj.                            

Dokumenti “Tepër sekret” me proces-verbalin e takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 10 shtator 1983, ku diskutua: “Mbi përfundimin e gjyqit të elementëve armiq të mbetur nga kasta e Beqir Ballukut dhe mbi domosdoshmërinë e përtëritjes së kuadrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të organeve që varen prej saj”.

TAKIM DITOR I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË MË 10 SHTATOR 1983

                       Tepër Sekret

Në këtë takim, në të cilin morri pjesë edhe shoku Hekuran Isai, u diskutua fillimisht mbi përfundimin e gjyqit të elementëve armiq të mbetur nga kasta e Beqir Ballukut dhe mbi domosdoshmërinë e përtëritjes së kuadrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të organeve që varen prej saj, për edukimin e tyre me frymë të shëndoshë partie, për nevojën e gjithashtu të gërshetimit me kujdes të kuadrove të vjetra me të reja edhe në organe të tjera, mbi domosdoshmërinë e vendosjes së një pune të partishme në organet e Punëve të Brendshme dhe mbi kujdesin që duhet të bëhet për të dalluar vërejtjet e drejta nga prirjet me qëllime armiqësore, për kujdesin e një pune parandaluese e shëruese me njerëzit në frymë partie, mbi sigurimin e udhëheqjes së Partisë në organet e Punëve të Brendshme, si dhe për strukturën dhe kompetencat në organet e Sigurimit.

SHOKU HEKURAN ISAI: Kohët e fundit janë gjykuar dhe dënuar disa elementë të tjerë armiq, të lidhur me Kadri Hazbiun dhe me Feçor Shehun, si Lirim Pëllumbi me shokë, u gjykuan pastaj bishtrat e kastës së Beqir Ballukut, si disa ish-gjeneralë që ishin rreth tij, etj.

 

SHOKU ENVER HOXHA: Ish-Drejtori i Drejtorisë së Hetuesisë, është gjykuar?

SHOKU HEKURAN ISAI: U gjykuan edhe Elham Gjika dhe Kristofor Mërtiri dhe tani janë futur të dy në burg.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ish-Shefi i Degës së Brendshme të rrethit të Lushnjes?

SHOKU HEKURAN ISAI: Edhe Kapllan Shehu, si gjithë të tjerët, është gjykuar dhe është futur në burg.

SHOKU ENVER HOXHA: Të gjithë këta elementë armiq, kanë qenë të dorës së dytë, megjithëse, ekzekutorë të krimeve të mëdha.

SHOKU HEKURAN ISAI: Këta tani morën fund të gjithë, siç morën fund bishtrat që patën mbetur nga koha e Beqir Ballukut. Kohët e fundit morëm në hetuesi, edhe Nesti Kerenxhin, i cili na dha shumë gjëra për Kadri Hazbiun.

Por, të them të drejtën, nga gjithë hetimi që iu bë kundër këtij armiku, konkretisht nuk del vazhdimësia në veprën armiqësore, nuk ka gjë në ngarkim të tij, del qartë vetëm fakti, se ka qenë kuadër i Koci Xoxes, por jo që të ketë bërë veprimtari konkrete, prandaj, menduam që t’i japim nja pesë vjet internim.

SHOKU ENVER HOXHA: Le të qëndrojë atje ku është caktuar.

SHOKU HEKURAN ISAI: Domethënë të shkojë atje në Seleinicë.

SHOKU ENVER HOXHA: Pse nuk është atje në Selenicë?

SHOKU HEKURAN ISAI: Jo, ka ca kohë qe Nestin e kemi futur në burg ne.

SHOKU RAMIZ ALIA: Nesti Kerenxhi kohët e fundit është marrë në hetuesi, kështu kemi vendosur dhe biseduar për të, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Atëhere të kthehet prapë në Selenicë, tok me Naxhijen.

SHOKU HEKURAN ISAI: Këta armiq të rrezikshëm, tani i pastruam shoku Enver. Përveç këtyre dhe një pjesë kuadrosh, nga ata që ishin të bishtrave e ish – kryesorëve, i pastruam nga Ministria e Punëve të Brendshme.

SHOKU ENVER HOXHA: Sa të jetë e mundur, Ministria e Punëve të Brendshme, duhet pastruar nga kuadrot e vjetra. Ne nuk mund të themi se të gjithë të vjetrit që kanë punuar në këtë ministri, kanë zhvilluar veprimtari armiqësore, por nga krerët armiq, ata janë edukuar me frymë të sëmurë që, për një kohë të gjatë u është futur në gjak, siç kanë qenë prirjet e tyre liberale në punë, ndaj problemeve që u janë ngarkuar për t’u zgjidhur. Ata gjithashtu ishin liberalë dhe servilë ndaj eprorëve, kurse me vartësit, ishin ekstremistë, sektarë, të ashpër dhe arrogantë.

Kështu, edhe pa qenë armiq, pse sikur thashë se nuk mund të jenë të tërë armiq, gjatë gjithë kohës që këta kanë shërbyer në Ministrinë e Punëve të Brendshme, vepronin në një platformë që u shërbente interesave të tradhtarëve që ishin në krye të këtij dikasteri. Shumë prej tyre, e bënin këtë gjë pa dashje, pa ndonjë qëllim të keq.

 

“Ne mendojmë për mbrojtjen e atdheut, për mbrojtjen e vijës”, mendonin e thonin ata. Megjithatë, edhe në këto situata, nuk të mos i shikonin shumë veprime që bënin armiqtë Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e Feçor Shehu, në kundërshtim me vijën. Unë mendoj që ata duhet të kenë parë sa e sa veprime që nuk kanë qenë në frymën e Partisë, megjithatë kanë heshtur, jo se e kanë ditur se krerët e tyre kanë qenë armiq, po kanë menduar se: “këto veprime i dinë ata që janë lart”.

Sigurisht do ketë ndonjë nga këta që ka vajtur, dhe duhet të ketë vajtur, në mos në ministri, tek ndonjë nga zëvendësministrat për t’u ankuar ose, për të vënë në dukje për shkeljen që mund të kishte vënë re, por ka gjetur te ai, derën e mbyllur, ndofta jo në formë brutale, se armiqtë, si të stërvitur dhe dinakë që ishin, nuk mund të mos i shqetësonin këto sinjale që u kalonin nëpër duar, por, për t’i vënë këta njerëz në pasivitet, u thoshin me finokëri, për t’i neutralizuar, që: “ja po mbajmë shënim, do ta shohim këtë çështje, veçse duhet të mos shpejtojmë”, e të tjera shprehje si këto, që i thonin për të ulur vigjilencën e kundërshtimin e vartësve.

Është pra e qartë për ne, që nuk kanë qenë aspak të shëndosha, qëndrimet e kuadrove që kanë punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Megjithatë, ne duhet të mendojmë, që këta njerëz t’i vendosim diku nëpër punë, se nuk mund t’i hedhim poshtë. Pastaj të kemi kujdes, të mos i heqim të tërë përnjëherësh, nga Ministria dhe nga organet që varen prej saj.

Largimin e tyre ta bëjmë gradualisht, deri sa ta pastrojmë dikasterin dhe organet e Punëve të Brendshme, nga ata që kanë qenë të infektuar me këtë frymë, vetëm se duhet të bëjmë shumë kujdes, që të mos i fusim në një shportë, “mollët e kalbura me të shëndoshat”.

Kohët e fundit, kemi vendosur në Ministrinë e Punëve të Brendshme kuadro të shëndosha, besnikë, të zellshëm dhe të aftë për të punuar, dhe jam i bindur, se ata do të udhëhiqen drejt, për të kryer mirë detyrat.

Por, nuk mund të mbajnë të gjithë kontakt me ty Hekuran, po të lidhen dhe duhet të lidhen për punët dhe problemet që do ju dalin, edhe me zëvendësministrat edhe me kuadro të tjerë me përgjegjësi në ministri. Në qoftë se në ingranazhet e ministrisë do të vazhdojmë të mbajmë kuadro me pikëpamje të vjetra, pa dashur, ata do të bëhen pengesë për punën, se janë mësuar që të punojnë me një frymë të sëmurë, mbasi shumica e tyre ka krijuar një mentalitet të vetin.

Me metodën e dëmshme që kanë mësuar në punë, që ata nuk janë në gjendje ta shohin, do të sjellin pengesa, po të vazhdojnë të qëndrojnë më tej, megjithëse janë të bindur, se; Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu, Feçor Shehu e shokët e tyre kanë qenë armiq, bile këta mund t’i bien edhe gjoksit për këtë.

Megjithatë, me metodën e tyre të punës, ata i qenë adoptuar asaj pune, kur të vendosen në vend kuadro të rinj, këta nuk ka pse të pengohen nga ky kompleks, se nuk janë të infektuar, po të pastër.

SHOKU HEKURAN ISAI: Sigurisht, po të vazhdojnë të qëndrojnë në një detyrë me përgjegjësisë në ministri ose në degët e rretheve një kuadër i tillë, me siguri që do t’i pengojë vartësit.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu është, do t’i pengojë dhe se do t’u transmetojë në punë në atë frymë, me të cilën është edukuar vetë për një kohë të gjatë. Biseduam një ditë me Ramizin, për çështjen që do të them, që mendoj se duhet të ekzistojë edhe në dikastere të tjera. Kudo tani kemi caktuar një mori kuadrosh të rinj, besnikë, të zotë, aktivë, me kulturë.

 

Megjithatë, midis tyre kanë mbetur edhe kuadro të vjetër, me stazh të gjatë në punë, një pjesë e të cilëve janë me shkollë, por, ka edhe pa shkollë, por, duke punuar për një kohë të gjatë në vende me përgjegjësi ku janë, kanë fituar një farë përvoje, por, nuk e kanë atë zgjuarsi, atë kulturë dhe atë hov dhe shkathtësi në punë që kanë të rinjtë, që kemi dërguar tani, të cilët i pengojnë.

Po të analizohet me kujdes kjo çështje, do të shikojmë se edhe për këtë arsye, ka pengesa në punën e aparateve të dikastereve qendrore. Na del kështu përpara, ajo që na ka shqetësuar dhe e kemi thënë shpesh, burokratizmi, që e krijon ai, që nuk ecën paralel me kohën, që nuk bënë përpjekje të përqafoj të renë, që nuk ecën paralel, tok me të rinjtë.

Por, duhet të mbajmë parasysh se, edhe kuadrot e rinj që porsa mbarojnë Universitetin, nuk janë “yje”. Jo, në asnjë mënyrë. Sa të marrin mirë punën në dorë, këtyre ju duhet një farë kohe. Megjithatë, kur të rinjtë dalin nga shkollat, nuk mund të themi se nuk dinë gjë fare, por kur futen në jetë, përpara detyrave të shumta e të vështira që u ngarkohen, mund të humbasin toruan, në qoftë se atje ku caktohen, nuk do të ketë kuadro të tjerë që janë më të vjetër dhe me përvojë që t’i ndihmojnë.

Nga ana tjetër, edhe të vjetrit duhet të kenë parasysh, që në vendin tonë, çdo vit e më shumë vendosen në punë grupe të rinjsh, të cilët duhen ndihmuar dhe shtyrë përpara me dashamirësi dhe jo të vihen nën këmbë, duke thënë për t’i nënvlerësuar:

“More, po ç’kanë mësuar këta në universitet”?! E vërteta është se në shkollat e larta, ata mësojnë shumë gjëra, por që t’i zbatojnë me fryt të tëra ato që kanë mësuar, duhet të fitojnë një përvojë, të paktën prej tre-katër vjetësh, deri sa të ecin me këmbët e veta, deri sa të arrijnë që të zëvendësojnë atë që është më i vjetër, por që ka filluar të mos ecë më me kohën dhe të mos u përgjigjet më kërkesave.

Të tilla fenomene, ndodhin në jetë. Tani ne duhet të mbajmë me bindje nëpër vende kyçe, nga ata kuadro të vjetra që ecin me kohën dhe që i kryejnë mirë detyrat, jo nga ata që, duke u mbuluar me atë që janë të vjetër, dinë dhe disa gjëra dhe kanë një farë përvoje, por çështjet nuk i shikojnë në zhvillim, ose i shikojnë shumë pak në zhvillim dhe nuk i kryejnë detyrat.

Sidoqoftë, për rifreskimin e organeve qendrore, ne nuk duhet të marrim masa e të veprojmë përnjëherësh, çështja është të interesohemi në kohë, së pari për të gjetur kuadro të reja, për t’i ndihmuar dhe përgatitur ata, dhe pastaj, për t’i ngritur në vende me përgjegjësi, ku duhet treguar kujdes për t’i ndjekur të bëhen kuadro të aftë në detyrat që u ngarkohen.

Edhe më të vjetrit, kur nuk ecin dot në postet dhe detyrat që u kanë caktuar, duhet ta kuptojnë vetë dhe t’ua lënë vendin më të rinjve.

SHOKU HEKURAN ISAI: Megjithatë, ka kuadro me stazh që e ndjekin jetën, njohin teorinë, kuptojnë rritjen e kërkesave dhe i kryejnë mirë detyrat, prandaj këta mendoj se, mund të lihen. Me këtë dua të them që, s’duhet të merren të gjithë njëlloj.

SHOKU RAMIZ ALIA: Për sa u përket kuadrove të Ministrisë së Punëve të Brendshme, tani mendoj të shikojmë më parë ata të Degëve të Brendshme nëpër rrethe, sepse në fakt, në ministri janë marrë masa dhe janë bërë ndryshime, duke vendosur në vende me përgjegjësisë kuadro të rinj.

 

Pastaj, vetë Hekurani, është në krye të dikasterit tok me zëvendësministrat, që edhe këta kanë ardhur të rinj dhe të tërë kanë bërë që të ndryshohet koncepti i problemeve, metoda dhe fryma e punës e çdo gjë tjetër e huaj, kurse nëpër rrethe, kemi akoma disa kuadro që mendoj se duhen larguar nga detyra.

SHOKU SIMON STEFANI: Edhe në disa Degë të rretheve, një pjesë të kuadrove të vjetra, i kemi larguar.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mirëpo, kemi hequr vetëm një pjesë të shefave, kurse shumë të tjerë, i kemi lënë akoma.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Ka, ka akoma shumë njerëz për t’u larguar, kështu mendoj edhe unë, shoku Enver. Ka nga ata njerëz që punojnë për një kohë të gjatë në këto organe dhe janë ambientuar me frymë jo të shëndoshë të punës, që ka qenë praktikuar nga armiqtë në to.

SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj mendoj që të shikojmë çështjen e kuadrit në Degët e Punëve të Brendshme të rretheve, ja për shembull, të marrim atë që kemi tani kryetar Dege në Korçë, Marash Kolën. Ky ka qenë përpara po kryetar Dege edhe në Gjirokastër, ka punuar edhe në rrethe të tjera, bile dhe në Korçë ka disa vjet dhe vazhdon të punojë atje, me të njëjtën metodë pune pune që e kanë mësuar.

Unë nuk them se Marashi është i njeri i keq, i mirë është, bile mund të jetë shumë besnik dhe të ketë të tëra cilësitë e kërkuara, por ama si metodë, si koncept të problemeve, ai vazhdon të ecë me të vjetrën. Si ky ka plot në rrethe, prandaj mendoj se ndoshta, duhet shikuar qëndrimi akoma i tyre, në përgjegjësitë që vazhdojnë të mbajnë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Të vëmë më mirë tani disa djem të rinj, në vend të këtyre.

SHOKU ENVER HOXHA: Ka një gjë tani këtu që duhet pasur parasysh. Për të qenë punëtor i mirë i Sigurimit të Shtetit, duhet të kesh të qartë vijën e Partisë, të dish ç’duhet të bërë, që mund të ndryshosh gabimet që janë kryer në këto organe, metodat e huaja që janë përdorur në punë dhe në vend të tyre, të praktikohen metoda të reja, të partishme.

Të marrim çështjen e shefave të Degëve të Brendshme në rrethe, që foli Ramizi. Ata vazhdojnë të zbatojnë metodën e tyre të vjetër të punës, të cilën mendoj se nuk është në gjendje ta ndryshoj dot, vetëm shefi. Natyrisht, shefi i Degës duhet të jetë kryesori që duhet të bëjë kthesën, prandaj në radhë të parë, ky duhet ta kuptojë mirë vijën e Partisë në Sigurim, në të njëjtën kohë duhet t’i bëjë të qartë edhe zanatin.

Po rreth vetes, ai ka një rrjet të tërë rezidentësh e punëtorësh operativë, të cilët kanë në varësi informatorët e tyre. Të gjithë këta bëjnë punën e Sigurimit. Në qoftë se shefi i Degës, nuk ka koncepte të drejta partie dhe nuk e shikon si duhet, në bazë të një analize marksiste, veprimtarinë e mëparshme të organeve të Sigurimit, nuk do të jetë në gjendje të ndryshojë dot metodën e punës me të vetën, me të vartësve dhe jo vetëm të atyre që ka drejtpërdrejt në Degë, por dhe të atyre që ka në të tërë rrjetin e Sigurimit në rreth, pse, është e qartë se të tërë ata janë mësuar të punojnë me frymë të vjetër, të ndjekin vetëm punët, ç’u dalin përpara, dhe të raportojnë vetëm për to. /Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë