Pas socialistëve, edhe PD paralajmëron se do të dërgojë e vetme në Kuvend projektligjin për mënyrën e votimit të emigrantëve.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi tha se në fokus të këtyre propozimeve është mundësia që të gjithë emigrantët të votojnë, deklarojnë apo jo një adresë.
'Për ne vota e diasporës është çështje prioritare. Ka gjithë mbështetjen e grupit parlamentar të PD dhe besojmë që zgjidhja që kanë propozuar përfaqësuesit tanë përmes draftit është zgjidhja më e mirë dhe garanton votën për çdo qytetar që jeton jashtë’- tha Gazment Bardhi.
![]()
Report Tv siguroi draftin që brenda javës opozita do ta depozitojë në Kuvend, me shpresën e fundit se propozimet e saj do të miratohen.
Krahas regjistrimit të emigrantëve, pa patur nevojë për adresën e saktë të emigrantëve, PD kërkon që regjistri i emigrantëve të jetë i ndarë nga ai i zgjedhësve brenda vendit.
‘Lista e zgjedhësve jashtë vendit është një listë e vetme në shkallë vendi dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Regjistrimi i zgjedhësve jashtë vendit realizohet nga KQZ-ja. Procesi i hartimit të listës së zgjedhësve jashtë vendit fillon 100 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 50 ditë para kësaj date.’- thuhet në draftin që Report Tv disponon.
Ndryshe nga PS që po ashtu kërkon votë me postë, në propozimin zyrtar, PD kushtëzon votën e diasporës, me postë private.
‘KQZ përzgjedh me procedurë të hapur një operator postar me eksperiencë dhe reputacion ndërkombëtar që siguron postë të shpejtë”.- thuhet në draftin që Report Tv disponon.
Ndërsa sa i takon numërimit të votave, PD kërkon njëjtë si PS të bëhen në KQZ dhe shpërndarja e votave sipas qarkut ku kanë jetuar.
Një javë më parë, edhe Damian Gjiknuri dërgoi zyrtarisht në Kuvend projektligjin e selisë rozë për votën e emigrantëve.
Gjithsesi, propozimet e PD e PS, duhet të kenë një konsensus më të gjerë sesa pala propozuese, pasi për t’u miratuar duhen 84 vota, të cilët të vetme as maxhoranca dhe as opozita nuk i kanë.
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)