Fjalën hyrëse e ka mbajtur ish-kryetari i grupit parlamentar të PS, '92-'97, Namik Dokle. Pasi ka shprehur kënaqësinë dhe nderin, që i ofron mosha dhe përvoja shumëvjecare, Dokle ka deklaruar të hapur mbledhjen e parë të legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Shqipërisë.
"Kjo legjislaturë nga të rrallat që nis pa bojkot, kjo falë forcave politike këtu, e mbi të gjitha falë popullit shqiptar, që larg zhurmave vendosi me votën e tij të ndryshojë ritmin drejt BE. Vendosi ta bëjë më të mençur, më të shpejtë. Na dha mesazh kundër politikave arrogante dhe plaçkitëse", theksoi në fjalën e tij Dokle.
Pasi kujtoi fjalë të Nënë Terezës mbi dashurinë dhe urrejtjen, Dokle kërkoi bashkëpunim dhe mirëkuptim pozitë-opozitë "se ku mungon mirëkuptimi qëllimet e mira bëhen të padobishme".
"Ju që hyni këtu lini mënjanë mendjemadhësinë, meskinitetin, mosmirënjohjen ndaj njerëzve të thjeshtë", përfundoi fjalën e tij hyrëse Dokle, duke bërë më pas të ditur se tre deputetë, ndër më të rinjtë, do të caktohen të kryejnë sekretarinë e Kuvendit përkohësisht".
E ndër deputetët më të rinj në listën e KQZ u zgjodhën si sekretarë të përkohshëm; Ylli Shehu, Kaljda Gjosha dhe Olta Xhaçka.
Dokle më pas ka lexuar gjithë emrat e deputetëve fitues sipas qarqeve dhe partive politike.
Më pas, kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi shpalli dhe krijimin e një komisioni për verifikimin e mandateve, ku nga PS do të jenë deputetët: Armanda Subashi, Ermonela Felaj, Besnik Bare, Vexhi Muçmata.
Nga LSI - Vangjel Tavo, ndërsa nga PD: Voltana Ademi, Arben Ristani, Gerti Bogdani, Oert Bylykbashi.
Kuvendi do të rimblidhet nesër në orën 11:00.
(Në foto: Namik Dokle duke mbajtur fjalën e hapjes se seances se pare)
PS, LSI DHE PBDNJ, PROPOZIM NISHANIT PËR RAMËN KRYEMINISTËR
Mbështetur në nenin 96, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kryetari i Partisë Socialiste, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, i janë drejtuar Presidentit Bujar Nishani me një kërkesë në emër të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” me anë të së cilës kanë propozuar emërimin e zotit Edi Rama si Kryeministër të Republikës. Njoftimi vjen nga zyra e shtypit të Presidencës.
Ndërkohë, pritet që Presidenti Nishani të dekretojë brenda datës së nesërme, emërimin e Ramës si Kryeministër, ashtu siç ai vetë pohoi në një intervistë të pak ditëve më parë në një media se “me të ardhur propozimi zyrtar nga koalicioni fitues, natyrisht që Presidenti i Republikës do të dekretojë emërimin e Kryeministri të Ri.
PRONONCOHEN AMBASADORËT E BE, OSBE, SHBA
Ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë kanë shprehur pas seancës vlerësimet e tyre për hapjen e punimeve të Kuvendit të ri të Shqipërisë, pjesëmarrësit në të, angazhimet dhe përparësitë e tij.
Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, ai i OSBE-së, Robert Wilton dhe Ambasadori i SHBA-së, Alexandër Arvizu e kanë ndjekur seancën e parë direkt nga salla dhe në përfundim kanë dhënë opinionin e tyre duke e vënë theksin kryesisht tek domosdoshmëria e angazhimit të parlamentit shqiptar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
(Në foto: Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu)
(Në foto: Ambasadori i BE, Etore Sequi)
(Në foto: Ambasadori i OSCE, Robert Willton)
META: OPOZITARË APO VËLLEZËR, SHPREHJE E NJOHUR
I pyetur nëse do të dëgjonte zërin e opozitës në Parlament, Kryetari i ri i Kuvendit, Ilir Meta u përgjigj me: "Opozitarë apo vëllezër, është tashmë një shprehje tashmë e njohur".
(Në foto: Ilir Meta duke folur për mediat)
CELIBASHI: NË SALLË NDJEN PËRGJEGJËSINË
"Celibashi, ju uleni për herë të parë në Kuvend. Cila ishte ndjesia juaj?", ishte pyetja nga "A1 Reprot" për deputetin e PS, Ilirjan Celibashi: "Është herët për të folur për një ndjesi, po kur hyn në atë sallë e ndien përgjegjësinë konkrete", u shpreh ai.
PALOKA: DETYRA JONË - T'U TREGOJMË SHQIPTARË QË GABUAN ME ZGJEDHJET
Kryetari i ri i grupit parlament të PD-së, Edi Paloka u prononcua për gazetaren Joniada Koçi të "A1 Report" pas seancës, duke u shprehur se “kjo ishte një seancë formale, e cila nuk ka gjë për të komentuar, është procedurë rutinë. Unë kam qenë shpesh në opozitë dhe s’e kam fare problem. Unë madje ndihem shumë mirë në opozitë".
Paloka pohoi se jo vetëm ai personalisht, por gjithë grupi parlamentar i PD-së ka detyrë t’u tregojë shqiptarëve, atyre që kanë votuar për këtë mazhorancë, se kanë gabuar dhe atyre që e shitën votën për 50 mijë lekë, se kanë gabuar dyfish. Po ashtu, ne jemi që t’u kthejmë shpresën, anëtarëve të PD-së, se do kthehemi shpejt në pushtet dhe se jemi të aftë t’u japim atë që shqiptarëve u duhet realisht.
"Lidhur me vendimet e Qeverisë sonë, ju them se çdo vendim nga qeveria jonë ka qenë vendim legjitim dhe nëse e kemi fjalën për përballjen, që Rama do ndryshojë çdo vendim të asaj qeverie, sigurisht që ne do përballemi me të, por nuk besoj se Rama do ta bëjë një gjë të tillë", shtoi Paloka.
"Përsa i përket debateve brenda grupit dhe z.Olldashi, më vjen mirë që keni burime brenda PD-së, por nuk ka ndonjë gjë shumë të fshehtë në këtë që thoni pavarësisht se ato që thuhen brenda grupit s’kanë pse komentohen jashtë".
"Është e vërtetë që statusi i PD-së përcakton që kryetari i grupit do jetë dhe nënkryetar i PD-së dhe tani ne jemi në rrethana jo të zakonshme, kur kryetari i PD-së dhe stafi që drejtoi PD-në dhanë dorëheqjen”, deklaroi Paloka.
(Në foto: Edi Paloka, duke folur për Tv "A1 Report"
ORA 17:40 - NIS MBËRRITJA E DEPUTETËVE DHE TË FTUARVE
Pak nga pak rreth orës 17:40 ka nisur mbërritja në Kuvend e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, por edhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe komuniteteve fetare në vend, si atij katolik dhe bektashi në vend.
Ndër ta edhe ambasadori i OSBE, Robert Wilton apo ambasadori i SHBA, Alexander Arvizu.
Seanca u paralajmërua se do të çelej në orën 18:00. Tek dera kryesore e Kuvendit janë rreshtuar në dy anët dhjetë ushtarë të Gadrës, të veshur me uniforma ceremoniale.
Rreth orës 18:00 ka mbërritur kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, i cili është ulur në rreshtin e 4-t. Po ashtu edhe ish-kryeministri Sali Berisha, si dhe ish-Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, të ulur pranë njëri-tjetrit.
Por është parë prania e deputetëve Pandeli Majko, Besnik Bare, Fidel Ylli, Sadri Abazi nga PS. Apo edhe ajo e Kastriot Islamit nga PD apo Fatmir Mediut, Agron Dukës nga PR, Luan Ramës nga LSI etj.
Mbizotëruese në momentet e para kanë qenë mbërritjet e deputetëve të majtë.
(Në foto, deputet të PS dhe kryeministri Edi Rama duke u futur në Kuvend)
Redaksia Online
(mag/ar.sh/a.ç/shqiptarja.com)