Kryesia e PD do të miratojë sot ndryshimet në statut, të hartuara vetëm pak ditë para mbledhjes së Këshillit Kombëtar të 30 majit. Mbledhja e Kryesisë në selinë blu do të nisë në orën 19:00.

Ndryshimet që prekin ‘Kushtetutën’ e selisë blu ende nuk janë bërë publike, por mësohet se nuk do të preket neni “Basha” që detyron kryetarin të japë dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve, që nuk u respektua më 11 maj nga Berisha.

Megjithë kritikat se primaret nuk po funksionojnë, as ky parashikim statutor nuk do të hiqet. Ndryshim mund të pësojë vetëm kuota e detyrueshme për të përfaqësuar kategori të caktuara në listat e kandidatëve për deputet ose kryetarë bashkish.

Ndryshimet e tjera janë të natyrës organizative. Ato do të marrin vulën finale në Kuvendin Kombëtar të thirrur më 30 maj, ku krahas ndryshimeve në statut delegatët do të votojnë edhe emrat për Këshillin e Ri kombëtar.

Mbledhja e Kryesisë vjen pas zgjedhjeve pa garë në PD, pas të cilave Sali Berisha, emri i vetëm në fletën e votimit, u rikonfirmua me 37 mijë e 341 vota.