Berlin-Londër
Ja si u ‘zhdukën’ thesaret e Ballkanit
Si u mpleks Shqipëria në historinë e rrëmbimit të thesarit jugosllav nga gjermanët
Mbreti Zog
Si përvetësoi 355 kg flori
dhe nuk firmosi asnjë shkresë
Fati i floririt shqiptar marrë nga Zogu bashkë me thesarin e gurëve të çmuar e bankënotave në prill 1939…
Në fund të luftës Britanikët deklaruan se thesari qe shpenzuar për njësitë greke të ushtrisë britanike
Si u zhduk në Londër
thesari grek 17.4 ton ar
Ç’rrugë ndoqi thesari i Greqisë dhe si përfundoi ai nga Egjipti në Afrikën e Jugut e deri në Londër.
Udhëtimi i pafat i thesarit jugosllav, i ndarë pjesë-pjesë, dhe përfundimi i tij në duart e gjermanëve
Në 7 prill 1939 imazhi i Ahmet Zogut u rrënua njëhershëm jo thjesht se, ndërsa për një pjesë të madhe të shqiptarëve duhej të përfshihej në një betejë të drejtpërdrejtë ushtarake me pushtuesin, ai u shmang, por veçanërisht edhe për një arsye tjetër.
Për autorin e këtij libri 7 prilli i tij në të ardhmen do të mbetet problematik përherë e më shumë jo vetëm për largimin personal dhe të të gjitha institucioneve të Shqipërisë monarkiste, por si u soll me Thesarin e Shtetit. Në këtë qëndrim të tij mund të vështrohet akoma më qartë çfarë mendimi kishte ai për modelin e shtetit të vet katërmbëdhjetë vjeçar dhe, po të mos e prishte dhunshëm Italia, si në të ardhmen do ta mbante në këmbë atë.
Doemos që Thesari i Shtetit, i depozituar në Bankën Kombëtare në Tiranë, nuk i duhej lënë italianëve. Mosveprimi do të ndëshkohej rëndë nga historia. Të paktën, në pamundësi për të sabotuar rrugë apo ura, depo ushtarake ose objekte të tjera strategjikë, heqja e asaj pasurie monetare nga rënia në duart e pushtuesit, për aq sa ndikonte, mund të ishte gjesti i vetëm i luftës kundër tyre.
Dhe që të ishte saktësisht i tillë, 183 kilogramët e shufrave të florinjta, bashkë me gjithçka tjetër, gurë të çmuar dhe bankënota, Ahmet Zogu duhej t’i largonte nga Shqipëria bashkë me autokolonën e tij. Thesaret shtetërore nuk iu lanë pushtuesve gjermanë edhe prej mbretit jugosllav dhe atij grek. Por mosngjashmëria e veprimit të gjithsecilit monark mes tre rasteve është tepër e thellë.
Thesari i shtetit helen u largua nga Banka e Greqisë në ato ditë të prillit 1941 kur gjermanët në sulmin e tyre të stilit “rrufe”, patën depërtuar thellë në terren, edhe pse gjithkund u bëhej qëndresë e fortë. Operacioni i largimit të tij nisi kur pushtuesit iu avitën vijës mbrojtëse Mali i Olimpit-Lugina Tempe, që ndodhet në Thesali, çfarë paralajmëronte një shpërthim të tyre të shpejtë drejt Athinës.
Zhvendosja e thesarit u krye me urdhër të kryeministrit Emmanouil Tsouderos dhe me dijeni të mbretit Georgios II. Zbatohej rreptësisht një rregull, sipas të cilit, në rrethana rreziku prej një ndërhyrjeje të huaj, rezervat monetare të shtetit, përfshi edhe ato private, mes tyre edhe të familjes mbretërore, transferoheshin në “territore jo të pushtuara”. Në mesprill 1941 si i tillë u zgjodh Kreta. Me të gjithë operacionin e mbartjes u mor governatori i Bankës së Greqisë, Kyriakos Varvaressos. Grupi i punës përfshinte zëvendësin e tij si edhe tre administratorë. E tërë ngarkesa e Thesarit të Shtetit përbëhej nga 611 mijë once ar ose rreth 17.4 tonë.
Transportimi për në portin e Pireut u krye me fshehtësi të plotë. Këtu u mbartën menjëherë në torpedinierët gjuajtës “Mbreti Georgios II” dhe “Mbretëresha Ollga”. Në ishull u zbarkuan në portin Heraklion. Më pas u depozituan në godinën lokale të Rojës së Financës. Duke qenë se, pas pushtimit të pjesës kontinentale të Greqisë, pritej sulmi gjerman për marrjen e Kretës, prej këtej u organizua operacioni i largimit të thesarit për në Egjipt. U quajt “Mërkur”.
U realizua në 23 prill, në kushtet e një sulmi të papushuar nga avionët gjermanë Stuka. Veçanërisht ai bombardim u bë i ferrshëm në Gjirin e Kretës Jugore, ku, me motorë të ndezur, prisnin të merrnin thesarin kryqëzori anglez “Didone” si edhe anija ndihmëse e Flotës Mbretërore Britanike, korveta “Salvia” (K97). Në çastet e ngarkimit u zhvilluan luftime për jetë a vdekje. Edhe pse grekët zotëronin vetëm mitraloza të vegjël kundërajrorë, ia dolën të rrëzojnë dy aeroplanë gjermanë. Kur më në fund të 17.4 tonët me ar dhe gjithçka tjetër në monedha apo bankënota, u fut në kryqëzorin “Didone”, me shpejtësinë më të madhe ky mori rrugën e Egjiptit.
Gjatë këtij udhëtimi të ngutshëm nuk ndodhi asnjë incident, përveç rënies mbi kuvertë të një arke dhe përhapjes së floririt mbi të. “Didone” mbërriti në portin e qytetit Aleksandria brenda po asaj dite. Thesari u vendos në Kajro, në Bankën e Egjiptit. Por duke qenë se ato kohë, nën komandën e të famshmit mareshal Romel, gjermanët po marshonin me sukses drejt Afrikës së Veriut dhe rrezikonin të merrnin Egjiptin, u vendos rimbartja e Thesarit për në një vend tjetër më të sigurt. Si e tillë u përcaktua Afrika e Jugut. Në një farë mënyre pasuria monetare e shtetit grek u zgjodh të shkonte pas mbretit, sepse ky ndërkohë pati shkuar këtu bashkë me të motrën Katerina, të vëllanë Pavlos, të shoqen e tij Frederika dhe dy fëmijët e tyre.
Gjatë periudhës së shkurtër që Georgios II ndenji në këtë vend ari u kthye në lingota dhe gjithçka qëndroi e patrazuar në Bankën e Afrikës së Jugut (“Sud Africa Reserve Bank”). Kur mbreti shkoi në Londër pranë qeverisë greke në mërgim, nga pas i erdhi edhe Thesari, duke u depozituar në bankën vendase.
Gjersa mbaroi lufta ai nuk u cenua nga përfaqësuesit e ligjshëm të shtetit helen dhe natyrshëm, tashmë që Athina kishte qeverinë e saj, ai u kërkua të rikthehej atje, prej ku në 1941 pati nisur, për t’u ruajtur dhe mos rënë në duart e fashistëve. Mirëpo autoritetet bankare angleze i njoftuan se prej 17.4 tonëve nuk pati mbetur asnjë gram flori.
Kur qeveria helene kërkoi sqarim morën si përgjigje shpjegimin se i tërë Thesari ishte shpenzuar për njësitë greke të ushtrisë britanike, që sipas një marrëveshjeje të përbashkët të 2 marsit 1942, patën luftuar gjermano-italianët në Lindjen e Mesme. Por në Athinë kundërshtuan, duke argumentuar se kjo nuk kishte bazë ligjore. Pas këmbënguljes së parë nervozizmi i qeverisë antikomuniste helene filloi të binte. Anglia ato kohë të vështira po e ndihmonte të shtypte lëvizjen e armatosur komuniste partizane, të nxitur nga sovjetikët dhe të mbështetur prej jugosllavëve. Ku nuk mungonin edhe autoritetet e Tiranës.
Thesari Jugosllav
Kryeministri jugosllav Dragisha Cvetkoviç dhe regjenti Pal, edhe pse para historisë së vendit të tyre, për lëshimin që i bënë Adolf Hitlerit me pranimin e pjesëmarrjes në Boshtin Fashist, gjykohen si “klika tradhtare”, kanë kryer fshehtas edhe një veprim të kundërt, antigjerman dhe në favor të atdheut të tyre. Në 17 mars 1941 ata organizuan largimin nga Beogradi, për t’u mbartur në Londër, të të gjithë Thesarit të Shtetit. Kjo ndodhi kur regjenti, pas takimit shtrëngues që i bënë në 4 dhe 5 mars në kështjellën-rezidencë të kryenazistit, Hitler në Berghof, ende nuk e pati pranuar nënshtrimin dhe dërguar në Vjenë për ta nënshkruar, siç realisht ndodhi në 25 mars, kryeministrin dhe ministrin e jashtëm.
Për transportimin e Thesarit drejt Malit të Zi, nëpër natën e 17 marsit 1941, u përdorën 57 kamionë të mëdhenj. Ngarkesa u mor nga Banka Kombëtare e Mbretërisë së Jugosllavisë dhe në të qe vendosur i gjithë fondi në ar, madje edhe një pjesë që ruhej nga koha e Perandorisë Osmane. Po ashtu ndodheshin pare në valutë: dy milion stërlina, rreth gjashtë milion dollarë, tetëqind mijë franga zvicerane, po kaq monedha e bankënota turke, italiane, hungareze, belge, holandeze. Brenda arkave gjendeshin edhe “fondet e zinj”, financime ilegale që nuk regjistrohen kurrë. Në kaseta të blinduara ruheshin depozita private, sasi e shumtë bankënotash sidomos në dinarë, të gjitha të mbledhura shpejt e shpejt, në atë mesmars 1941, nga arkat e ministrive, të zyrave qeveritare apo të bankave të tjera publike.
E tërë kjo pasuri e jugosllavëve ishte sistemuar në rreth 1.300 arka druri të mbyllura mirë dhe të vulosura, mbi njërën faqe të së cilës shkruhej “Banque Nationale Royaume de Jugoslavie-Caisse Centrale”. Këto qenë dy tipash dhe, ndërsa njëri lloj mbante 45 kilogram ar të derdhur në shufër, tjetri dhjetë kg më shumë. Kështu vetëm flori qenë 60 tonë. Në fund të autokolonës pasonin tetë makina që mbanin, në dyqind arka me përmasa të mëdha, tituj privatë, aksione, obligacione si edhe letrat e kreditit. Në këtë ngarkesë që nxitonte të shkonte drejt jugut gjendeshin edhe dy milion stërlina të dhëna drejtpërsëdrejti nga Foreign Office i Britanisë së Madhe dhe që ishin planifikuar, pa e ditur qeveria Cvetkoviç, për grushtin e shtetit që do të ndodhte në 27 mars, me përmbysjen e tij dhe të regjentit.
Në komandë të këtij karvani top sekret ishte një kolonel i Shtatmadhorisë së Ushtrisë. Grupi i armatosur shoqërues përbëhej prej një gjysmë batalioni trupash besnike. Në Malin e Zi i gjithë Thesari i Shtetit do të vendosej në zonën Nikshiç-Trebinjë, saktësisht në bazën detare të mbrojtur mirë të Katarit. Atje do të ngarkoheshin në dy nëndetëse angleze. Ndërkaq karvani udhëtoi, por duke bërë shumë qëndrime për shkak të rrethanave të pasigurisë, plot dhjetë ditë. Ishte parashikuar që para se të ngarkohej në nëndetëse, në pritje të ardhjes së tyre, e gjithë ajo pasuri kombëtare do të fshihej në vende të ndryshme.
Njëri, ai që mund të mbrohej lehtë, do të ishte kryesori. Ndodhi fillimisht që një pjesë e Thesarit u depozitua në dy vendstrehime të posaçme të regjentit Pavle, por më pas u hoqën prej andej, për t’u depozituar diku tjetër. Ndërkohë arkat që mbanin titujt privatë u shkarkuan, me shpresë që nëpërmjet detit mund të largoheshin të parat, një pjesë në Raguzë, të tjerat në Trebinjë, pranë portit të Kotorit. I gjithë floriri, ndërkaq, u fsheh në një shpellë të madhe natyrale, e cila ndodhej dy kilometra nga Nikshiçi, në rrugën që të çonte për në Manastirin e Ostrogut. Komandanti i autokolonës e maskoi mirë hyrjen e shpellës, në pozicione të fshehta vuri dy mitraloza të rëndë si edhe instaloi një central telefonik që lidhej me Beogradin. Njëqind ushtarë dhe xhandarë të armatosur deri në dhembë u vendosën përreth në rojë.
Historia e thesarit jugosllav dhe e fatit të tij, që prej këtij momenti, do të plekset edhe me Shqipërinë. Ndërsa gjermanët tashmë e kishin sulmuar Beogradin dhe pas rezistencës së hutuar, në 10 prill, Qeveria, Kurora Mbretërore, Komanda e Lartë dhe përfaqësitë diplomatike ndodheshin të ikura në Sarajevë, ambasadori anglez Ronald Campbell, nëpërmjet radios, hyri në kontakt me komandën në Kajro dhe kërkoi t’u dërgoheshin sa më shpejt mjete detare për të larguar sa më shpejt të paktën Oborrin Mbretëror dhe Thesarin.
Të nesërmen, kur dymbëdhjetë ambasadat e huaja mundën të mbërrinin në Kotor dhe Raguza, gjetën hidrovolante të mëdhenj të aviacionit britanik, të cilët i morën dhe i transportuan në Egjipt. Kështu territori i Malit të Zi dëshmoi se mund të funksiononte mjaft mirë si bazë e largimit e përfaqësuesve të institucioneve kryesore të Jugosllavisë, patjetër edhe e Thesarit. Ishte kjo arsye që kjo hapësirë ende e pa pushtuar malazeze zotëronte statusin si në rastin grek qe Kreta. Për ta mbajtur atë sa më larg pushtimit dhe ndërsa nazistët akoma ndodheshin në veri të vendit dhe nuk qenë të pranishëm as aleatët e tyre, italianët, të cilët luftonin në kufirin me Greqinë, shtatmadhoria jugosllave organizoi “Grupin Zeta”.
Në përbërje të tij kishte katër divizione të armatosur fuqishëm. Urdhri që iu dha ishte të sulmonte Shkodrën, madje të depërtonin deri në Shqipërinë e Mesme. Objektivi qe thjesht një manovër e përkohshme për të përfituar kohën e mjaftueshme që nëpërmjet detit të evakuoheshin qeveria, ambasadat, hierarkët e lartë ushtarakë e sidomos paratë e Thesarit. Mirëpo nëpërmjet informatorëve të zbulimit ushtarak Benito Musolini e mori këtë të dhënë dhe përgatiti kundërverimin. Urdhëroi dërgimin në veri të Shqipërisë të të gjitha forcave të domosdoshme për mbrojtjen sa më të vendosur të Shkodrës.
Ishte nata mes 14 dhe 15 prillit kur koloneli në komandë të ruajtjes së Thesarit, pasi mori urdhër, organizoi grumbullimin e tij, prej çdo vendi ku qe fshehur, në bazën kryesore, shpellën e madhe. Sërish kamionët u ngarkuan dhe pastaj përsëri u shkarkuan. Të gjitha arkat u rinumëruan një për një, në prani të një punonjësi civil të Bankës Kombëtare të Mbretërisë së Jugosllavisë. Mbartja tjetër, ajo që do t’i afronte në buzë të detit për të ikur drejt bazave angleze, nisi nëpër mbrëmjen e 16 prillit, me grupe prej shtatë apo tetë makinash. Pasi ato mbusheshin me arka, rendnin në drejtimet e paracaktuara: Trebinjë dhe Kotor, Raguza dhe Tivar.
Një pjesë për në Nikshiç. Ishte edhe vetë ambasadori britanik Ronald Campbell që shoqëroi një nga këto autokolona të vogla për në Herceg Novin e sotëm, i vendosur tamam në daljen detare të fjordit të gjatë të Kotorit. Me të gjithë bashkëpunëtorët e tij ai u strehua në hotelin e qytezës, në pritje të mbërritjes së premtuar të mjeteve lundruese. Veç, ndërsa nëndetëset britanike nuk po dukeshin, me një operacion të rrufeshëm divizioni italian “Messina” pushtoi Herceg Novin. Kapi rob edhe vetë Kampbell me personelin tjetër të ambasadës. Sasia e arkave të Thesarit që u kapën, shufra floriri, qenë tridhjetë e katër, secila me peshë nga pesëdhjetë deri tetëdhjetë kilogram. Ishin të mbyllura me vulë të argjendtë.
Lajmi i gëzuar iu dha menjëherë Romës dhe Ministria e Kulturës Popullore pa u vonuar ia shpërndau shtypit italian. Titujt që dolën të nesërmen denonconin manovrën britanike për ta rrëmbyer, në kompromis me mbretin jugosllav Pjetër II, të gjithë thesarin e hequr fshehurisht nga Beogradi me qëllim dërgimin në Kajro.
Në mëngjesin e herët të 19 prillit kjo ngarkesë, pasi erdhi një kamion ushtarak i posaçëm, u nis drejt Tiranës. Në aeroportin e kryeqytetit shqiptar e morën dy avionë S.81 dhe e shkarkuan në Itali, në aerodromin e Foxhës.
Ndërkaq afër mesnatës së 21 prillit, pa e ditur se Herceg Novi kishte rënë me kohë në duart e italianëve, në gji u futën dy nëndetëse britanike dhe ndërsa njëra qëndroi në brendësi të ujërave, tjetra, ajo me emrin “Regent”, iu avit bregut. Sapo ankoroi, komandanti i saj e kuptoi menjëherë që zona ishte e pushtuar dhe ngriti flamurin e bardhë. Megjithatë, pa iu shmangur edhe një përleshjeje fizike, arriti të mos u bjerë në duar italianëve e pas pak u zhyt në ujëra, duke u larguar.
Pak orë më pas një njësi tjetër e “Grupit Zeta” zbuloi edhe shpellën natyrale dy kilometra larg Nikshiçit. Koloneli jugosllav që kish komanduar operacionin e transferimit nga Beogradi për në Malin e Zi, me të kuptuar rrezikun që pasuria monetare e vendit të tij, për ngathtësi të anglezëve, do të binte në duar të fashistëve, kishte hedhur në erë një pjesë hyrjes së shpellës dhe prej këtij shpërthimi shumë arka patën marrë flakë. Sidoqoftë italianët gjetën njëqind të paprekura. Suksesi i tyre ishte arritur në kohën e duhur, sepse në kërkim të Thesarit ishin vënë edhe gjermanët.
Transportimi i njëqind arkave drejt Italisë, ndërsa u qenë venë në gjurmë bashkë me hitlerianët, edhe anglezët, u krye nën vëzhgimin e oficerëve të shërbimit të fshehtë ushtarak SIM. Për ta realizuar në mënyrën më konspirative të mundshme një pjesë e tyre mori drejtimin e Tiranës, prej ku menjëherë u mbart në qytetin e Vlorës. Prej këtej u kapërcye, pjesë-pjesë, në bregun e përtejmë me rrugë ajrore dhe detare.
Mënyra e transportimit vendosej në minutën e fundit. Një sasi tjetër e njëqind arkave shkoi drejt Raguzës dhe u ngarkua në anije. Sasia e tretë u maskua si ushqime dhe shkoi drejt veriut të Jugosllavisë nëpërmjet një treni të zakonshëm mallrash. Kështu hyri në Itali.
Gjermanët ia dolën ta rrëmbejnë Thesarin jugosllav vetëm pas 8 shtatorit 1943, kapitullimit të Italisë fashiste. Shufrat e floririt të Beogradit i kapën në Romë, atje ku ruheshin, në bankë. Qenë 8 tonë dhe 329.9 kilogram.
Këtë herë, të paktën, Vittorio Emanuele III, që pati vrapuar drejt Brindisit në ikjen e tij turpëruese, kishte bërë edhe një punë të mirë. Thesarin e gurëve të çmuar të familjes mbretërore ia kishte lënë detyrë ministrisë përkatëse ta fshihte. Gjermanët kishin marrë urdhër të prerë nga Hitleri ta gjenin me çdo kusht dhe ta mbartnin menjëherë në Berlin. Pasi e pushtuan shumicën e territorit italian ata kërkuan mos ai ndodhej në Romë, Milano apo Torino. Nuk e pikasën dot. Ky thesar gurësh të çmuar gjendej në Romë. Nga Banca d’Italia ishte futur brenda një kasete dhe pastaj murosur në një kthinë të thellë nëntokësore të pallatit mbretëror, Kuirinale. Ai ruhet edhe sot, madje me objektet e tij vitet e fundit u bë edhe një ekspozitë.
I ndryshëm është fati i Thesarit të plotë të Vitorio Emanuele III dhe i dinastisë së tij. I përbërë nga 363 arka me brenda plot 300 kuintalë, që nga sendet e çmuara, deri edhe piktura, një koleksion i famshëm monedhash, dokumente të rëndësishme e kujtime familjare, fillimisht ai u fsheh larg Romës, në një vilë pronë e monarkut. Por u zbulua nga gjermanët dhe më pas, në rrethana mjaft të dyshimta, u zhduk. Sipas historianëve italianë në këtë rrëmbim hitlerianët nuk kanë marrë pjesë. Flitet me këmbëngulje se pas këtij veprimi fshihet dora e vetë Vittorio Emanuelit, nuk ka pak dyshime edhe për të tjerë vendas.
Pas pushtimit gjurmët u duk se i humbi, po ashtu, edhe vetë thesari i shtetit italian. Më pas gjithçka u sqarua: qe dërguar në Berlin. Qenë 173 ton flori.
Kur nazistët pushtuan Beogradin dhe vunë nën kontrollin e tyre institucionet kryesore të vendit mbetën pa mend kur panë se midis dokumenteve të dy thesareve të Jugosllavisë, ai i familjes mbretërore, krahasuar me të shtetit, ishte një shembull i jashtëzakonshëm transparence dhe korrektese financiare. Prej të dhënave që gjetën aty zbuluan madje se ku mund ta gjenin. Ai nuk qe transferuar me autokolonën e 17 marsit 1941, para pushtimit, por kur gjermanët kishin hyrë në territorin e vendit, në 12 prill patën marrë Beogradin, që në datën shtatë Shkupin dhe në 15 prill, kur mbreti u largua me shpejtësi drejt Malit të Zi, edhe zotëruar Splitin.
Autokolona ikse e monarkut përbëhej prej 35 kamionëve të mëdhenj, ku nuk mungonte një autobot benzine si edhe një transportues i blinduar. Këtu u fut i gjithë thesari mbretëror, i cili përbëhej prej gjashtë thasësh prej kanavace. Këta mbanin 400 milion dinarë, të gjithë në bankënota njëmijëshe. Po ashtu qenë edhe dy arka të rënda me monedha floriri, me një vlerë prej njëqind milion dinarësh. Dy arka të tjera kishin gurët e çmuar të familjes mbretërore.
Natën midis 15 dhe 16 prillit Pjetri II e kaloi në territorin malazez, në Manastirin e Ostrogut. Në mbrëmjen e kësaj të fundit, pas një bisede të gjatë me patriarkun Gavrillo, ai zbriti nga mali Ostrog me vetëm 15 milionë dinarë. Pasi arriti në Nikshiç hipi në një aeroplan bombardues jugosllav dhe doli jashtë kufirit. Pasuria e tij mbeti në Manastir, i futur në një shpellë të vogël. Në 25 prill një komando gjermanësh SS, me një avion të posaçëm, parashutoi në manastir, arrestoi patriarkun Gavrillo dhe mori të gjithë thesarin mbretëror. Qenë plot 385 milion dinarë si edhe të gjitha gurët e çmuar, një pjesë shenja të domosdoshme të riteve dhe ceremonive të detyruara monarkike.
Sipas studiuesve, Ahmet Zogu në ikje tërhoqi nga Banka Kombëtare e Shqipërisë një vlerë të çmuar përafërsisht me shifrën 567 mijë franga ar. Këto përbënin 183 kilogram flori. Sipas drejtorit të Thesarit, Kel Naraçi, në bankë kjo pasuri ndodhej në “Llogarinë relative të pafrytshme metal-ar në roje”. Ishte çelur në datën 23 tetor 1937, për llogari të Oborrit Mbretëror, jo të Shtetit. Në 6 shkurt 1939 aty herë pas here qenë futur shufra floriri me vlerën 643 535 franga ari ose 209 kilogram.
Këto shtesa ishin përfituar nga doganat e vendit si edhe prej kursit të këmbimit të floririt me kartëmonedhat. Kjo do të thotë se qenë shtuar prej veprimtarive shtetërore. Nga shuma e përgjithshme, thonë vëzhguesit shqiptarë të kësaj teme, kishin dalë 200 mijë franga ari të shpenzuara për ceremoninë e martesës së Mbretit Zog si edhe kremtimet e 10-vjetorit të Shpalljes së Monarkisë, prill dhe shtator 1938.
E para përfaqësonte detyrim privat, të thesarit personal të Zogut, e dyta shpenzim të përballueshëm nga thesari i Shtetit. Sipas dokumenteve zyrtare, ministri i Financave Kolë Thaçi, në 31 mars 1939, ka autorizuar tërheqjen nga “Llogaria relative e pafrytshme metal-ar në roje”, të 448.535 frangave dhe më 3 prill të 450.000 të tjerave. U shkrua se do të përdoreshin për shpenzime të jashtëzakonshme të forcave të armatosura. Sërish për këtë qëllim, në 6 prill, u urdhërua marrja e 200.000 frangave ari. Ndryshe nga dy tërheqjet e para, kjo e fundit është kryer pa lënë asnjë dokument të firmosur.
Shënojmë se të tri shumat, përafërsisht një milion e njëqind mijë franga, përbëjnë 355 kilogram flori.
Nuk përjashtohen përdorime të kësaj sasie për qëllime mbrojtëse, por duke pasur parasysh rezultatin dhe në 7 deri 9 prill mosveprimin real masiv të forcave të armatosura, një pjesë jo e vogël duhet të jetë shpërdorur. Nga justifikues të veprimeve financiare të Ahmet Zogut është folur për një plan të tij në përgatitjen luftarake të 17 mijë vetëve dhe deri për 20 mijë pushkë të groposura në relievin malor të Matit. Këto do t’i përdorte për aksionin e tij të rezistencës nga brenda. Treçerek shekulli ka kaluar që atëherë dhe asgjë e tillë nuk është provuar dot si e vërtetë.
Në relacionin që Kel Naraçi la të shkruar në datën 6 qershor 1939 dëshmon se sa të vështirë e kishte të siguronte një firmë për të gjithë thesarin që u mor. Askush prej ministrave, as edhe vetë kryeministri, nuk nënshkroi. U gjet për këtë punë një major, adjutant favorit i mbretit. Ahmet Zogu, i cili e mori nën zotërimin e tij këtë pasuri dhe e shpenzoi më pas, nuk hodhi asnjë firmë. Po ashtu, kur e kaloi kufirin shqiptar, nuk e regjistroi thesarin e marrë as në doganën e vendit të vet dhe as në atë të shtetit grek.
Sipas kolonelit Faik Quku, monarku shqiptar në autokolonën me 45 vetura zyrtare dhe disa makina me ushtarë të Gardës, “kishte me vedi nji kamion me 18 arka flori”. Sipas historianit austriak Hurbert Neuëirth “Mbreti Zog, i shfuqizuar, u largua nga foleja e tij shqiptare me 50 mijë dollar ar.
Dy milion dollarë të tjerë i kishte depozituar që më parë në “Chase National Bank”. Jason Tomes shkruan: “Ai udhëtonte gjithnjë me nëntë a dhjetë kasaforta jashtëzakonisht të rënda e të mëdha, të cilat mbaheshin në ruajtje të vazhdueshme. Ato përmbanin shufra ari, të cilat u bënë legjendë në shtypin e kohës, aq sa asnjëherë Zogu nuk përmendej, veç për valixhet misterioze, të cilat thuhej se përmbanin thesarë të mëdhenj, duke përfshirë edhe gurët e çmuar të kurorës mbretërore, që vlenin më tepër se 1 milion paund. Raportet e llogarive të bankave franceze e zvicerane përforcuan dyshimet e përhapura se ai ishte një milioner në stërlina.
Disa madje e llogarisnin pasurinë e tij nga 4 deri në 6 milion paund. Komenti i tij: “Unë do të doja të isha aq i pasur sa kritikët e mi thonë që jam”. Sipas studiuesve në dokumentet angleze thuhet se monarku shqiptar me të pesëdhjetë oborrtarët e tij nuk do të lejoheshin të hynin në Britani nëse ai nuk deklaronte volumin dhe shumën e sendeve të çmuara që mbarte me vete. Dihet gjithashtu që deklarata shpjeguese e Ahmet Zogut për mënyrën se si veproi me Thesarin ka qenë “Më mirë që i mora unë sesa t’i lija në dorë të Musolinit...” Ndërkaq i biri i tij, Leka, është deklaruar se vlera e marrë në Bankën Kombëtare të Shqipërisë ishte vetëm Thesari i Kurorës, kurse Thesari i Shtetit ndodhej në një bankë italiane në Romë.
Ky është një shpjegim i paqartë i asaj që ka ndodhur, sepse në rast se vërtet thesari i shtetit shqiptar ndodhej peng në Itali, atëherë Ahmet Zogu është përgjegjës për lëshim të plotë të sovranitetit të vendit shumë më përpara se 7 prilli 1939.
Është tepër e kuptueshme që dy thesaret Zogu qëllimisht nuk i ka mbajtur të ndarë dhe me një emër llogarie të çfarëdoshme i ka përfshirë në pasurinë e tij personale. Kjo ka qenë edhe arsyeja përse nuk rezulton të ketë kthyer prej asaj që mori, as ai, as i biri, madje as edhe i nipi, qoftë edhe vetëm një monedhë, sikur edhe qindarkë.
Marrë nga libri i ri i studiuesit Ylli Polovina "Zog, pse ike"