TIRANE- Me të shtëna topi e nderime eshtrat e Mbretit Zog u varrosën sot në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore ku do të prehen eshtrat e Nënës Mbretëreshë, Sadije, Mbretëreshës Geraldine, Mbretit Leka, Mbretëreshës Susan dhe të anëtarëve të tjerë të Familjes Mbretërore Shqiptare.

Eshtrat e Mbretit Ahmet Zog që prej 1961 preheshin në Paris, ndërsa një ditë më parë mbërritën në atdhe.  Në ceremoninë e rivarrimit morën pjesë dhe President i Republikës Bujar Nishani dhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga të cilët vlerësuan prehjen në atdhe të eshtrave të mbretit Zog si një detyrim moral dhe hyjnor.

Rreth orës 09: 27 kortezhi me arkivolin e Mbretit Zog doli nga banesa e Familjes Mbretërore për t'u drejtuar në Pallatin e Brigadave, dikur Pallati Mbretëror, ku u  zhvilluan homazhe  nga ora 10.00 deri në orën 12.00 të paradites. Pas ceremonisë, arkivoli u transferua  tek Mauzoleumi i Familjes.  Trashëgimtari i Ahmet Zogut në Shqipëri, Leka Zogu II, bashkë me të fejuarën zonjën Elia Zaharia pritën të ftuarit në ceremonialin e sotëm në Pallatin e Brigadave. Më pas eshtrat e Mbretit Zog u prehën në Mauzoleumin e familjes Mbretërore. PS bojkoi ceremoninë duke zhvilluar homazhe pranë Ushtarit të Panjohur në përkujtim të 68 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Ceremonia e vendosjes së eshtrave në banesën e fundit u shoqërua me të shtëna topi. Në orën 19.00 deri në orën 20.30 Presidenti i Republikës do të shtrojë një darkë për pjesëmarrësit dhe familjarët në Pallatin e Brigadave.

CEREMONIA NE MAUZOLEUM

Në ceremoninë e rivarrimit morën pjesë dhe presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga të cilët vlerësuan prehjen në atdhe të eshtrave të mbretit Zog si një detyrim moral dhe hyjnor.

“Prehja në tokën tonë e atyre që u përpoqën për shtet ndërtimin është një amanet i mbetur peng që ne duhet ta kryejmë me nder e krenari. Me këtë akt dëshmojmë urtësinë. Eshtë  detyrim i ynë moral dhe hyjnor.  Shqipëria në udhëheqjen e naltmadhërisë nga një vend i varfër e i pazhvilluar, fisnor e i përcarë u bë një vend modern i kohës, me shtrirje të pushtetit dhe administratës në secilin cep, me tolerancë fetare, shembull për vendet e tjera. ” tha Jahjaga.

Më pas e mbajti fjalën presidenti Nishani i cili vlerësoi si "gjest fisnik, detyrim moral dhe patriotik" në prag të 100 vjetorit të pavarësisisë.
"Sot në prag të 100 vjetorit të pavarësisisë, është gjest fisnik, detyrim moral dhe patriotik që eshtrat të prehen në vendin të cilit ai i kushtoi vitet më të mira të jetës, në vendin ku pati edhe kundërshtarë por ku kujtesa e popullit do ta mbante gjallë emrin e tij. Historia e vendit tonë nuk është boshe. Kthimi i eshtrave tregon që shteti ndërton të ardhmen duke marrë më të mirën e mundshme nga e shkuara dhe e sotmja”- tha ai.

Nishani tha se Zogu “Ishte mbreti real i shqiptarëve të porsadalë nga mesjeta” i cili “la të hapur shumë diskutime por jo faktin që ishte një personalitet”
"Eshtë gjest fisnik, detyrim moral dhe patriotik që eshtrat të prehen në vendin të cilit ai i kushtoi vitet më të mira të jetës, në vendin ku pati edhe kundërshtarë por ku kujtesa e popullit do ta mbante gjallë emrin e tij. Historia e vendit tonë nuk është boshe. Kthimi i eshtrave është dukej e një shteti që të ardhshmen e ndërton duke marrë më të mirën e mundshme nga e shkuara dhe e sotmja”- nënvizoi më tej.

BERISHA: KUSH KA FRIKE NGA ESHTRAT E MONARKUT KA MBETUR NEN LEKUREN E ENVERIT

Kryeministri Berisha zhvilloi homazhe para arkivolit të Mbretit Zog, të vendosur sot paradite në Pallatin e Brigadave. Duke vlerësuar figurën e tij si një burrë shteti i cili vendosi integritetin territorial të Shqipërisë, jetësoi pavarësinë e Shqipërise, tha se në rrethanat ku mbretërori përpjekjet e tij ishin mbinjerëzore.

Duke iu referuar figurës së Mbretit Zog në historinë e Shqipërisë, Berisha tha ”Kontributi dhe vepra madhore e Zogut duhet të bashkojë të gjithë shqiptarët, sepse pavarësisht nga indokritinimet, të vërtetat historike më mirë t'i mësosh vonë se kurrë. Ndonjë që ka frikë nga eshtrat e monarkut ka mbetur nën lëkurën e Enverit. Le t’i lëmë diskutimet historianëve, dhe ne të vlerësojmë kontributin dhe vlerat që ky burrë shteti dha për këtë komb.”  Lexoni fjalen e plote

Homazhe u zhvilluan dhe nga ministra të kabinetit qeveritar, ish presidenti Bamir Topi, kryetari i bashkisë Lulzim Basha, Kastriot Islami dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë. PS bojkoi ceremoninë duke zhvilluar homazhe pranë Ushtarit të Panjohur në përkujtim të 68 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Ndërkohë që Rama ishte në Korçë në një konferencë për arsimin.
 
RINDERTIMI I MAUZOLEUMIT KUSHTOI 1.500.000 LEKE

Qeveria shqiptare ka financuar 1.500.000 (një milion e pesëqind mijë) lekë për ngritjen e Mauzoleumit. Prej më shumë se një viti është vendosur që të rindërtohet Mauzoleumi ku prehen eshtrat e Nënës Mbretëreshë dhe ishin marrë masat nga qeveria shqiptare që nëpërmjet Institutit të Kulturës, të rindërtohet një Mauzoleum i njëjtë. Rindërtimi nisi të bëhet në bazë të planit origjinal të atij që ishte ngritur në vitin 1935 dhe në të njëjtin vend, te vendi i quajtur "Varri i Nënës Mbretëreshë", ku do të bëhet edhe pritja eshtrave të Mbretit Zog.

Eshtrat e nënës së Mbretit Zog, Sadije Toptani Zogu, prehen në këtë Mauzoleum, i cili ishte menduar që t'i bashkoheshin vite më vonë edhe anëtarët e tjerë të familjes mbretërore. Për këtë arsye u ble 6000 m2 tokë dhe aty u ngrit Mauzoleumi i projektuar nga arkitekti i njohur Qemal Butka. Më 17 nëntor 1944 në ditën e Çlirimit të Tiranës, forcat partizane e shkatërruan objektin, duke lënë poshtë rrënojave varin e Nënës Mbretëreshë. Mendimi për Mauzoleumin e ri për Familjen Mbretërore, u hodh nga Komiteti i Festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë, i cili aprovoi projektin e vitit 2012 që ka paraqitur Instituti i Monumenteve të Kulturës, me autor Luçjano Bojaxhiun, arkitekt dhe restaurator pranë IMK-së.

ZHVARROSJA DHE HOMAZHET NE PARIS
 Dy ditë më parë eshtrat e tij u zhvendosën nga Parisi,ku preheshin që nga viti 1961. Procedurat për zhvarrosjen e eshtrave që ndodheshin në varrezat e Thias, në Paris, filluan më 14 nëntor me një ceremoni zyrtare shtetërore të organizuar nga qeveria franceze. Ceremonia u realizua nën interpretimin e Himnit të Flamurit dhe të Himnit Francez nga Banda e Ushtrisë Franceze, si dhe me nderimet ushtarake nga një togë e Legjionit të Nderit. Qeveria shqiptare u përfaqësua nga Ministrja Majlinda Bregu, zëvendësministrat Arben Ristani dhe Ekrem Spahiu, si dhe nga Ambasadori i Shqipërisë në Paris Ylljet Aliçka dhe anëtarë të Familjes Mbretërore, ku ishte edhe znj.Sylviane Muselier, motra e Xheraldinës, me bashkëshortin z. Renaud Muselier. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të disa familjeve mbretërore si: Princesha Maria-Pia, e bija e parë e Mbretit Umberto II të Italisë dhe bashkëshorti i saj; Princi Michel de Bourbon Parme, kushëriri i Mbretëreshës së Danimarkës; Princesha Chantal de France dhe bashkëshorti i saj, Baroni Sambucy; Princi Faycal Bey i Tunisit; Princesha Nesrine Toussoun e Egjyptit etj.

MBERRITJA E ESHTRAVE NE ATDHE

Pasi udhëtuan prej Parisit për 24 orë me linjën Turkish Airlines, në mesditën e 15 nëntorit në Stamboll ishte zhvilluar një ceremoni nderimi nga autoritetet turke. Ndërkohë që dje në orën 08.15 eshtrat e Mbretit Zog mbërritën në atdhe, me një ceremoni pritjeje që kryesohej nga Princi Leka II, e fejuara e tij zonja Elia Zaharia, përfaqësues të lartë të qeverisë shqiptare, përfaqësues të oborrit mbretëror.

KUSH ISHTE AHMET ZOGU
Ahmet Zogu i lindur më 8 Tetor 1895 në Burgajet të Matit, ishte ai që drejtoi për afër 15 vjet jetën e vendit, duke nisur karrierën e tij si politikan në shtetin e ri modern në vitin 1924 për pak kohë si ministër i brendshëm, pastaj president kur Shqipëria u shpall Republikë Parlamentare nga 1925-1928, dhe nga 1928 deri më 1939, si mbret i vetëshpallur i shqiptarëve, duke e drejtuar vendin nëpërmjet Mbretërisë. Pas largimit nga Shqipëria, kur sapo e pushtoi Italia fashiste, Zogu kërkonte mbështetje nëpër shtete të tjera të Europës, duke u mbrojtur edhe nga frika e hakmarrjes së popullit shqiptar, të cilin e braktisi ditën e 7 prillit 1939. Si pasojë e kësaj, Ahmet Zogu vdiq në një azil politik në Francë.

(dhu.ha/su.ge/shqiptarja.com)