Në qytetin e Pogradec ka nisur vendosja e stacioneve të plazhit për sezonin veror, por menjëherë vijne dhe kontestimet e para. Dritan Hoxha, operator turistik, shprehet se këtë vit është ulur sipërfaqja e plazheve publike.

Sipas tij, janë miratuar tre leje për beach bare në zonën ranore, duke sjelle konkurrencë të pandershme dhe cenim te hapësires publike.

“Janë dhënë tre leje për stacione plazhi private dhe beach-bare në këtë zonë që ka qenë gjithnjë plazh publik pa pagesë. Unë kam bërë ankesë tek Agjencia Kombëtare e Bregdetit, tek Antikorrupsioni dhe Prefektja e Korçës: Mbrojeni Pogradecin se po bëhet masakër! Janë drejtorë të bashkisë dhe trashëgimtarë që marrin leje për beach-bare”, shprehet i indinjuar Dritan Hoxha, operator turistik.

Nga ana tjetër, Drejtoria e Taksave në Bashkinë e Pogradec sqaron se lejet për stacionet e plazhit janë miratuar nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit. Ndërsa Bashkia e Pogradecit, përmes një reagimi, i cilëson si të pabaza pretendimet e operatorit turistik, teksa thekson se hapësirat publike në plazhe, jo vetëm që s'janë zvogëluar, por gjatë 4 viteve të fundit janë shtuar.

Më heret kryebashkiaku Ilir Xhakolli ka deklaruar se 40 për qind e hapesires është plazh publik, ndersa operatorët turistikë kundërshtojnë këtë shifër. Sipas tyre, në rreth 2 kilometra vijë liqenore, hapësira publike është reduktuar në vetëm 11 metra.

***

Vlorë, situata paraqitet ndryshe. Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka ndërmarrë aksione për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme. Sipas autoriteteve, dhjetëra subjekte private kane vendosur çadra dhe shezlongë përtej numrit që kane në kontrata. Ndaj ka nisur sekuestrimi i tyre.

Ndërkohë, në Shkodër është mbledhur Komiteti i Turizmit, ku u diskutuan masat për rritjen e sigurisë në plazhe dhe menaxhimi i hapësirave publike.

Autoritetet lokale dhe qendrore thonë se synimi është garantimi i një sezoni të sigurt dhe me më shumë plazhe publike për pushuesit, ndërsa operatorët kërkojnë më shumë transparencë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:12
‘Masakër, leje për 3 beach-bare në plazh publik’- Bashkia Pogradec reagon pas denoncimit të operatorit turistik: Pretendime të pavërteta, gjatë 4 viteve është rritur sipërfaqja publike në plazhe

1781792259_fgjhjkk.JPG

Bashkia e Pogradecit ka reaguar pas denoncimit të operatorit turistik Dritan Hoxha, i cili pretendoi se janë dhënë leje për 3 beach-bare në plazhin publik, që deri vitin e kaluar ishte pa pagesë për qytetarët. Hoxha theksoi se këtë vit është ulur sipërfaqja e plazheve publike.

Përmes reagimit publik, Bashkia e Pogradecit ka nënvizuar se nuk ka ndryshime nga viti i kaluar, në sipërfaqet e plazheve publike, duke i quajtur të pavërteta denoncimet e operatorit turistik.

Bashkia Pogradec shkon edhe më tej, duke theksuar se gjatë 4 viteve të fundit është punuar vazhdimisht për rritjen e sipërfaqeve publike në dispozicion të qytetarëve dhe pushuesve.

Sipas Bashkisë Pogradec, vetëm në segmentin e plazhit ranor nga Hotel Enkelana deri tek banjat publike, janë parashikuar gjithsej pesë hapësira publike.

Teksa përmend edhe 4 plazhe, që sipas tyre janë publike dhe tërësisht falas për qytetarët, Bashkia Pogradec thekson se kanë qenë ndër bashkitë e para që ka ofruar çadra falas në plazhet publike dhe ka krijuar infrastrukturë të dedikuar për personat me aftësi të kufizuara.

"Lidhur me një lajm dhe deklaratat e bëra në media nga një subjekt biznesi, sipas të cilave Bashkia Pogradec nuk ka lënë hapësira për plazhe publike në vijën ranore liqenore dhe se këto hapësira po i jepen privatit, Bashkia Pogradec sqaron opinionin publik se këto pretendime nuk janë të vërteta.

Nuk është aspak e saktë që hapësirat e plazhit publik janë cunguar apo tjetërsuar për të favorizuar subjektet private. Përkundrazi, Bashkia Pogradec ka punuar vazhdimisht, veçanërisht gjatë katër viteve të fundit, për rritjen e sipërfaqeve publike në dispozicion të qytetarëve dhe pushuesve", thuhet mes të tjerash në reagimin e Bashkisë së Pogradecit.