Të tre këta persona, sipas Prokurorisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të trafikojnë nga dogana e Kapshticës, një sasi prej 570 kg drogë.
Dosja penale kundër tyre është dërguar në gjykatë që prej 24 marsit, ndërkohë në ditët në vijim gjyqtari Fran Prendi do hapë dhe procesin gjyqësor.
Sipas prokurorisë, njëri nga personat e pandehur ka qenë shoferi i mjetit, dhe ndalimi i tij është bërë në flagrancë. Ndërkohë Ben Çami dhe Eldi Zahiri, janë indetifikuar falë tabulateve telefonike dhe gjurmëve të gishtave që u janë gjetur në pakot me drogë.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë sasia e drogës kishte për qëllim Turqinë.
Lutfi Shabani, është emri i vërtet i Ben Çamit. Ai u vu në pranga në muajin Shkurt 2016 në qytetin e Durrësit dhe akuzohet se është i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejt në trafikun e lëndës narkotike që u sekuestrua në Kapshticë, ku u vu në pranga një shofer.
Më pas policia arrestoi edhe personin që pretendohet se është bashkëpunëtor me shoferin, ndërsa hetimet kanë çuar në pranga edhe Lutfi Shabanin, e madje sipas policisë ai është personi kryesor që ka kthyer në skenë edhe njëherë një prej linjave më të fuqishme të trafikut të drogës; atë me Turqinë.
Në atë kohë Policia e Shtetit bëri me dije se kishte dyshime se mund të jetë vendosur sërish linja e trafikut të drogës me Turqinë, ashtu siç ka qenë edhe më pare. Ndërkohë tashmë prokuroria ka mbyllur hetimet për këtë grup, duke ngritur akuzën e "Trafikimit te narkotikeve", në bashkëpunim, mbetur në tentativë.
Sipas të dhënave, mësohet se dënimi i parë për “Ben Çamin” është dhënë në vitin 2007, ku sipas gjykatës është dënuar vetëm me dy vite burg. Ky dënim i është dhënë si bashkëpunëtor në trafikun e drogës me një grup kriminal, që më pas u arrestuan në operacionin e koduar “identikit”.
Por pavarësisht dënimit, Lutfi Shabani ka vazhduar aktivitetin e trafikut të drogës, ku vetëm pak muaj pasi është liruar, është arrestuar sërish në aksin Kavajë-Durrës me mbi 15 kg heroinë që dyshohej se vinte nga Maqedonia.
Me arrestimin e tij, policia vuri prangat edhe për 5 bashkëpunëtorëve të tjerë shqiptarë, por që kishin edhe shtetësi të ndryshme maqedonase dhe amerikane. Ky rrjet, sipas dosjes së asaj kohe ka dërguar në Itali në 4 rrugë mbi 50 kg heroinë, e cila vinte nga Turqia dhe pas përpunimit dërgohej në Itali. Si pjesë e këtij rrjeti në shtator të 2009 “Ben Çami” u dënua përfundimisht me 8 vjet burg.
Nuk jepen detaje për kohën e daljes nga burgu, por lirimi i Ben Çamit nuk ka zgjatur shumë. Referuar një materiali të Gjykatës së Lartë, kështu është fiksuar edhe dënimi i “Ben Çamit” me emrin Lutfi Shabani.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr.52, datë 30.09.2009 ka vendosur: 1- Deklarimin fajtor të të pandehurit Lutfi Shabani për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të narkotikëve” të kryer në bashkëpunim dhe më tepër se një herë, dënimin e tij me 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Lutfi Shabani për kryerjen e veprës penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” të kryer në bashkëpunim, dhe dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim.
Në bashkim të dënimeve, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim. Në aplikim të nenit 406/3 të Kodit të Procedurës Penale dënimin e tij përfundimisht me 8 (tetë) vjet burgim, i cili fillon nga data e arrestimit të tij dhe do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme”.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com