Me miell, sheqer, oriz, a i ka blerë votat PPSH në zgjedhjet e 31 marsit 1991?

Me miell, sheqer, oriz, a i ka blerë votat PPSH në zgjedhjet e 31 marsit 1991?

Ish- kryeministri Sali Berisha

Përse sondazhuesi Eduart Zaloshnja nuk e provon akuzën e tij. Ambasadorit shqiptar të Partisë së Punës në Nju Jork i vjen në ndihmë në Berat ambasadori amerikan Uiliam Rajerson. Vijnë edhe Sali Berisha, Gramoz Pashko, Genc Ruli, Neritan Ceka... Zgjedhjet vijuan me balotazh dhe si kandidaten e majtë PPSH në Tiranë, tashmë me shumicë të siguruar, e la pa përkrahje.

Në mbëmjen e 4 marsit 2019 televizioni Vision Plus, në emisionin e drejtuar nga Sokol Balla, transmetoi edhe një ndërhyrje të përsëritur të njërit prej të ftuarve të tij në studio, analistit të profilizuar për sondazhe, Eduard Zaloshnja.

Mes të tjerash ky u shpreh se “unë kam qenë kandidat për deputet i opozitës në Berat në 31 mars 1991 dhe atje ndodhi një ngjarje e rëndë: janë blerë gjashtëqind vota me miell dhe me sheqer. Që në 91’ ky muhabet....Dhe e bukura është se pas një jave po në atë lagje është bërë balotazh...Më e bukura është se pas një jave, nga që këta (PPSH-shënimi ynë), i kishin siguruar dy të tretat e vëndeve në parlament, nuk i interesuan më për votimet e asaj lagjeje dhe të gjithë votat e atyre që tani nuk kishin marrë sheqer dhe oris, u hodhën për kandidatin e opozitës...Ajo që dua të them është se filloi blerja e votave, këtu filloi...”

Por këtë gjykim të tij të shprehur në Vizion Plus sondazhuesi Zaloshnja e pati shkruar më parë në gazetën “Tema” të 25 shkurtit 2019, e cila e bëri publike fillimisht në online në orën 06.56.

Teksti i shkruar qe ky: “Blerja e votës nuk ka filluar sot – ajo ka filluar në mënyrë masive në lagjet magjype e rome qysh në zgjedhjet e 1991-shit. Në një lagje të tillë të Beratit, për shembull, u shpërnda atëherë miell, oriz e sheqer, vetëm një ditë para zgjedhjeve, dhe e gjithë lagjja votoi për kandidaten e majtë. Një javë më vonë, në balotazh, shpërndarja e orizit dhe sheqerit nuk u përsërit, dhe lagjja votoi për kandidatin e PD-së...”

E deklaruar dy herë rradhazi nga analisti i njohur i sondazheve politike në Shqipëri provohet se përbën tek ai jo një shkujdesje informative, por një bindje dhe vijë konseguente, prandaj edhe për këtë arsye duhet marrë seriozisht. Duke qenë se autori i këtyre rradhëve personalisht ka aq njohje sa ta respektojë këtë studiues si edhe nderojë familjen emërmirë për inteligjencë dhe atdhetari, Zaloshnja, ndërkohë që po ashtu kurrësesi nuk beson se me këtë rast ka ndodhur dukuria “hedh gurin një budalla në lumë dhe...”, do të bëjmë një përpjekje të hetojmë dhe provojmë se me historinë e 600 votave të blera me oris, sheqer dhe miell në Berat, kemi të bëjmë me një të pavërtetë (më e pakta). Nuk përjashtojmë edhe falsifikimin e qëllimtë, jo për interes të ndonjë partie, por për protagonizëm vetiak.

Mundësinë për ta argumentuar këtë pikëpamje të mësipërme si edhe interesin shoqëror e vetiak, e kemi të shumëfishtë. Më së pari, sepse këtë kohë autori i këtyre rradhëve ka qenë kryeredaktor i gazetës lokale “Kushtrimi”, organ i Komitetit të Partisë së Punës për rrethin e Beratit. Bashkë me ekipin përkatës në redaksi e kemi ndjekur dhe pasqyruar tërë fushatën elektorale të fundmarsit 1991.

Ylli Polovina, Sali Berisha dhe Abdi Baleta

Së dyti, kandidatja e majtë për deputete, të cilës Eduard Zaloshnja nuk ia citon emrin, duke e mbajtur në anonimat, quhet Fatbardha Polovina. Me pak fjalë është bashkëshortja ime.

Ndërkohë mbi tërë këto kauza të justifikueshme për çdo përgënjeshtrim qëndron një e madhe, kryesore, udhëruese për çdo ndërgjegje njerëzore: korrektesa historike ndaj një ngjarjeje kombëtare. Të deklarosh dhe njëkohësisht akuzosh se në pluralizmin e pasdiktaturës vjedhje-blerjet e votave i ka kryer e para PPSH dhe se ky krim elektoral fillesën dhe njëkohësisht modelin frymëzues për tërë vendin e ka në Berat, madje brenda qytetit të tij dhe jo nëpër fshatra, e tëra kjo pa dhënë asnjë provë me pamje, regjistrim zëri apo dokument të shkruar, éshtë sipërmarrje dhe përgjegjësi e madhe.

Edhe familja iu shmang përkrahjes së saj publike

Fatbardhën në një ditë të fundshkurtit 1991, ndërsa ishte sekretare e Komitetit të Partisë së Kombinatit të Tekstileve, e thirrën në zyrën e Komitetit të Partisë së Rrethit, e cila merrej me kuadrin. I komunikuan se duhej të firmoste një deklaratë. Atje shkruhej se pranonte të kandidohej për deputete në Kuvendin Popullor të Shqipërisë, duke përfaqësuar PPSH-në dhe Bashkimin e Gruas Shqiptare, levë politike e së parës.

Sigurisht ajo hezitoi, më së pari sepse u gjet fare e papërgatitur. Nga gjendja e rëndë ekonomike e popullit ishte tërë drojë për të marrë përsipër një përfaqësim të lartë të Partinë e Punës. Po ashtu mendonte se situata e tensionuar e rendit publik e kishte të nevojshme, për ta përballuar, jo një femër, por një burrë. Ndërkohë kishte disa ditë që nuk i hiqej nga mendja një skenë, e cila e pati tronditur shumë. Kishte parë buzë lumit Osum, ku e kishim shtëpinë, se si një grup të rinjsh qytetës me klithma dhe gurë nëpër duar ndiqnin një të ri tjetër, por ky fshatar dhe i veshur keq, i cili vraponte e vraponte nëpër zallishte t’i shpëtonte rrezikimit të jetës. Ai mbante një flamur të kuq kombëtar në duar dhe për t’u bërë më i shpejtë dhe më pak i dukshëm as  e ulte dhe as nuk e flakte. Ishte një nga të rinjtë e ardhur në mënyrë të organizuar nga fshatrat përreth për ndonjë mbrojtje të PPSH-së, mbase ndonjë parakalimi nëpër qytet. Në Berat, si në tërë Shqipërinë; patën nisur mitingjet dhe antimitingjet.

Fatbardha mendonte se në ndeshjen elektorale të 31 marsit fati i saj mund të qe i ngjashëm me atë të riut fshatar. Prej zemërimit ndaj diktaturës gjysmëshekullore kishte shumë mospërmbajtje, por nga disa eksponentë të opozitës kundërkomuniste edhe nxitje të qëllimshme dhune.

Kështu ajo i tha nëpunësit se për të dhënë një përgjigje do të këshillohej me familjen e saj, bashkëshortin dhe të jatin. Por edhe me dy vajzat, edhe pse ato qenë fare të vogla: Albana 11 vjeçare dhe Besiana me tetë mote jetë. Kur pasdite u kthye në shtëpi e kreu këtë veprim së pari me mua. Përgjigja ime ishte: gjykoje dhe vendose vetë, unë nuk të pengoj, por prej meje nuk do të kesh asnjë prani në fushatë dhe asnjë rresht më tepër se gjithë kandidatët e tjerë në gazetën “Kushtrimi”. Këshillimi me të atin i dha të njëjtin rezultat: vendose vetë, unë nuk do të marr pjesë gjatë ballafaqimit zgjedhor.

Sigurisht të gjithë ne e dinim se ndodheshim në çastet më të pafavorshme partiake dhe se spikatja e mëtejshme me regjimin në shëmbje do të qe mënyra më e paleverdishme. Si edhe më e gabuara e sjelljes. Ndërkohë kishin rrjedhur tre muaj, të cilët duke nisur që nga Tirana, përhapnin dukurinë e hipokrizisë politike të një grupi të madh komunistësh bashkëpunues të zellshëm me “Bllokun”, por që tani me shumë shpejtësi po kalonin me lëvizjen antikomuniste. Ishte e padrejtë të veproje si ata. Kështu mënyra më morale e sjelljes politike ato çaste, më e besueshmja, na u duk të mos e braktisnim PPSH-në në ditët e saj të vështira, por t’i tregonin solidaritet, gjithnjë me kusht reformimin tërësor, socialdemokrat të saj.

Gjithsesi Fatbardhën e lamë ta përballonte e vetme fushatën. Politikisht ajo përherë pati qenë liberale, shumë e çliruar nga dogmat dhe nuk do të konfliktonte me antikomunistët. Kur pas vdekjes së Enver Hoxhës, Ramiz Alia kreu betimin e vazhdimësisë, tek e dëgjonte këtë deklaratë në shtëpinë e shoqes së saj Natasha Bejko, u bë e një mendjeje me atë çka kjo e fundit tha: “Çfarë thotë ky, do vdesim prapë për të ngrënë!”

Gjithashtu Fatbardha e kishte ndjekur që fëmijë televizionin italian, por ndryshe nga unë që isha më i lidhur me programet e tij politike dhe historike, ajo ndiqte festivalet muzikore dhe koncertet. Kështu Perëndimi në ndërgjegjen e saj depërtonte në mënyrë të butë, ndërsa tek unë ndeshte herë pas here ashpër në korracën e bindjeve ideologjike.

Ja pse kur të nesërmen e këshillimit me familjen shkoi në punë, njoftoi zyrën përkatëse se do ta firmoste deklaratën. Pas kësaj, shumë shpejt u mor vesh se do të garonte në lagjen ku banonim, në Murat Çelepi, territor elektoral me mbi një të tretën e votuesve të qytetit, afro dhjetë mijë. Berati do të kishte edhe dy zona të tjera elektorale, ku PPSH paraqiti dy mjekë me emër shumë të mirë: Pavllo Bojaxhiun dhe Përparim Ruzin. Por edhe PD i kishte të fortë përfaqësuesit e vet: doktorin e njohur Pandeli Çina dhe mësuesin Agron Musaraj.

Duhet thënë se vetë krerët kryesorë lokalë të partisë dhe të pushtetit, përveç sekretarit të parë Hysen Shahu si edhe sekretares së dytë Elvira Dushku, të cilët nuk kandiduan, e shpallën konkurimin e tyre nëpër fshatra, atje ku nostalgjia për të shkuarën ishte më e fortë dhe suksesi më i sigurt. Kjo u provua: të njëmbëdhjetët e fshatit fituan që në raundin e 31 marsit.

Duhet shtuar se pikërisht në fshat dhe jo në qytet, në zonën zgjedhore 13, në Lapardha dhe përreth, Partia Demokratike paraqiti emrin e Eduard Zaloshnjës. Përballë ai kishte një femër përfaqësuese të Partisë së Punës dhe të Gruas, Nadire Priftin. Kjo fitoi që në raundin e parë në përmasën 79 për qind. Zaloshnja mori 19.1 për qind të votave.

Fatbardha Polovina do të ishte në zonën elektorale nr. 1 (të të gjithë Shqipërisë). Për disa dhjetëditëshe gazetat kështu do ta njoftonin, po ashtu edhe radio e televizioni shtetëror. Me këtë rast nisi të bëjë modestisht emër publik kombëtar, për çfarë në të vërtetë nuk jepte shenja se ngazëllehej fort. Sidoqoftë po bëhej një fakt kronike.

Do t’i shtohej kësaj dukshmërie të përkohshme edhe emri i përfaqësuesit të PD-së që do të kishte përballë. Ky qe një ambasador i spikatur, mes të tjerash edhe për shërbime ndaj Partisë së Punës: Abdi Baleta. Me këtë rast ajo do të përballej konkretisht me dukurinë e hipokrizisë politike të komunistëve të konvertuar nxitimthi për të pastruar veten nga fama e keqe e diktaturës, por edhe për të mos humbur privilegjet.    

Gjyshin e kishte pasur në burg sepse dëgjonte Radio BBC

Fushata zgjedhore nisi disa ditë pas firmosjes së asaj deklarate. Me sa dukej drejt Tiranës, selisë së PPSH-së, ishte nisur nga Berati një paketë e vogël me dokumente prezantuese për Fatbardhën, për të cilat ajo nuk kishte dijeni, sepse krejt papritur, kur e paraqitën në takimin e parë publik me zgjedhësit, mes të dhënave se kishte qenë një studente e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës me notë mezatare 9, se për këtë arsye kishte patur një projekt për ta mbajtur pedagoge në fakultet e sidoqoftë kishte dhënë leksione në filialin e UT në Berat, pati zënë vend edhe një episod biografik, të cilin më parë ia kishin shmangur prej teksteve zyrtare. Bëhej fjala për arrestimin dhe burgosjen në vitin 1947 të gjyshit të saj nga nëna, Eqerem Kukelit, me akuzën se dëgjonte fshehurazi radio BBC si edhe mbante marrëdhënie miqësore me një kundërshtar politik të pushtetit komunist, person ende në gjendje arratie brenda territorit të Shqipërisë.

Vendosja në karakteristikën prezantuese si kandidate për deputete e PPSH-së e kësaj rrethane ato çaste ishte thikë me dy presa, sepse mes besnikëve të shumtë radikalë të partisë kjo nuk do të pëlqehej. Nëse nuk ishte një intrigë aparati, ajo gjithashtu do të tingëllonte si hipokrizi dhe marifet për të marrë vota nga opozita antikomuniste.

Fatbardha do të përjetonte po ashtu edhe një të papritur tjetër: në ndihmë të saj nga Komiteti i Partisë për rrethin e Beratit nuk do të ngrihej asnjë grup pune, nuk do të bëhej asnjë poster ose edhe një fletë e thjeshtë prezantuese për t’u afishuar, nuk do të jepej asnjë shishe boje për të shkruar ndonjë parrullë. Asgjë prej gjëje. Nga Tirana jo vetëm për atë kandidate, por edhe për të tjerët, nuk do të vinte në Berat asnjë drejtues apo funksionar i PPSH-së, i brezit të vjetër apo të ri të saj. Në krah Fatbardha në tre takimet elektorale në të njëjtën sallë (Pallati i Kulturës “Tekstilisti”) do të kishte sekretaren e dytë Elvira Dushku, e cila edhe pse po bëhej gati të vetëlargohej nga ai funksion partiak, iu gjend afër. Nuk iu shkëputën në presidium instruktori me prestigjin e merituar të njeriu të ndershëm Kristaq Kolani apo energjiku me mjaft moralitet të lartë Edmond Shqina. Me këshilla praktike nuk do t’i mungonte sekretari i Partisë për ideologjinë, mendjeliberali Abdyl Pilafi. Mes mbështetësve popullorë do të kishte non stop katër vëllezërit Konomi me në krye vëllanë e madh Niko dhe nënën e tyre veprimtare e palodhur e Gruas, Olimbinë. Do të ndodhej pa pushim, por jo për ta përkrahur politikisht, sepse ishte bashkuar që në fillim dhe qe i trembëdhjeti në listën themeluese të Partisë Demokratike në Berat, kushëriri i saj Bujar Tamo. Ky përpiqej të garantonte sigurinë fizike të Fatbardhës.

Dhe sa të tjerë, të cilët i kujtojmë me nderim!

Të sajosh historinë se PPSH na e paska bërë vetëm për Fatbardhën dhe jo 13 kandidatët e tjerë, të cilët edhe ata patën varfëri të madhe mjetesh propagandistike, blerjen e votave me miell, sheqer dhe oris për 600 votues të lagjes së romëve të Murat Çelepisë, duke themeluar dhe njollosur me këtë gjest pluralizmin shqiptar të pasdiktaturës, përveç të pavërtetës historike, nuk ka asnjë element normal logjik.

Sikur një kilogram sheqer, oris apo miell për çdo votues të jetë dhënë, bëhet fjalë për gjashtë kuintalë. Po të jetë dhënë nga një kg për asortiment shifra kompromentuese bën fjalë për 18 kuintalë. Asgjë e tillë nuk mund të ndodhte për shkak të krizës ushqimore ekstreme për të dy palët, partinë në pushtet dhe opozitën. Nga ndarja me triskëtim që u bëhej çdo familjeje në qytet dhe në fshat, lihej rezervë për çdo këshill popullor lagjeje apo fshati vetëm tridhjetë apo dyzetë kilogram, që mund të jepeshin në rastet e vërtetuara të vdekjeve në familje.

Gjashtë kuintalë apo tetëmbëdhjetë askush në mars 1991 nuk i ka parë as të ngarkohen dhe as të shkarkohen, as të ndahen nëpër lagjen e romëve. Prandaj edhe askush nuk e denoncoi një dukuri të tillë, as vetë Partia Demokratike ato çaste dhe më vonë. Madje ajo deri tani, për pothuaj tre dekada, nuk ka bërë fjalë kurrë se ka ngjarë një veprim i tillë në Berat.

Kur bëhej fushata elektorale Fatbardha dhe e paharruara Vjollca, motra e njërit prej eksponentëve kryesorë të PD në qytet, Agron Musarait, rrinin bashkë në rradhën e gjatë për të marrë racionin mujor të një kilogrami mish kau të plakur, 114 lekësh të vjetra. Tek i shihnin përreth tyre vlonte polemika në mbështetje të PPSH-së apo të Partisë Demokratike, por ato të dyja shtrëngonin instiktivisht duart e njëra-tjetrës.   

Për të kuptuar sadopak se edhe qeverisja e konsumuar dhe përgjegjëse për atë varfëri (si edhe sjellje shtypëse ndaj shtresave të tëra të popullit të vet), vazhdonte të kishte një fije moraliteti dhe drejtësie, humanizmi madje, vëmë në dukje këtë fakt: në gazetën ”Kushtrimi” të 23 marsit 1991, në faqen e parë, bashkë me një intervistë të Ismail Kadaresë “Demokracia në Shqipëri nuk kthehet kurrë prapa” dhe kronikës “Takime të kandidatëve me zgjedhësit”, u botua edhe “Vazhdon të shpërndahet ndihma ushqimore italiane”.

Në të thuhet: “Nga ndihma ushqimore që Republika Italiane i dha kohët e fundit Shqipërisë, po përfiton edhe rrethi ynë. Në seksionin e Shëndetësisë njihemi fillimisht me këto sasi ndihmash: vaj ushqimor 6017 kg; mish pule 5525 kg; bizele e konservuar 10853 copë; lëng frutash 32973 shishe (125 ml); marmalatë 5918 copë.

Për organizimin e shpërndarjes nëpër institucionet shëndetësore, nga përgjegjësi i seksionit të Shëndetësisë, mësojmë: Në zbatim të Vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave u ngrit menjëherë komisioni qendror i rrethit për organizimin e shpërndarjes së ndihmave...Ajo do t’u jepet çerdheve, spitaleve dhe shtëpive të lindjes. Nga shpërndarja e saj po sigurohet shtesa mbi kuotën financiare ditore të ushqimit për çdo shtrat sipas kësaj normative:

-Vaj ushqimor, shtesa ditore e normativës 30 gr.

-Mish pule shtesë 30 gr.

-100 gr. shtesë bizele e konservuar.

-50 gr. shtesë marmalatë.

-1 shishe lëng frutash për frymë në maternitet për gratë që kanë lindur dhe shtatzanë, për fëmijët e shtruar dhe ata të çerdheve...”

Në këtë shkrim ndodhet edhe raportimi për sasinë e ndihmave ushqimore të porsaardhura (pesë ditë para votimeve), në qendrën ekonomike të Arsimit për kopshtet me drekë dhe konviktet. Janë po ato asortimente: vaj, bizele, lëng frute, marmalatë. Siç e shihni, nuk bëhet fjalë se kanë ardhur ato ditë ndihma me miell, oris dhe sheqer.

E kujtojmë lexuesin se në raundin e parë (31 mars) Fatbardha Polovina e kryesoi garimin me Abdi Baletën, duke marrë 48,5 përqind të votave kundrejt 46,2 të kandidatit të Partisë Demokratike. Në shifra zgjedhësish kjo ishte 4983 me 4742. Me pak fjalë distanca me të dyve nuk është 600 vota që gjoja në raundin e dytë, nga që nuk morën miell-sheqer-orizin, nuk mbështetën Fatbardhën por që të gjitha i hodhën për Baletën. Distanca ishte vetëm 241 vota.

Artikujt e gazetave të kohës

Para zgjedhjeve Rajërson parakalon me Abdi Baletën e PD-së nëpër rrugën kryesore të Beratit

Në javën e balotazhit për të mbështetur Abdi Baletën erdhën jo vetëm disa prej krerëve më të dëgjuar të PD-së, por edhe vetë Sali Berisha. Sipas drejtorit të Kinoklubit “Tekstilisti”, Ndërtim Luka, Sali Berisha dhe të tjerët “para se të hynin në takim qëndruan në drejtori, në mos gaboj i shoqëronte Agron Musarai. Unë nuk qëndrova në drejtori por dukeshin edhe të shqetësuar, edhe euforikë...Mbas takimit Berisha me gjithë të ardhurit e vendasit kanë shkuar në Goricë, nuk di në cilën kishë dhe çfarë feste fetare ish...”

Në mbështetje të kandidatit të Partisë Demokratike erdhi në Berat edhe ambasadori amerikan Uiliam Rajerson. Ai mori pjesë jo vetëm në një nga takimet elektorale, por që ta shihnin të gjithë, edhe shëtiti nëpër rrugën kryesore të Beratit me në krah Abdi Baletën. Rajerson mbante në filenë e xhaketës, në xhepin e sipërm, një trëndafil të bardhë. Mbesës së Eqerem Kukelit që ish futur në burg sepse dëgjonte Radio BBC nuk i erdhi çudi nga ky gjest, sepse SHBA duhej të mbështeste rrëzimin e PPSH dhe të kaluarës së saj, por ndjeu trishtim për hipokrizinë si po ndryshonte sistemi. Ish-ambasadori Baleta ishte ai që e kishte luftuar SHBA-në brenda në Nju Jork, duke qenë në krye të Misionit Shqiptar në OKB.

Të shtunën, më 6 prill 1991, u organizua nga PD mitingu i fundit i saj. Fatbardha tërë javën nuk pati nismuar asnjë takim në sallën e madhe të “Tekstilistit” dhe në asnjë pjesë të lagjes. Atë pasdite shkoi tek kunata e saj, nusja e vëllait tim Ndriçim, për një kafe. Kishte në duar shtizat e një trikoje që po bënte për vajzën e vogël. Kur po zbriste shkallët e pallatit prej poshtë vrullshëm u ngjitën lart Gramoz Pashko, Genc Ruli, Neritan Ceka e të tjerë. Qenë plot entuziazëm dhe nuk u bëri asnjë përshtypje gruaja me shtizat në dorë që u kaloi afër. Me Pashkon Fatbardha njihej që në Fakultetin Ekonomik. Ishin bashkëmoshatarë në kurse paralele, ai në degën e ekonomisë politike. E çmonte shumë për mendjen e hapët. Njihte ne distancë po ashtu edhe me Gencin, student një vit më poshtë në degën e financës.

I tërë grupi i gëzuar i ardhur nga Tirana posaçërisht për të mbështetur Abdi Baletën, u ngrit në kat më lart nga banesa e kunatës. Atje i priste përkrahësi i tyre inxhinieri Xhevair Ngjeqari.

Në 7 prill u bë edhe një ndeshje miqësore futbolli mes ekipit të Kavajës me të Beratit, me sa dukej enkas i organizuar. Tifozët e ardhur me thirrjet e brohoritjet e tyre për Partinë Demokratike u dëgjuan fuqishëm ende pa hyrë në rrugën kryesore të lagjes Murat Çelepi, për të vazhduar në anën tjetër të Beratit, ku ndodhej stadiumi.

Gjatë tërë javës së balotazhit nga Tirana për të mbështetur Fatbardhën nuk erdhi asnjë drejtues i partisë së saj, nuk u prodhua asnjë fije letër me propagandë. PPSH pati fituar shumicën në raundin e parë dhe nuk kishte më asnjë interes për të siguruar edhe një vend tjetër. Gjithshtu gjatë tërë të dielës Fatbardha nuk shkoi në asnjë qendër votimi, e  bindur se kështu nuk krijonte presion tek zgjedhësit. Lajmin e rezultatit 40 përqind për të dhe 60 përqind për Abdi Baletën e mori vesh pa u tronditur.

U rikthye në jetën e mëparshme, edhe pse nga puna shumë shpejt do ta largonin.

Ndërkaq i ndodhën dy episode simbolikë

I pari kishte të bënte me Abdi Baletën. Ajo po shëtiste me të motrën e saj të madhe të ardhur nga Tirana, kur nga krahu paralel i rrugës së lagjes, para Varrezave të Dëshmorëve, po kalonte në drejtimin e kundërt Baleta me një nga drejtueset e PD në Berat Afërdita Zëren. Ata u bënë shenjë të ndalonin një çast dhe kapërcyen rrugën. Dialogu mes të dyve ishte pak a shumë ky: Baleta: “Nuk ju godita gjatë fushatës sepse çunat e Demokratikes që më shoqëronin, më ndaluan ta bëj këtë për figurën tuaj morale shumë të mirë”. Fatbardha: “Nuk kishim asgjë personale. Kushdo të zgjidhej nga të dy për të mirën e Beratit do të bënin. Katër vite kalojnë shpejt në jetën e njeriut dhe u bëftë më e mira për qytetin tonë”.

Pastaj u ndanë duke i shtrënguar duart njëri-tjetrit.

Ngjarja e dytë kishte protagonist një nga personat më me autoritet të lagjes së romëve, Tomorin. Ndërsa ai kishte dalë një ditë buzë trotuarit dhe shiste pak sallatë të freskët, Fatbardhën që i kaloi afër, e thirri dhe i tha: “Jam në gjynah para Zotit dhe teje!” “Përse ma thua këtë!” “Sepse javën e dytë nuk votuam për ty nga që ishim të kërcënuar” “Në rast se ju nuk ndiheshit të sigurt vota juaj nuk më duhej. Të faleminderit!”

Por ne e dinim me kohë që grupe të fortësh të organizuar në favor të PD-së që të premten dhe sidomos të shtunën i kishin kërcënuar banorët romë se do t’ua digjnin shtëpitë me bidona me vajguri. Banesat e tyre ishin pjesërisht kasolle dhe vetëm një shkrepse mjaftonte për t’i përvëluar në pak minuta të gjitha.

Gjithsesi kjo tashmë nuk ka rëndësi. Në familjen tonë zhvillimi i ndodhur ishte fare normal. Votohej për ndryshimin dhe humbja e Fatbardhës qe e kuptueshme. Madje kunati i saj,  bashkëshorti i të motrës Tatjana, Loli Karabina, firmëtar me dyqind të parët e Partisë Demokratike, tha qetësisht: “Humbe Bardha, por ndoshta ishte më mirë kështu!”.

Ylli Polovina

Tiranë, më 17 prill 2019

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Maks: 21/04/2019 11:22

    E kush nuk e mban mend terrorin qe ben bandat e azemit ne lushnje nuk lan ndermarje pa djegur dhe plackitur duke nisur ngafabrika e letres nga banda e karbunaresve qe vodhen dhe vran njerez te pa fajshem nen urdherin e pd grabitjen e votave nga keto benda ne zonen e fier semanit e divjak ku populli e mbrojti voten duke ju kunderven banditeve edhe me arm ku u plagosen ne gurin e gomares disa gangester te pd te ardhur nga lushnja por me e bukura esht pse kjo band esht bashkuar ps se prandaj ky qelbesir sistem mbahet gjithmon nga banditet per te kercenuar popullin e ndershem

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë