TIRANE- Një megaoperacion i përshkët mes policive të Shqipërisë dhe Italisë, dhe i koordinuar nga SPAK në Tiranë, çoi në shkatërrimin e një grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës, i lidhur me klanin Çela në Elbasan.
Pesë janë të arrestuarit në Shqipëri, mes 20 masave të sigurisë në total të vendosur nga gjykata italiane në Breshia, 12 prej të cilave arrest me burg. SPAK konfirmoi detajet e operacionit me një njoftim zyrtar ditën e sotme (21 Janar), duke deklaruar se ka 40 persona nën hetim dhe se organizata kriminale u zbërthye pas zbulimit të telefonave të enkriptuar dhe platformave të koduara SKY ECC.
Ka qenë një kontroll rastësor më 2020 në liqenin Garda në Breshia fillimisht dhe më 2021 kapja e 350 kg kokaine po në këtë zonë, që çuan te kapot e organizatës italo-shqiptare. Fitimet e drogës dërgoheshin në Shqipëri me autobusë të linjës Breshia-Elbasan.
"Kjo organizatë ka mundësuar të gjitha fazat e trafikut, nga magazinimi, shpërndarja dhe mbledhja e përfitimeve, të cilat më pas i dorëzoheshin drejtuesve të organizatës në Shqipëri, përmes një sistemi të kolauduar, duke shfrytëzuar shoferët e autobusëve të linjës Brescia-Elbasan", thuhet në njoftimin e SPAK.
Operacioni 'Icaro.al'
Në kuadër të megaoperacionit policor ndërkombëtar “ICARO.AL”, të iniciuar nga autoritetet italiane, Policia e Shtetit në Shqipëri, në bashkëpunim me policinë italiane, SPAK, dhe agjencitë partnere ndërkombëtare, ka zbuluar dhe ndaluar disa shtetas të përfshirë në një rrjet kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Italisë dhe vendeve të Europës Qendrore.
12 të arrestuar deri më tani, ndërsa 8 të tjerë po hetohen në kuadër të këtij megaoperacioni.
'Deri tani, në kuadër të këtij megaoperacioni janë vënë në pranga 12 shtetas dhe po hetohen 8 të tjerë. Lokalizohen në Shqipëri dhe vihen në pranga, me qëllim ekstradimin, 5 shtetas shqiptarë, të akuzuar si pjesëtarë të grupit', thotë policia.
Edhe mediat italiane shkruajnë se në krye të grupit kriminal italo-shqiptar ishin dy vëllezër të klanit Çela në Elbasan, Suel dhe Mario Çela. Sipas tyre, ata drejtonin operacionet e importimit dhe tregtimit të lëndës narkotike dhe grumbullimin e të ardhurave, të cilat dërgoheshin në Shqipëri duke shfrytëzuar bashkëpunimin e drejtuesve të autobusëve që operonin linjën Breshia-Elbasan.
Shqiptari i arrestuar në Spanje
Informacioni i siguruar nga Policia shqiptare mundësoi arrestimin në Spanjë të një tjetër pjesëtari të grupit, Gerardo Pashja alias Astrit Pashja, 48 vjeç, me precedent penal.
'Më tej, si rezultat i sigurimit të informacionit nga strukturat e Policisë shqiptare, dhe shkëmbimit të tij me homologët spanjollë, u vu në pranga në Spanjë shtetasi shqiptar me precedent penal, G. P. alias A. P., 48 vjeç.', thotë policia.
Është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi Metin Mehja, 28 vjeç, i cili kërkohet gjithashtu për vepra të tjera penale.
'Gjithashtu, gjatë zhvillimit të këtij megaoperacioni, në Shqipëri, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi Metin Mehja, 28 vjeç, i cili kërkohet dhe për vepra të tjera penale.'
Grupi kriminal përdorte automjete të modifikuara për të fshehur lëndën narkotike dhe e trafikonte atë drejt qyteteve të Italisë dhe shteteve të Europës Qendrore. Aktiviteti i tyre përfshinte një rrjet të gjerë shpërndarjeje të kokainës në Europë.
Operacioni është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes strukturave të Policisë shqiptare, policisë italiane, SPAK, dhe agjencive ndërkombëtare. Interpol Tirana po punon për finalizimin e procedurave të ekstradimit të të arrestuarve drejt Italisë.
'Këta shtetas akuzohen nga Gjykata e Breshias, Itali, se të organizuar si grup, kanë trafikuar lëndë narkotike Kokainë nga Amerika e Jugut, nëpërmjet automjeteve të modifikuara për fshehjen e lëndës narkotike dhe e kanë shitur atë në qytete të Italisë dhe në shtete të Europës Qendrore. Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët, për të finalizuar ekstradimet e shtetasve të arrestuar.'
Materialet hetimore janë dorëzuar në SPAK për veprime të mëtejshme. Megaoperacioni vazhdon, dhe priten zhvillime të mëtejshme në goditjen e këtij rrjeti kriminal.
Moment nga operacioni 'Icaro' në Itali
SPAK dhe Prokuroria e Brescias japin detajet zyrtare të finalizimit të operacionit të koduar "ICARO", kundër një organizatë kriminale të trafikut të kokainës, që drejtohej nga i dyshuari Suel Çela.
Konfirmohet se nën hetim dhe të dyshuar janë në total 40 persona, teksa janë ekzekutuar sot (21 Janar) edhe 12 masa "arrest me burg" dhe 8 masa të marrjes në pyetje të personave. Gjithashtu shpjegohet se goditja erdhi pas zbërthimit të telefonave të enkriptuar të platformave të koduara si SKY ECC.
Veprimtaria kryhej në zonat veriore të Italisë kryesisht, trafiku bëhej me makina, droga sillej nga Amerika e Jugut dhe marrëveshjet e biznesit mes Dubait dhe aksit Kolumbi-Ekuador. Fitimet e drogës silleshin me autobusën e linjës Breshia-Elbasan nga organizata.
Njoftimi i SPAK për operacionin:
"Nën koordinimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Brescias, në orët e para të mëngjesit të 21.01.2025 u finalizua operacioni ICARO, në Shqipëri dhe Itali, me ekzekutimin e 12 masave të sigurisë “arrest me burg” dhe 8 masave “të marrjes në pyetje të personave nën hetim”.
Personat ndaj të cilëve u ekzekutuan masat e sigurisë ishin pjesë e një organizate kriminale të trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike, kryesisht të llojit kokainë nga Amerika e Jugut.
Oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shqiptare dhe Policisë Italiane, nën koordinimin e Drejtorisë Antimafia të Prokurorisë së Brescias dhe SPAK-ut, kryhen kontrolle të shumta në Shqipëri si edhe në provincat e Brescias, Milanos, Torinos, Veronës, Bolzanos, Cremonës, Novarës, Pavias, Trentos dhe Trevisos ku u bë e mundur dhe ekzekutimi i masave të sigurisë.
Më datën 21.01.2025, në Shqipëri, janë arrestuar me qëllim ekstradimin shtetasit shqiptarë: Sh.P., I.D., E.D., E.Zh., G.B., (Shkëlqim Pashja, Igli Dervishi, Ervin Dema, Edmond Zhuja, Genti Berisha). Ndërsa arrestimi i M.M., (Metin Mehja) nuk është bërë i mundur, pasi është në kërkim. Hetimet nisën në gjysmën e dytë të vitit 2020, pasi u regjistrua shpërndarja e lëndës narkotike e llojit kokainë, në disa lokale të zonës Lago di Garda në Itali dhe ato u kryen nën kujdesin e EUROJUST, në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Brescias dhe SPAK-ut.
Në hetim ishin rreth 40 shtetas italianë dhe shqiptarë.
Pas identifikimit të furnizuesve të kokainës, mbi bazën e hetimeve, është rikonstruktuar organigrama e një organizate kriminale italo-shqiptare që merrej me importin e sasive të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut. Në krye të kësaj organizate kriminale janë dy vëllezër shqiptarë nga Elbasani, G.P., (Gerardo, allias Astrit Pashja) dhe Sh.P. (Shkëlqim Pashja). Ata i jepnin udhëzime një grupi të besuar në zonën e Brescia dhe provinca të tjera të Italisë së Veriut, ku kryenin nje veprimtari të shtrirë të importit dhe shitjes të lëndës narkotike, kryesisht të llojit kokainë. Kjo organizatë ka mundësuar të gjitha fazat e trafikut, nga magazinimi, shpërndarja dhe mbledhja e përfitimeve, të cilat më pas i dorëzoheshin drejtuesve të organizatës në Shqipëri, përmes një sistemi të kolauduar, duke shfrytëzuar shoferët e autobusëve të linjës Brescia – Elbasan.
Në nëntor të vitit 2021, është kryer arrestimi i një prej personave nën hetim, i cili do t’i dërgonte një sasi prej 350 kg kokainë organizatës, e cila e kryente aktivitetin në zonën e Brescia-s.
Anëtarët e organizatës kriminale kanë përdorur telefona të “kriptuar” nga analiza e të cilëve ka rezultuar edhe përfshirja e tyre në brendësi të kësaj organizate kriminale shqiptare e dedikuar në trafikun ndërkombëtar të qindra kilogramëve të lëndës narkotike, kryesisht kokainë. Hetimet kanë konfirmuar faktin se drejtuesit e kësaj organizate, për të realizuar marrëveshjet me furnizuesit kanë udhëtuar sistematikisht në Kolumbi, Ekuador dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Dubai, ku ndodhen disa prej trafikantëve shqiptarë".
Moment nga operacioni i policisë italiane
Policia e Shtetit në Itali ka dhënë detaje nga superoperacioni i goditjes së organizatës narkos italo-shqiptare dhe klanit të drejtuar nga klani Çela.
Operacioni i DDA-së së Bresshias daton prej muajit Nëntor të vitit 2020 në zanafillën e tij, nga disa ambiente në liqenin Garda dhe që çoi në arrestimin e 12 personave dhe ekzekutimin e 8 masave të tjera në pritje ditën e sotme (21 Janar). Pesë vite më parë evidentoheshin kontigjente të organizatës që punonin me gramë në shitjen e kokainës në veri të vendit, por që aktualisht merrnin përsipër tonelata droge në ngarkesa që vinin nga Amerika e Jugut.
Operacioni u shtri nga Italia deri në Shqipëri. Hetimi filloi në gjysmën e dytë të vitit 2020, kur disa raporte për shpërndarje droge në klubet e natës në anën e Breshias të liqenit Garda i vunë hetuesit në gjurmët e një furnizuesi kokaine. Duke gjurmuar zinxhirin, hetuesit zbuluan një organizatë kriminale italo-shqiptare e aftë të lëvizte kontejnerë të mbushur me drogë nga Amerika e Jugut.
Sipas asaj që u rikonstruktua nga hetuesit, në krye të grupit kriminal ndodheshin dy vëllezër shqiptarë me banim në Breshia, të lidhur me klanin e fuqishëm Çela të Elbasanit, i njohur si një nga mafiozët kryesorë shqiptarë. Vëllezërit koordinuan një grup personash të besuar në provincat e Italisë Veriore, duke menaxhuar importimin e kokainës nga Amerika e Jugut, informon “La Repubblica”.
Pasi zbarkonte në portet evropiane, kokaina mbërriti në disa qendra në Evropën Qendrore dhe më pas, nëpërmjet kamionëve çohej në Itali dhe shitej atje me pakicë. Të ardhurat e biznesit janë dërguar në Shqipëri falë autobusëve që operojnë në linjën Breshia-Elbasan.
Një sekuestrim në nëntor 2021, kur agjentët kapën 350 kilogramë kokainë të destinuar për qelinë e Brescias, i dha një kthesë vendimtare hetimit.
Sekuestrimet e drogës, armëve dhe parave nga policia në Itali
Telefonat e koduar (enkriptuar) të platformës SKY ECC kanë tradhtuar organizatën e klanit Çela, me celulën e grupit që vepronte në linjën e trafikut Elbasan-Breshia.
Hetimet kishin nisur prej vitit 2020, por goditja finale që “shtjelloi lëmshin” ishte ajo e vitit 2021, kur një nga anëtarët e organizatës u kap duke trafikuar 350 kg drogë për llogari të kapove, një pjesë e të cilës me destinacion zonën e Breshias dhe madje shpërndarjen në burgun e këtij qyteti, ku ndodheshin edhe shumë prej të arrestuarve drejtues të celulës. Aty u zbërthyen mesazhet e para mes anëtarëve të organizatës dhe drejtuesve, sasitë, udhëtimet dhe fitimet marramendëse.
Madje edhe udhëtimet e shumta për ‘biznes’ të kapove të grupit, mes Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kolumbisë dhe Ekuadorit në Amerikën e Jugut. Në total deri tani janë 40 persona të dyshuar apo arrestuar, italianë dhe shqiptarë, në rreth 5 vitet e fundit si pjesë e grupit nga hetimet dhe aksionet e kryera.
Vetëm sot u ekzekutuan 12 nga masat mes Italisë dhe Shqipërisë, 8 të tjera janë ende në pritje të procesit. Rrjeti shtrihej mes Breshias, Milanos, Novarës dhe Veronës dhe rajoneve të tjera si Torino, Bolzanos, Kremona, Pavia, Trentos dhe Treviso. Lënda e parë merrej në Amerikën e Jugut, teksa bisedat e përgjuara të kapura në platformën e koduar çuan deri tek provat dhe emrat e të dyshuarve.
“Në krye të celulës së Breshias do të ishin dy vëllezër shqiptarë, që i përkisnin një prej bandave kryesore dhe më të rrezikshme të mafies shqiptare, të ashtuquajturit “Klani i Çelës së Elbasanit”, i cili dyshohet se u jepte udhëzime një grupi burrash të besuar, me banim në provincën e Breshias dhe në krahina të tjera të Italisë Veriore, duke ushtruar një aktivitet të gjerë importi dhe shitjeje të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë”, shkruan media italiane.
Trafiku i drogës dhe madje shumave të parave kontrabandë kryhej nëpërmjet linjave të autobusëve Breshia-Elbasan dhe anasjelltas, nëpërmjet një sistemi të testuar dhe të suksesshëm për organizatën.
Aksioni më 2021 që zbërtheu grupin kriminal nga SKY ECC
Ishte nëntori i vitit 2021, kur ndodhi arrestimi i një prej të dyshuarve për posedimin e 350 kg kokainë, e cila do të dërgohej direkt në qelinë e trafikantëve në Breshia. Nga hetimet rezultoi gjithashtu se anëtarët e shoqatës kriminale do të kishin përdorur telefona “të enkriptuar”, analiza e të cilave zbuloi përfshirjen e tyre brenda grupit kriminal shqiptar, dedikuar veçanërisht trafikut ndërkombëtar të qindra kilogramëve kokainë. Veprimtaritë hetimore do të kishin vërtetuar sesi drejtuesit e organizatës, për të bërë marrëveshje me furnitorët, do të kishin udhëtuar sistematikisht në Kolumbi, Ekuador dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në Dubai, ku jetojnë disa nga trafikantët më të rëndësishëm shqiptarë.
Hetimet dhe operacioni u kryen me kontributin e Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale - Shërbimi për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar, Zyrës së Ekspertit të Sigurisë në Tiranë dhe Drejtorisë Qendrore të Shërbimeve Kundër Drogës, Interpol Lioni, Eksperti i Sigurisë në Madrid dhe Policia e Spanjës.
Shqiptarja.com zbulon emrin e personit të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit kundër trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Italisë dhe vendeve të Europës Qendrore.
Në kërkim është Metin Mehja, 28 vjeç, emri i të cilit rezulton të jetë dhe në dosjen e klanit Suel Çela për të cilën më 25 nëntor 2024, GJKKO firmosi 21 masa sigurie. Mes tyre ishte dhe emri i Metin Mehjas.
'Gjithashtu, gjatë zhvillimit të këtij megaoperacioni, në Shqipëri, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi M. M., 28 vjeç, i cili kërkohet dhe për vepra të tjera penale.'
Grupi kriminal përdorte automjete të modifikuara për të fshehur lëndën narkotike dhe e trafikonte atë drejt qyteteve të Italisë dhe shteteve të Europës Qendrore. Aktiviteti i tyre përfshinte një rrjet të gjerë shpërndarjeje të kokainës në Europë.
Mediat italiane shkruajnë se në krye të grupit kriminal italo-shqiptar ishin dy vëllezër të klanit Çela në Elbasan. Sipas tyre, ata drejtonin operacionet e importimit dhe tregtimit të lëndës narkotike dhe grumbullimin e të ardhurave, të cilat dërgoheshin në Shqipëri. duke shfrytëzuar bashkëpunimin e drejtuesve të autobusëve që operonin linjën Breshia-Elbasan.
Në kuadër të një operacioni të përbashkët ndërkombëtar, policia italiane dhe ajo shqiptare kanë goditur një grup kriminal të organizuar, duke kryer 12 arrestime dhe vendosur 8 masa të tjera sigurie. Grupi kriminal italo-shqiptar akuzohet për trafik ndërkombëtar të kokainës, me rrënjë në Shqipëri dhe lidhje të fuqishme në Amerikën e Jugut dhe Europë.
Hetimet nisën në gjysmën e dytë të vitit 2020, informojnë mediat italiane pas identifikimit të aktivitetit të shpërndarjes së kokainës në ambiente argëtuese në liqenin Garda, Itali.
Në vitin 2021, një nga të dyshuarit u kap me 350 kg kokainë, çka çoi në rikonstruktimin e një rrjeti kriminal italo-shqiptar.
Droga importohej nga Amerika e Jugut nëpërmjet automjeteve të modifikuara dhe shpërndahej në Itali dhe Europë.
Në krye të grupit kriminal ishin dy vëllezër nga klani Cela i Elbasanit, një nga bandat më të rrezikshme shqiptare. Ata drejtonin operacionet e trafikut, përfshirë importimin, shpërndarjen e drogës dhe grumbullimin e të ardhurave, të cilat dërgoheshin në Shqipëri përmes linjës së autobusëve Breshia-Elbasan.
Për të siguruar furnizime të drogës, vëllezërit udhëtuan në Kolumbi, Ekuador dhe Dubai, duke krijuar kontakte me furnizuesit kryesorë të kokainës.
Operacioni u koordinua nga Drejtoria Qendrore Kundër Krimit në Itali, në bashkëpunim me Shërbimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor, Interpolin dhe agjencitë e sigurisë në Shqipëri dhe Spanjë. Përfshirja e Zyrës së Ekspertëve të Sigurisë në Tiranë dhe Madrid luajti një rol kyç në fazat përfundimtare të operacionit.
Ky megaoperacion përfaqëson një goditje të rëndësishme ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës dhe bashkëpunimit kriminal ndërmjet grupeve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare. Përpjekjet e koordinuara të autoriteteve pritet të vazhdojnë për të ndjekur penalisht të gjithë anëtarët e rrjetit.