Mero Baze: Pesë arsye, pse ky është viti më i mirë i opozitës shqiptare

Mero Baze: Pesë arsye, pse ky është viti më i mirë i opozitës shqiptare

Darka e PD

Ka një perceptim mbizotërues se ky ishte viti që shkatërroi opozitën shqiptare, për shkak të nisjes së vitit me qysqi e vare kundër njëri- tjetrit dhe përfundimit duke ju lutur njëri- tjetrit të pajtohen në një lokal në Laknas, nën “besën” e Xhelal Mziut.

E vërteta është ndryshe. Opozita shqiptare do të shënojë në historinë e saj vitin 2022, si vitin kur ajo guxoi të reformohej dhe nisi rrugën pa kthim të ndarjes nga autoritarizmi, mungesa e demokracisë dhe fryma anti-perëndimore, që e ka bashkëshoqëruar atë siç ndryshku hekurin, në këto 32 vite nën drejtimin e Sali Berishës.

Asnjëherë në këto 32 vite, nuk ka pasur ndonjë përpjekje kaq serioze dhe një betejë kaq të hapur për të ndryshuar Partinë Demokratike dhe për t’u ndarë përfundimisht nga berishizmi, si një ideologji që bazohet tek sundimi i një njeriu, dhe përdorimi i partisë për t’i shpëtuar betejës me Perëndimin dhe betejës me drejtësinë.

Po përse perspektiva nuk i përket më berishizmit?

Arsyeja e parë qëndron tek bilanci i kësaj beteje. Bilanci i kësaj beteje është shumë dinamik, dhe në finale do të jetë bilanci elektoral ai që do të detyrojë anëtarësinë e Partisë Demokratike të vendosë nëse do të bashkojë të ardhmen e saj me dikë që nuk shkon dot deri në Rinas, apo të reformohet si një parti pro-perëndimore, me prespektivë të qartë për të qeverisur Shqipërinë.

Kur demokratët e keqpërdorur nga Sali Berisha të shikojnë se do të jenë humbës të thellë, ata do të kenë procesin e tyre të reflektimit nëse ja vlen të varrosen si mumjet bashkë me faraonin, apo të kthen në njerëz të lirë dhe të shikojnë interesat e tyre.

Arsyeja e dytë është qëndrueshmëria e grupit parlamentar përballë Berishës. Në këto 32 vite çdo përpjekje për t’u shkëputur nga berishizmi ka dështuar për shkak të shkollës së dhunshme të Sali Berishës ndaj kundërshtarëve dhe indoktrinimi i strukturave fiktive të partisë, që i ka nën kontroll përmes njerëzve kyç të inkriminuar që mban rrotull vetes.

Kjo është hera e parë që Sali Berisha për një vit rresht vazhdon të qëndrojë në pakicë në Grupin parlamentar të PD, i vetmi institucion legjitim i Partisë Demokratike, zgjedhur nga vota e qytetarëve.

Përpjekjet e tij të dhunshme e më pas përuljet e tij hileqare për të sunduar grupin kanë dështuar.

Arsyeja e tretë, qëndron në faktin se sanksionet ndërkombëtare ndaj Berishës sa vijnë e forcohen. Në kulmin e betejës së tij për të uzurpuar Partinë Demokratike, ai u sanksionua si politikan i inkriminuar me lidhje kriminale me persona në kërkim në Shqipëri dhe jashtë saj, nga Britania e Madhe, çka rëndoi bilancin e tij anti-perëndimor dhe e bëri dhe më të pashpresë perspektivën e tij si politikan. Të njëjtin standard ndaj tij pritet të aplikojnë vende të Bashkimit Evropian, duke e izoluar atë si një specie e rrezikshme brenda rezervatit të vet.

Arsyeja e katërt, përse berishizmi nuk do t’ia dalë dot, është mungesa e figurave politike në krah të tij. Nuk bëhet fjalë për figura me reputacion, por dhe për figura mesatare dhe nënmesatare. Njerëzit që mbështesin Sali Berishën në Partinë Demokratike, janë ose me probleme personaliteti, ose të inkriminuar pa rrugëdalje, që e shikojnë atë si shpëtim, ose njerëz qesharakë, ose të çmendur. Madje këta të fundit, “Foltorja” e tij i thithte si magnet, derisa një prej tyre me probleme bipolariteti u kthye nga adhurues i Berishës, në agresor, duke e qëlluar në mes të bulevardit.

Arsyeja e pestë, që në fakt është më e rëndësishme, ka të bëjë me trashëgiminë politike të Sali Berishës. Kushdo që e njeh se si po funksionon Berisha si strukturë paralele opozitare, e kupton fare mirë se ai po financohet nga miliardat e familjes së tij, për të cilat është sanksionuar si hajdut familjarisht nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Kjo periudhë e betejës së tij kundër PD, ka nxjerrë në pah dhe pasardhësin e tij, i cili është djali i tij Shkëlzen Berisha, njeriu në hije që qëndron pas gjithë aferave korruptive të qeverisjes Berisha, të varreve në Gërdec, të mafias së tokave në bregdet dhe që vazhdon të jetë një ndërtues i madh dhe i rëndësishëm në Shqipëri, nën sytë e një qeverie që bën sikur nuk e shikon.

Të gjithë ata që shpresojnë se Sali Berisha e ka të shkurtër jetën dhe fizikisht për shkak të moshës, duhet të llogarisin se pasardhësi i tij është djali i vet, po ashtu i sanksionuar si hajdut me plot merita, dhe që qëndron mbas gjithë ngrehinës së korrupsionit që prodhoi politika e Sali Berishës këto 30 vite. Kjo e bën edhe më të pashpresë të ardhmen këtij grupimi tribal, anti-perëndimor dhe mbi të gjitha mbartës të gjithë sëmundjeve që Partia Demokratike ka vuajtur këto 32 vite, deri më sot.

Ky është viti i fillimit të ndarjes nga kjo e keqe. Dhe për këtë arsye është viti më i mirë i opozitës shqiptare. Ka 32 vite që nuk guxon të ndahet nga Sali Berisha. Ky është viti që po e sfidon berishizmin.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja