Mero Baze: Pesë tipologjitë e sulmeve ndaj turizmit që përsëriten çdo vit

Mero Baze: Pesë tipologjitë e sulmeve ndaj turizmit që përsëriten çdo vit

Plazh në Shqipëri

I vetmi sukses i betejës së opozitës kundër shifrave të turizmit në Shqipëri, është që arriti të përfshijë qeverinë në këtë debat. Dhe jo vetëm që e përfshiu pa qenë nevoja, por e bëri tu japë zë disa gënjeshtrave të trasha të saj, qoftë dhe duke I kundërshtuar apo duke I konsideruar sulmet beteja të koordinuara me “armiqtë” e turizmit në Shqipëri. 

Betejat kundër turizmit të brendshëm në Shqipëri, nuk janë as të reja dhe nuk vijnë as nga agresorë të panjohur. Gjithmonë ka dy pista.  

E para tek ne është politike, që ka arsye të kuptueshme, e dyta është ekonomike dhe ka të bëjë me ata operatorë turizmi që u preken interesat nga zhvillimi i turizmit në Shqipëri. 

Përpjekja për t'i banalizuar këto pista sulmi me problemet që shoqërojnë realisht turizmin në Shqipëri është vulgaritet dhe përpjekje për të fshehur pistat e sulmeve. Rritja e turizmit do shoqërohet gjithnjë e më tepër me probleme, por sulmet nuk vijnë nga problemet, por nga rritja e turizmit. 

Çdo vit, kompanitë më të mëdha të operatorëve turistikë në Shqipëri që nxjerrin shqiptarë jashtë, organizojnë fushata të tilla në shtyp dhe rrjete sociale.  
Tipologjia e sulmeve është e njëjtë.  

Tipologjia mbizotëruse është se në Shqipëri po “rriten” çmimet, “sidomos” në Sarandë dhe Vlorë, por çuditërisht nuk thonë në Palasë dhe Jalë ku vërtet ka çmime të çmendura për turistë luksi, por që nuk është se i bëjnë ndonjë dëm Shqipërisë nese paguajne taksat.  

Në këtë kurth kanë rënë dhe qeveritarë apo kryetarë bashkish që dalin e bëjnë dhe ata thirrje populiste të tipit  “po ulni more çmimet se na turpëruat” a thua se operatorët e turizmit po luftojnë për krenarinë e kryetarit bashkisë dhe jo për investimin e tyre.  

Kjo u jep zë gënjeshtrave të shpikura për çmimet aty ku nuk janë rritur realisht dhe fshehjen e biznesit luksoz të turizmit ku kanë vilat luksoze këta që shajnë turizmin e shtrenjtë. 

Tipologjia tjetër e spekulimit me të ashtuquajtur ekspertë të turizmit, që në fakt në shumicë janë pronarë të operatorëve që nxjerrin turistë jashtë, është ai momenti kur  të tregojnë me “fakte” vlerësimet negative nga tripadviser apo booking, që në fakt janë komplet spekulim i tyre dhe pastaj media u referohet si të vërteta. Dhe kjo është një gënjeshtër që përsëritet çdo vit.  

Dhe gjithmonë në shënjestër zakonisht është Ksamili dhe Saranda. Vjet morën një faqe në Facebook me emrin Ksamili dhe vlerësimet e shikuesve për faqen i paraqisnin si vlerësime për turizmin në Ksamil dhe tregonin me “fakte” se sa vlerësime negative kishte.  

Nuk ka ndonjë faqe që të bëjë një vlerësim total të turizmit dhe review-ve për një territor, ka vetëm vlerësime për çdo operator.  
Kjo gënjeshtër vazhdon përsëritet dhe sivjet. Gjejnë vlerësime për një faqe turizmi dhe e paraqesin si vlerësim për turizmin në një territor pa pasur asnjë të vërtetë. 

Tipologjia e tretë e gënjeshtrave janë treguesi i pronotimeve në booking apo ArBnB. 
Shqipëria ende nuk ka një sistem automatik të regjistrimit ë tyre në sistemin fiskal shqiptarë. Çdo fshatar i Shqipërisë mund të fusë shtëpinë e vet në majë të malit si ofertë në këto faqe, por ne ende nuk kemi statistikë edhe pse disa bëjnë sikur i mbledhin me makinë llogaritëse vetëm ato faqe që u shfaq algoritmi. 

Dhe pastaj del Berisha dhe thotë që Maqedonia e Veriut e ka përqindjen më të lartë të rezervimeve se Shqipëria. Shqipëria ka 10 milion turistë, Maqedonia e Veriut, ka 100 mijë turistë në vit, dmth 100 herë më pak se ne. Por sipas Berishës ne jemi mbrapa tyre, se aty njerëzit rezervojnë 80 për qind kurse tek në 79. Po normal që rezervon nëse shkon në një vend që duhet të mendosh mirë pse shkon, se ke një punë të caktuar dhe nuk mund të krahasohet me një vend si Shqipëria që është destinacion i momentit në Evropë. 

Por mbi të gjitha arsyeja është se operatorët shqiptarë nuk i lënë Booking apo faqeve të tjera gjithë kapacitetet e tyre pasi nuk kanë leverdi, përderisa kanë turistët tek dera. Zakonisht u lënë gjysmat e dhomave kur janë të rinj në treg dhe ndoshta pak, e madje aspak kur janë të njohur. Ky është tregues që janë më vital jo që janë më pak të kërkuar. 

Tipologjia e katërt e sulmeve janë matja e pushuesve me çadra në orare të caktuara të ditës a thua se këtu turiste quhen vetëm ata qe duan çadra.  

Pushuesit në Shqipëri janë shtuar aq shumë dhe janë diversifikuar aq shumë, sa turizmi i çadrës është tanimë turizëm periferik, për operatorë të varfër. Ka operatorë turizmi që ofrojnë dhe çadra falas në shkëmbim të shërbimeve të tjera që kanë në territorin e plazhit si bar- kafe, restorant etj. 

Turistët në Shqipëri janë të shpërndarë nga bregdeti në male, nga sitet arkeologjike, në Tiranë, e cila vazhdon të mbetet dhe kryeqyteti i turizmit me shifrat më të larta. Tani si t'i masim turistët në Tiranë me çadra tek Liqeni artificial? 
Turistët numërohen në porte aeroporte pika doganore, por mbi të gjitha në hotele dhe shtëpi private. Gjeni ndonjë hotel bosh në jug apo në Tiranë dhe “denoncojeni” si dështim. Asnjë nuk ka. 

A po! Është e vërtet që ka shumë informalitet në deklarimet e shtëpive që jepen me qira dhe dhomave të hotelit. Ky është një problem i qeverisë, por personalisht mendoj se ata që merren me turizëm, të ardhurat që nuk ja paguajnë qeverisë ja rikthejnë turizmit me investime.

Dhe unë kam besim më shumë tek një fshatar që nuk i deklaron qeverisë që ka dhënë dhomën me qira që i përdor më mirë ato lek për të rregulluar më mirë bujtinën vitin tjetër, se sa nëse ato lek do t'i merrte në dorë ndonjë ministër i kësaj qeverie.

E di që kjo nuk është e drejtë, por është e vërtetë. Ndaj mos u bëni qesharak të thoni ku flenë këta 10 milion turistë se nuk dalin deklarimet. Nuk dalin. Nuk i deklarojnë. Dhe nuk është etike që e them por nuk është se bëjnë ndonjë krim shumë të madh se ekonomisë ja rikthejnë lekët. 

Dhe tipologjia e pestë e sulmit për turizmin është kjo frika se turizmi masiv po na shkatërron dhe duhet ndaluar. Për këtë japin si shembuj, Barcelonën apo Venecien që u ka vajtur në majë të hundës nga turizmi. 

Këtu jam vërtet i pafuqishëm të jap ndonjë ide se si mund ta ndalim. Dhe nëse s'postojmë protestat e Berishës nga Bashkia e Tiranës në Rinas, prap kam frikë se turistët e huaj nuk do të kuptojnë se e kanë me ata.  

Turizmi është industri që tërheq pas bujqësinë infrastrukturën dhe ndërtimin, praktikisht gjithë ekonominë kombëtare, dhe të thuash tani hiqni dorë nga turizmi, është të bësh thirrje që ekonomia të vdesë, por ama këta zengjinët shqiptarë që i shqetësojnë të huajt që po u prishin vendin, do ndjehen të qetë. 

Kjo është dhe qesharake, dhe idiote por mbi të gjitha dhe një tezë që vjen nga dëshpërimi politik se turizmi po rritet me ritme më të larta të mundshme dhe nuk ndalet. 

Mendo që pas dhjetë vitesh kur ne do jemi në një stad tjetër të zhvillimit të turizmit, ti marrësh këto deklarata apo shkrimet e “analistëve” tanë në revista ekonomike dhe tua lexosh po atyre, që po i kërkojnë llogari turizmit shqiptar pse po e bën Shqipërinë vend të zhvilluar. 

I vetmi dëshpërim i kuptueshëm për turizmin është dëshpërimi që vjen nga opozita e Sali Berishës. Ata kanë të drejtë të dëshpërohen se turizmi me këto ritme i nxjerr ata loja dhe i bën edhe më qesharak sa janë.  

Mjafton të shikosh videon e protestës tek Bashkia e Tiranës ku 20 vetë hedhin molotov dhe 2 mijë turistë  që ishin në shesh kujtonin se ajo shfaqje ishte atraksion turistik dhe afroheshin e filmonin, për të kuptuar pse ata kanë të drejt të dëshpërohen. Ata janë bërë si ariu cirkut me të cilët argëtohen dhe turistët. 

Të tjerët ta marrin më qetë. Do të kenë punë dhe vitin tjetër me problemet e turizmit dhe në vitet në vazhdim, pasi do të ketë më shume turistë, më shumë plehra të prodhuara prej tyre, më shumë review negative, më shumë aksidente nga turizmi, më shumë nevojë për rrugë ujë dhe domate e shalqinj, më shume lumenj të ndotur, më shume hashash nga te rinjtë e huaj qe vijnë për qejf, me shume zhurmë muzike, etj.

Dhe natyrisht shumë herë më shumë lek për shqiptarët./ Tema

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që në Shqipëri të ndalohet përdorimi i euros për pagesa?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Biden tërhiqet nga gara: Çfarë ndodh tani?

Presidenti Biden tërhiqet nga gara: Çfarë ndodh tani?