TIRANË- Nuk i tremb ngarkesa në shkolla, por ekspozimi ndaj virusit, në kushtet kur sipas tyre, mungojnë elementët thelbësorë të mbrojtjes, por edhe vlerësimi ndaj sakrificës së tyre. Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me mësuesit ku ka dëgjuar shqetësimet e tyre dhe problematikat me të cilat përballen.

"Mësuesit shkojnë me furgona edhe me autobusa pa asnjë kusht të protokolllit, pa masa mbrojtëse, një maskë në një autobus që mund të ketë mbi 40 vetë, nuk ka se si të ruhet protokolli apo te furgoni 15 vendësh", tha një mësues.

Të ardhur nga qytete të ndryshme, për të njohur kryedemokratin Basha me sfidat e tyre në mësimdhënien gjatë pandemisë, mësuesit u shprehën se ka shumë prej tyre, të cilët të pasigurtë për vendin e punës, zgjedhin të heshtin për dyshimet nëse janë të prekur nga virusi.

"Nga presioni mësuesit po detyrohen të fshehin rastet e infeksioneve. Mësuesit me virus nuk deklarohen. Ngarkesa e tepërt mësimore nuk është vlerësuar sa duhet. Ndihemi të shpërdoruar, jemi përdorur për fasadë! Shkolla po drejtohet me urdhra e jo ligje", tha një tjetër.

Gjatë takimit, Basha kërkoi trajtim mbrojtës për mësuesit, si një kategori e ekspozuar ndaj rrezikut të pandemisë.  Takimin me mësuesit, kreu i Demokratëve e shfrytëzoi për të premtuar se  me ardhjen në pushtet, pagat minimale të mësuesve do e bëjë 700 euro.

 “Këtu, ne prej fillimit kemi kërkuar edhe do vazhdojmë të kërkojmë që ju të keni trajtimin që kemi kërkuar dhe për mjekët dhe infermierët. Trajtim mbrojtës do të thotë depistimi, pra testimet tuaja të vazhdueshme si kategoria më e ekspozuar pas mjekëve dhe infermierëve dhe kjo është arsyeja që prej fillimit kërkova testim masiv të gjithë mësuesve kur fillojë sezoni arsimor. Së dyti, marrja e masave në ambientet arsimore, higjenizimi, uji i rrjedhshëm, pastrimi, dezinfektimi dhe maskat.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha në takim me mësuesit