1768386777_ilirmetaspakakuzat.jpg

Ish-presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar sot nga burgu përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me seancën paraprake të zhvilluar në GJKKO për dosjen CEZ-DIA.

Meta sqaron se seanca nuk është shtyrë, por është zhvilluar dhe ka shënuar nisjen e procesit, edhe pse mungonte një nga avokatët e bashkëpandehurve. Ai thekson se për disa orë janë lexuar akuzat nga prokurorët dhe se, sipas tij, më në fund është kuptuar dallimi mes METE-s, ish-Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, dhe mbiemrit të tij.

Në reagimin e tij, Meta shprehet se nuk i shmanget drejtësisë dhe se është i gatshëm të përballet me akuzat, të cilat i cilëson si një farsë politike të orkestruar nga kryeministri Edi Rama.

"Në fund të gjithë kësaj farse kriminale të diktuar nga "Palloshi i gjatë" do të dalë, jo vetëm që METE nuk është Meta, por që Ilir Meta është e vërterta" tha ai. 

Meta i bëri thirrje edhe Ministrit të Drejtësisë të mos i bëhet më pengesë për dhënien e intervistave me gazetarë, të cilët i fton të "jenë korrektë" e "të mos shpërndajnë disinformacione"

Reagimi i Metës erdhi pak orë pas mbajtjes së seancës ku SPAK nisi leximin e kërkesës për dërgimin e çështjes në gjyq 

SPAK arriti të lexojë vetëm 41 faqe nga materiali prej 214 faqesh i prokurorisë, ndërsa seanca, sipas njoftimit, u shty për 29 janar me leximin e pjesës tjetër të materialit.

Deklarata e Ilir Metës në Facebook 

I ftoj të gjitha mediat të jenë korrekte dhe të mos shpërndajnë dizinformacione, sikur gjoja seanca paraprake ndaj Ilir Metës është shtyrë për javën tjetër. JO! Më në fund seanca paraprake u zhvillua edhe pse mungonte një nga të bashkëpandehurit dhe avokatët e tij.Ishte insistimi im që kjo seancë më në fund të fillonte dhe e falenderoj gjyqtaren e seancës paraprake që e mori këtë vendim. Për 4 orë kemi dëgjuar prokurorët që lexonin akuzat e tyre për CEZ-DIA, që ishin siç ju a kanë shpërndarë më 21 tetor 2024. U detyruam të ndërhynim disa herë, jo për t'i ndërprerë prokurorët, por për t'i ndihmuar të mos gënjejnë para gjykatës. Afera e CEZ-DIA, ku shteti shqiptar ka fitim se ka humbur rreth 1.1 milion euro por ka fituar mbi 4 milion euro. Arritja më e madhe është se prokurorët pas 8 vitesh hetime kuptuan më në fund dallimin midis METE- (Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës) dhe Metës sepse vazhdimisht i referoheshin METE-s si Meta. Kishte dhe plot arritje të tjera, por këto mund t'i sqarojnë avokatët. Kështu që SEANCA NUK U SHTY, SEANCA FILLOI. Edhe prokurorët e kuptuan që METE nuk është Meta. Seanca tjetër u la pas një jave edhe pse kërkova të bëheshin dy seanca në një javë. Ilir Meta, as i është shmangur drejtësisë, as nuk bëj lojra për shtyrje seancash. Në fund të gjithë kësaj farse kriminale të diktuar nga "Palloshi i gjatë" do të dalë, jo vetëm që METE nuk është Meta, por që ILIR META ËSHTË E VËRTETA. Sidoqoftë dua t'i falenderoj prokurorët e SPAK që u kanë dhënë leje gazetarëve për të më intervistuar dhe e ftoj Ministrin e Drejtësisë të mos bëhet më pengesë sepse jo vetëm Navalny dhe Khodorkovsky kanë dhënë intervista në burgjet e Rusisë, por edhe në Shqipëri, jo vetëm politikanë të paraburgosur dhe të burgosur, por edhe të dënuar me burgim të përjetshëm kanë dhënë intervista televizive sepse çdo qytetar, sidomos çdo politikan, ka jo vetëm të drejta por edhe detyrë t'i përgjigjet çdo gazetari dhe media në interes të opinionit publik dhe të llogaridhënies" shkroi Meta në Facebook. 


Lajmi kryesor:

Kalimi për gjykim i dosjes “Meta”, SPAK nis leximin e kërkesës në GJKKO, seanca e radhës më 29 janar