Presidenti i Republikës Ilir Meta ishte i ftuar në një darkë të organizuar në SHBA me Aleancën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Lirive Fetare, ku i pranishëm ishte edhe sekretari amerikan i shtetit Michael Pompeo.

"I nderuar të merrja pjesë në darkën zyrtare të organizuar në Departamentin e Shtetit, nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael Pompeo, me Aleancën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Lirive Fetare.

Unë konfirmova në fjalën time se Shqipëria do vazhdojë të jetë shembull i harmonisë ndërfetare dhe një mbështetëse aktive e Aleancës. Së bashku me SHBA dhe partnerët tanë, përmes Deklaratës së Parimeve, forcuam angazhimin e përbashkët për mbrojtjen dhe avancimin e lirisë së besimit, si një e drejtë themelore e njeriut dhe për të kundërshtuar çdo forme dhune e shkelje të saj, kudo që të shfaqet" shkruan Meta. 

Gjate qëndrimit në SHBA, sipas zyrës së shtypit, Presidenti Meta pritet të takojë zyrtare të lartë të Administratës Amerikane, në Kongres dhe në Senat. Ndërkohë që në SHBA në një vizitë zyrtare ndodhet edhe kryeministri Edi Rama, që po ashtu zhvilloi një takim me sekretarin amerikan të Shtetit, Michael Pompeo.