Mihal Luarasi: Si e zbulova
talentin e Skënder Sallakut

Mihal Luarasi: Si e zbulova<br />talentin e Skënder Sallakut
TIRANE- “Edhe po të kisha nisur jetën nga e para, prapë aktor humori do të isha bërë”. Kështu është shprehur para pak kohësh Skënder Sallaku në një bisedë të lirë me miqtë e tij.
“Artisti i Popullit” Skënder Sallaku u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare. Kishte dhjetë ditë i shtruar në spital për të operuar një masë tumoriale, por nuk e mposhti dot sëmundjen e rëndë. Ndërroi jetë dje në orët e para të mëngjesit.

Skënder Sallaku e nisi karrierën në vitet ‘60 si mundës, sportist, akrobat, e megjithatë iu dha me mish e shpirt estradës dhe humorit. Ai që kur filloi punën si aktor në Estradën e Tiranës në vitin 1956, nuk i përkiste më vetes, por publikut. “Publiku është baza e jetës time shpirtërore, spektatori që më duartroket, njerëzit që më ndalojnë në rrugë” është shprehur në një nga intervistat e tij më të fundit.

Kur Estrada e Tiranës mbylli dyert, i mbeti peng në zemër. I mungoi për rreth 20 vite institucioni, ku ai dha shpirtin e tij, talentin humorin. Skënder Sallaku priste një skenë ku të ngjitej, por edhe vdekja ia preu ëndrrat...
E dëgjoja tek fliste për rolet që bënte me Telhat Agollin në cirk, tre muaj më  parë, ku ishim ulur në një kafe me disa miq e aktorë të njohur. Dëgjova historinë sesi ai, nga një mundës, sportist e akrobat kthehet përfundimisht në aktor të Estradës.

Vetë Skënderi kujtonte se shkak kishte qenë regjisori i parë i tij, Mihal Luarasi. “Ai më zgjodhi për këtë punë dhe unë pranova me qejf, por më detyroi të lexoj përditë gazeta me zë të lartë, sepse kisha një defekt në të folur”. Ky ishte vetëm fillimi i karrierës, por kujtimet e humoristit nuk mbaronin. Kishte kujtime me shfaqje që jepte Estrada e Tiranës që nga Konispoli deri në Vermosh.

E nostalgjia nuk i ndahej, kur kujtonte rastet që artistët e Estradës “kanë shkuar me mushka ose në këmbë për shfaqje deri në kufi”. Dhe i qante zemra, kur kujtonte se Estrada e Tiranës “ngjiste rreth 140 shfaqje në skenë, ku nga këto 80 jepeshin në Tiranë dhe 60 të tjera fshatrave të Tiranës dhe nëpër rrethe të Shqipërisë”. Nuk ndodh më një gjë e tillë.

Skënder Sallaku iku me dhimbjen që s’pati një skenë për të dhuruar humorin që i buronte nga shpirti. Po ta pyesje se “Çfarë ke fituar që gjithë jetën ke bërë humor?”, ai të përgjigjej thjesht: “Që populli që më do”.
Ky ishte Skënder Sallaku që kemi njohur vitet e fundit. Ndërkohë, regjisori i parë i Estradës së Tiranës, Mihal Luarasi, na rrëfen sesi e ka njohur në rini dhe historinë e veçantë kur e zbuloi për ta ngjitur përjetësisht në skenën e humorit mundësin, sportistin dhe akrobatin e famshëm të viteve ’60, Skënder Sallakun.
 
Zoti Luarasi, vetë Skënder Sallkaku më ka treguar se ju keni qenë regjisori i parë i Estradës dhe më ka rrëfyer ca kujtime me ju...
 -Në fund të vitit 1958, në fillim të ‘59-s unë shkova regjisor në Teatrin e Estradës së Shtetit. Aty pata dy zbulime, njëra ishte Edi Mirdita që ishte këngëtare dhe tjetri ishte Skënder Sallaku që ishte akrobat, sportist dhe merrte pjesë në mundje. Në fillim nuk ka qenë aktor. Si regjisor në atë kohë kisha të bëja me një ansambël të gjerë, ansambli i këngëve dhe valleve, cirku, etj. Në provat e akrobatëve që Telhat Agolli i drejtonte shoh një nga numrat kur Telhati mbante lart Skënderin dhe loja ishte që të rrëzohej. Skënderi kur u rrëzua thotë një batutë: “Telhat, e pat!”, që do të thoshte e hëngra unë, u vrava.

Mua më bëri përshtypje nga ana e mimikës, nga gjestikulacioni.
I them: “Skënder, po ti do të marrësh edhe ndonjë rol në estradë, në këto skeçet që do t’i bëjmë bashkë”. “Po mirë”, -tha ai. “Hajde të bisedojmë pak”, -i thashë. Pashë që diksioni i tij nuk ishte i pastër. I them: “-Skënder pa hape pak gojën! More ç’është kjo punë kështu?!” Pashë që dhëmbët ishin me forma shumë të çrregullta dhe kjo ia sillte pengesën në të folurën e tij. Ndikimin e dhëmbëve në të folur e dija prej profesionit. I thashë se do të shkojmë tek dentisti, që të ndreqim sistemin e dhëmbëve që të mos kesh pengesa. Shkojmë dhe dentisti na tha “që ky të arrijë të flas pastër na duhet pak ar, flori, se nuk bëhet kjo punë kaq kollaj”.

“Ashtu? -i thashë, -do ta rregullojmë këtë”. Shkoj tek drejtori i Estradës dhe i them se kam zbuluar një talent që e kemi këtu dhe më duhet mua. “Kush është?”, -tha ai. “Skënder Sallaku, por na duhet të shkojmë në bankë të bëjmë diçka për rregullimin e sistemit të dhëmbëve”. Bëmë dokumentet dhe shkuam bashkë tek drejtori i përgjithshëm i bankës dhe i kërkuam përmes dokumenteve peshën e floririt që i duhej Skënderit për dhëmbët. Banka na nxori ca monedha floriri, të cilat ata i shtypën që të mos përdoreshin më si monedhë. Shkuam tek dentisti dhe kështu u bënë dhëmbët e Skënderit.

Filloi stërvitja e të folurit dhe Skënder Sallaku u bë aktori më më komik dhe më i famshëm që kishte Estrada e Tiranës. Kudo që kishte shfaqje me kishim si protagonist të parë Skënderin. Pra, filluan të bëhen spektakle të mëdha të Varietesë, sepse që atëherë i ndryshuam emërtimin, duke i quajtur shfaqje variete dhe iu vumë edhe numra. Në këto variete Skënder Sallaku me të vërtetë shpërtheu si aktor i shquar si aktor i humorit. Ai kishte plus edhe një humor natyral të vetin, që shfaqej në aktivitet shoqërore, jo thjesht në shfaqjet e teatrit. Estradën në atë kohë e ftonin edhe në aktivitete shtetërore e ndërmarrje të ndryshme. Skënderi ishte njëshi, ishte as i kohës.
 
Pra, ju sapo na kujtuat se ai ishte artist jo vetëm në skenë. Pse u bë një figurë kaq shumë popullore?
 -Ai u bë shumë popullor me guximin e tij. Kujtoj njëherë sesi e ftuan në nga ceremonitë e Ministrisë së Brendshme. Ftonin shpesh ministritë artistë për spektakle dhe Skënderi thoshte batutat e veta dhe shumë barsoleta. “Thuaj dhe një, thuaj dhe një”, po i luteshin, dhe ja iu kërkua sërish edhe një barsoletë e fundit. Aty afër ishte ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu. Dhe Skënder Sallaku nis barsoletën e radhës.

“E kemi një histori ne tiranasit. Më ka treguar baba. Kur dilnin në pazar shkonin me ble mish dhe aty në tabelën e dyqanit shkruante “Kasap”, por futeshin brenda dhe gjenin mish. Kurse sot është ndryshe, në tabelë është shkuar “Mish” dhe kur futesh në dyqan gjen kasap. “Ore, Skënder, -i tha dikush, -po kjo tingëllon pak si armiqësore”. Ai kthehet me të qeshur: “Pse ka ndonjë sigurims këtu?!” (e tha këtë në institucionin e sigurimit). Por në çast edhe aty plasën sërish të qeshurat.
 
Çfarë kujtoni tjetër nga Skënderi Sallaku?
 -Ishte i mirë Skënderi, batutat e tij ishin të vazhdueshme dhe ato vijuan për një kohë të gjatë, deri vonë. Para tre muajsh ne ishim në Fier për nderimin e Kujtim Spahivoglit, sepse u vendos një përkujtimore. Skënderi doli në skenë dhe nisi nga barsaletat nga ato të vetat. Por unë di sesi ka qenë ai deri në ‘73-shin, sepse më pas mua më shkëputën nga jeta artistike, më larguan nga profesioni.

Pas meje shkoi regjisor Bujar Kapexhiu. Di që Skënder Sallaku vazhdoi të jetë protagonist me atë humor spontan, të vetvetishëm. Edhe në familjen e tij gëlonte humori. Ai tregonte ngjarje familjare që rrethoheshin me sens humori. Kur shkoi në Kinë thoshte se “I doli fjala babës tem”. “Pse?” pyesnin ne. “Po më thoshte “Ik dreq, shkofsh në Kinë, dhe unë vërtetë shkova në Kinë”. Skënderin e donin të gjithë, i donte të gjithë. Ai të bënte ta doje.

Tek skeçi “Autobiografia” e kujtoj me të qeshur gjatë provave. Skënderi hyri në skenën ku ishte pikturuar Amerika me ca ndërtesa shumëkatëshe dhe i shihte me admirim, bënte një mimikë që tregonte se ishte mahnitur, por në rol duhet të shiheshin me mospëlqim. Po na bënte për të qeshur. I them “Skënder, çfarë bën more, harrove si duhet t’i shikosh?”. Skënderi menjëherë del e hyn në skenë dhe na bën për qeshur sërish se kalon në ekstremin tjetër duke i parë me përçmim përmes mimikës.
 
 
Cili ka qenë takimi juaj i fundit me Skënder Sallakun?
 -Para pak ditësh. I takova me Vitoren. Ata dilnin kudo bashkë. Nuk dukej sëmurë dhe askush, as ai, as Vitorja nuk tha se ishte sëmurë. Sëmundja paskësh qenë e papritur.
 
 
Flasin artistët
Buzëqeshja që la pas miku ynë
 
 Ndarja nga jeta e aktorit të madh të humorit, Skënder Sallaku ka prekur të gjithë, por veçanërisht kolegët e tij, aktorët shqiptarë filmit, teatrit apo spektaklit. Margarita Xhepa, Zef Deda, Mirush Kabashi, Bujar Kapexhiu, Marjana Kondi, kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të aktorit Skënder Sallaku.
 
Margarita Xhepa: “Në një mëngjes të trishtë pa këngëtaren e mirënjohur Vaçe Zela, morëm dhe një lajm të hidhur për aktorin e shquar me batutat e tij. Ai kishte një plastikë të zhdërvjellët. Do të kalojnë vite dhe nuk harrohet humori i Sallakut.
  
Zef Deda: “Ai ka vënë një vulë në skenën e humorit duke i dhënë dritë. Kam lumturinë e madhe që kam jetuar në kohën e tij. Ai ishte një akademi e madhe dhe mësim i madh.
 
Mirush Kabashi: Skënder Sallaku kishte përsosur plastikën, dhe komunikimin përmes gjuhës së humorit. Kur Skënderi vinte në qytetin e Durrësit kishim ëndërr ta preknim dhe të dëgjonim një batutë.
 
Bujar Kapexhiu: “Ai është simbol i të qeshurës, simbol i gëzimit. Edhe në rrugë kur e takoje ai të tregonte barcaletën e fundit. Na jepte buzëqeshjen, gëzimin. Mbahet mend si një nga personazhet që bënte barcaletat më të rrezikshme, stigmatizonte regjimin diktatorial.
 
Marjana Kondi: Të vdesësh me buzëqeshjen, duke lënë pas shumë dashuri. Aktori i njohur i humorit Skënder Sallaku është ndarë nga jeta, por miqtë e tij aktorë, por dhe spektatorët do ta kujtojnë gjithmonë për buzëqeshjen dhe humorin që e përcillte përmes batutat dhe me plastikën e fytyrës.


Shkrimi u publikua sot (12.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane