Mekanikët, elektriçistët dhe punonjës të tjerë që kanë punuar në nëntokë, në miniera dhe gjeologji, do të mund të marrin pension si minatorë. Ne vendimin e qeverisë përcaktohen kriteret se kush do njihet si periudhë sigurimi.
-Njihet si periudhë sigurimi në procese pune, në nëntokë, deri në datën 30.9.1993, çdo periudhë pune e kryer sipas kritereve të përcaktuara në kreun I, të vendimit nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, "Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni", të ndryshuar.
-Njihet si periudhë sigurimi në procese pune, në nëntokë, pas datës 30.9.1993, çdo periudhë pune e kryer dhe e dokumentuar, sipas kritereve të përcaktuara në vendimin nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, "Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni", të ndryshuar, pavarësisht nëse të punësuarit kanë kryer aktivitet ekonomik në subjekte private apo me kapital plotësisht ose pjesërisht shtetëror.
-Pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, njihet si periudhë sigurimi në procese pune, në nëntokë, puna e kryer dhe e dokumentuar në subjekte private apo me kapital plotësisht ose pjesërisht shtetëror, vetëm kur janë derdhur kontributet shtesë, në masën 5% të pagës bruto, për efekt kontributi.
-Për personat që, deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 150/2014, datë 6.11.2014, përfitonin trajtimin e veçantë financiar sipas ligjit nr. 8685, datë 9.11.2000, "Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë", të ndryshuar,:
-Do të konsiderohet periudhë sigurimi në procese pune, në nëntokë, periudha që është njohur dhe miratuar, si periudhë pune në nëntokë, në vendimin e caktimit të trajtimit të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë. Do të konsiderohet periudhë sigurimi, për efekt përfitimi, sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, edhe puna e kryer gjatë gjithë ditës në nëntokë, në profesionet: mekanik, elektricist dhe punonjës të tjerë të nëntokës në miniera dhe gjeologji.
-Do të konsiderohet periudhë sigurimi e vlerësuar me pagë minimale edhe e gjithë periudha nga data e fillimit të trajtimit të veçantë financiar deri në datën e fillimit të pensionit.
-Paga neto për efekt të llogaritjes së masës fillestare të pensionit, kur e drejta për përfitim lind deri në datën 31.12.2014, sipas periudhës së zgjedhur, do të jetë paga neto e tri viteve rresht në dhjetë vitet e fundit të punës, e indeksuar me indekset e përcaktuara nga Ministria e Financave, kur pagat përzgjidhen përpara datës 1.10.1993 dhe me vendime të Këshillit të Ministrave për periudhën pas datës 1.10.1993. 2. Të gjitha periudhat e njohura si periudha sigurimi në zbatim të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, do të njihen si periudha sigurimi të përgjithshme për efekt të këtij ligji.