Në ditët e para të fillimit të protestës nj prej organizatorëve i shpjegonte një gazetari: Ne nuk kemi një grup drejtuese. Jemi ne kamarierët, (kështu e quajmë veten) që e shërbejmë protesëtën. Po sa jeni ju? ishte pyetja pasuese. Ne jemi dyzet kamarier, u përgjigj bashkëbiseduesi me emrin Gent. Në çast më pëlqeu kjo gjetje simbolike, impresionuese që, duhet pranuar, kishte ambicie të mëdha: 40 kamarierë si 40 shenjtorë.

Një numër magjik, një koreografi simbolike, me shumë besim se simboli, nëse fryhet mjaftueshëm, mund të bëhet edhe realitet politik. Shënjtori i vërtetë, në imagjinatën tradicionale, nuk e ka zakon të kërkojë frytin para se të mbillet fara. Për shënjtorët e fesë ka një ritëm natyror të rritjes të gjërave. Shënjtorët e protestës e hodhën farën dhe menjëherë kërkuan korrjen. Mbase simbolika ishte më e madhe se vetë lëvizja që duhej të simbolizonte.

Dhe kjo është një nga sëmundjet drobitëse të politikës spektakolare: kur realiteti nuk është ende mjaftueshëm i madh, i shtohet simbolikë derisa të duket i madh. Shënjtorët nuk gabuan me numrin 40; gabuan me fazat e kalendarit.

Në vend që protesta të ndiqte rrugën klasike të një lëvizjeje progresivisht në zhvillim, të fillonte me një valë të vogël, të merrte hov, të krijonte dallgë, pastaj të shndërrohej në det të trazuar e, nëse i vinte mbarë, të përfundonte me ndonjë përmbytje simbolike, ata vendosën ta fillonin direkt nga Z-ja dhe të ktheheshin mbrapsht deri te A-ja.

Pra, gjithë repertori u shpalos në skenë që në hyrje. Kërkesat u servirën të gjitha menjëherë, tensioni u ndez me shpejtësinë e një sobe elektrike në maksimum dhe pritshmëria ishte që, vala e parë të sillte edhe cunamin. Por problemi me cunamin është se nuk mund t'a porosisësh për çdo ditë.

Një lëvizje serioze zakonisht e rrit temperaturën gradualisht: sot pak avull, nesër pak më shumë, pasnesër fillon të vlojë tenxherja dhe, kur askush nuk e pret, kapaku fillon të kërcejë.

Flamingot, përkundrazi, e futën tenxheren në zjarr dhe i thanë:“Hajde, ziej tani!”

Dhe ajo zjeu. Që në fillim. Madje aq shumë, saqë tani nuk ka më çfarë të ziejë.

Sot mbetet ajo që mbetet zakonisht në fund të një gjelle që është zier keq: pak lëng, disa copa të lodhura dhe një kujtim i largët se dikur aty brenda kishte aromë. Nuk ka më proçes përpunimi, nuk ka më rritje temperature, nuk ka më pritje për pikën e vlimit. Gjithçka u konsumua në lugën e parë.

Kështu që tani protestuesit këndojnë në kor të njëjtin refren. Jo sepse refreni është bërë më i fuqishëm, por sepse orkestra nuk ka më këngë tjetër.

Në vend të dallgëzimit progresiv kemi një lloj deti që e ka harxhuar dallgën para se të arrinte bregun.

Dhe kjo është pjesa më ironike: ata donin të krijonin një lëvizje që do të rritej deri në përmbytje, por e menaxhuan si dikush që hap rubinetin me gjithë forcën dhe pastaj habitet pse, pas pak, uji del si një curril.

Në fund, patëm valë të parë, një dallgë të vetme shumë entuziaste të dytë, që doli në breg, bëri “shpluf” dhe u kthye prapa. Cunami abortoi.

Dhe tani deti është aty, duke pritur që dikush t’i shpjegojë se pse po vonon përmbytja. Tani protesta është si çfaqja teatrale që e ka konsumuar gjithë repertorin që në aktin e parë.

Në imagjinatën e shënjtorëve të protestës, diaspora trajtohet si një  ezervuar revolucionar i pafund, Ose që paraqitet si një lloj arme strategjike rezervë, e fshehur diku në magazinë, që sapo t'i jepet sinjali do të zbresë nga avionët, do të marrë flamujt dhe do ta çojë revolucionin deri në pikën e vlimit.

Problemi është se diaspora ka një defekt të madh strategjik: ka jetë. Ka punë të hënën në mëngjes, fëmijët në shkollë, qira ose kredi, taksa, sëmundje, aksident, pushime të planifikuara, bileta avioni dhe, mbi të gjitha, preokupime që nuk fillojnë dhe mbarojnë te protesta e radhës.

Prandaj është ndjesi bollshëm optimiste të llogarisësh diasporën si një forcë të mobilizuar në pritje të urdhrit. Miq, Diaspora nuk është ushtri rezervë që fle me këpucët pranë shtratit.

Atëherë mbetet të kuptohet qartë se diaspora nuk vjen si vala e dytë që e çon dallgën drejt përmbytjes-dorëheqjes.

Shqiptarët jashtë vëndit janë më shumë si një audiencë në distancë: ndjek, komenton, emocionohet, ndonjëherë duartroket, ndonjëherë dërgon ndonjë mesazh mbështetjeje dhe, në raste të veçanta, mund të marrë edhe avionin. Një rrugë e dy punë, së pari pushues sezonal, Më pas me një transformim të jashtëzakonshëm retorik, një frustrim personal diasporik, futet në mikrofon si dhimbje individuale dhe del prej tij si program kombëtar. Sidomos kur në të derdhet një përzierje e çuditshme ku dështimi personal kërkon të rehabilitohet duke u shpallur dështim kolektiv.

Është një lloj alkimie politike: merr pak zhgënjim, shto pak nostalgji, një dozë të mirë mllefi dhe, para kamerave, del një profeci për fatin e kombit.

Në fakt, problemi i diasporës nuk është se nuk ka zë. Ka shumë zë.Problemi është se ndonjëherë kërkon të paraqitet zhurma e saj emocionale si matës i temperaturës së gjithë shoqërisë.

Kjo e përmbys komplet logjikën e një lëvizjeje progresive. Në vend që kërkesa të rritet gradualisht deri te pika e fundit, pika e fundit u vendos si pika e nisjes. Por ka edhe një ritual tjetër interesant të kësaj proteste: Mikrofoni dhe anonimi i sheshit

Kushdo që ndodhet në turmë mund të marrë mikrofonin. Del një fytyrë e re, kapet mikrofoni, rregullohet pak zëri dhe fillon fjalimi: “Shqipëria e re…”, “Rinia…”, “E ardhmja…”, “Duhet të reflektoni…” Dhe publiku dëgjon. Por për këdo që e sheh protestën nga ekrani lind menjëherë një pyetje shumë më elementare se vetë fjalimi: Kush është ky?

Jo në kuptimin policor të pyetjes. Në kuptimin politik. Kush është ky njeri që po më kërkon të reflektoj? Në emër të kujt po flet? Çfarë përfaqëson? Nga vjen? Çfarë ka bërë deri tani? Çfarë pune bën? Çfarë jete ka? Çfarë rreziku ka marrë përsipër? Çfarë përgjegjësie mban mbi shpinë? Çfarë e bën fjalën e tij më të rëndësishme se fjalën e një njeriu tjetër që ndodhet në të njëjtën turmë? Sepse mikrofoni nuk është identitet. Mikrofoni vetëm e zmadhon zërin.

Njerëzit që janë në shesh e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre. Kanë ardhur. Janë pjesë e protestës. E dinë pse janë aty ose, të paktën, kanë një arsye personale për të qenë.

Por protesta nuk zhvillohet vetëm për ata që janë në shesh.

Ajo zhvillohet edhe për ata që janë në shtëpi, në punë, në kafene, në emigracion, në autobus, para televizorit apo duke parë një video në telefon. Dhe këta njerëz nuk e kanë mendjen të mbushur paraprakisht. Ata nuk vijnë për të duartrokitur.

Ata janë audienca që duhet bindur. Prandaj, pikërisht këtu, emri dhe mbiemri marrin rëndësi politike. Jo si formalitet. Jo si dekor. Por si identitet.

Sepse emri dhe mbiemri nuk janë thjesht dy fjalë. Ato janë përgjegjësi. Janë histori. Janë familje. Janë profesion. Janë një jetë e jetuar jashtë sheshit.

Kur një njeri prezantohet me emër dhe mbiemër, ai del nga anonimati i turmës dhe vendos veten përballë publikut. Çdo njeri ka të drejtë të flasë. Por e drejta për të folur nuk është e njëjtë me autoritetin për të përfaqësuar. Sepse kushdo mund të flasë për Shqipërinë.

Pyetja është: çfarë e lidh atë njeri me Shqipërinë për të cilën po flet?Nëse flet për rininë, duhet të dimë çfarë marrëdhënieje ka me rininë.

Nëse flet për familjen, duhet të dimë çfarë jete familjare përfaqëson.

Nëse flet për punën dhe dinjitetin, është interesante të dimë çfarë pune bën.

Nëse flet për të ardhmen, është e arsyeshme të dimë çfarë ka ndërtuar deri tani.

Sepse përndryshe shënjtorët e protestës po lejojnë që të krijohet një lloj autoriteti artificial: autoriteti i mikrofonit. Prandaj sot kemi edhe atë ndjesinë e çuditshme të përsëritjes rutinë. Kur e ke konsumuar kërkesën maksimale në ditën e parë, çfarë kërkon ditën e tetëdhjetë? Shënjtorët e protestës kërkuan mrekullinë pa kaluar nëpër proçesin e lodhshëm që e bën mrekullinë të mundur.

E kërkuan dorëheqjen para se të ndërtonin presionin që ta sillte atë.

Sepse politika, si bujqësia, ka një ligj të vjetër që nuk bindet as nga mikrofonat, as nga kamerat, as nga simbolet e fryra: fara duhet të mbillet, të zërë rrënjë, të mbijë, të rritet, të lulëzojë dhe vetëm pastaj mund të kërkosh frytin.

Protesta e këndoi refrenin e fundit para se të kishte shkruar këngën.

Kjo është një përballje e vështirë për dyzet shënjtorët e protestës. Dyzet shënjtorë që kërkojnë mrekulli, përballë një kundërshtari politik që pret dhe ndjek proçedurën, duke mos besuar fare te mrekullitë.

Për shumë arsye protesta nuk arrin ta bëjë të vetin interesin e përgjithshëm, sepse i mungon një shtyllë e qartë organizative dhe një gjuhë shprehjeje që, ta kthente simbolikën e saj në një ndërgjegje dhe shqetësim kolektiv./TemA