Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka zhvilluar një takim me Ministrin Britanik të Shtetit për Sigurinë Ben Wallace si dhe ambasadorin Britanik në Shqipëri Duncan Norman.
 
Wallace u shpreh se Mbretëria e Bashkuar është e vendosur të mbështesë dhe të forcojë bashkëpunimin me Policinë Shqiptare.
 
"Britania e Madhe do të dërgojë ekspertë për të mbështetur Policinë Shqiptare në luftë kundër grupeve kriminale.
 
Shkëmbimi në kohë reale i informacionit mbi grupet kriminale është një tjetër tregues i bashkëpunimit mjaft pozitiv mes dy Policive
" tha ai.
 
Ndërsa Çako theksoi se "Policia shqiptare është fokusuar në luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar, kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, pastrimit të parave, krimit kibernetik, sekuestrimin e aseteve kriminale të grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit, kundër terrorizmit dhe radikalizmit".
 
Policia e Shtetit e vlerëson si efikase mbështetjen e dhënë nga Mbretëria e Bashkuar dhe është e gatshme të ofrojë çdo mundësi e formë bashkëpunimi për të përmbushur prioritetet e përbashkëta mes dy Policive.



dy.b/shqiptarja.com