Xhaçka pret homologun e Maqedonisë së Veriut, Osmani: Kemi plotësuar kushtet për nisjen e negociatave me BE, keqardhje nëse do zhgënjeheshim (VIDEO)

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani është pritur në takim ditën e sotme nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ku patën dhe një deklaratë për shtyp.

Bashkëpunimi dypalësh dhe rajonal dhe perspektiva e integrimit e të dy vendeve drejt Bashkimit Europian, rritja e bashkëpunimi dhe menaxhimi i pandemisë së COVID-19 si dhe faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut ishin pjesë e diskutimit dhe takimit dy palësh.

Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, Xhaçka tha se të dy vendet kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e konferencë së parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave me BE për procesin e integrimit, ndërsa vlerësoi faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut  si kontribut jetik në qeverisjen e vendit. Ndërsa ministri i Jashtëm për Maqedoninë e Veriut,  Bujar Osmani tha se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të zgjerohet, ndërsa dialogun Prishtinë-Beograd e cilësoi të nevojshme për një Ballkan të sigurt.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:08
Meta pret ministrin e Jashtëm të Maqedonisë: Të forcojmë edhe më shumë marrëdhëniet në dobi të paqes

Presidenti Ilir Meta priti në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Meta vlerësoi rëndësinë e marrëdhënieve shumë të mira të fqinjësisë mes dy vendeve, si në nivelin dypalësh ashtu edhe rajonal.

Kryetari i Shtetit vuri theksin në rritjen e mëtejshëm të bashkëpunimin ekonomik e tregtar, shkëmbimin e përvojës në fushën e nxitjes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe pjesëmarrjes në projekteve dypalëshe e rajonale në dobi, veçanërisht, të qytetarëve të zonave ndërkufitare.

“Pjesëmarrja dhe roli aktiv i faktorit shqiptar në institucionet e Maqedonisë së Veriut, është provë e qëndrimit të tyre të palëkundur në mbështetje të projektit euroatlantik dhe të reformave të rëndësishme për ndërtimin e shtetit multi-etnik të Maqedonisë së Veriut”, - tha Meta. 

Kryetari i Shtetit shprehu bindjen se zbatimi i reformave, respektimi i agjendës europiane dhe zhvillimet demokratike të Maqedonisë së Veriut do t’i mundësojnë kapërcimin e pengesave në procesin e integrimit të saj europian.

Presidenti Meta  nënvizoi se si dy vende fqinje, aleate në NATO dhe me vizione të përbashkëta euroatlantike, do të duhet të forcojnë edhe më shumë marrëdhëniet në dobi të paqes, stabilitetit e zhvillimit të rajonit.

Ora 10:25
Xhaçka: Të dy vendet kanë plotësuar kushtet për nisjen e negociatave me BE! Homologu nga Maqedonia: Mbështetje e ndërsjellët mes nesh (VIDEO)

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka dhe homologu i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani kanë dalë në konferencë të përbashkët për shtyp. Xhaçka tha se të dy vendet kanë plotësuar kushtet për mbetjen e konferencë së parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave me BE për procesin e integrimit, ndërsa vlerësoi faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut  si kontribut jetik në qeverisjen e vendit.

“Patëm vërtet një bisedë të shkëlqyer dhe konstruktive. Në fakt, temat që ndajmë me Maqedoninë e Veriut janë aq të shumta, sa nuk mjafton një bisedë apo një vizitë si kjo për t’i prekur të tëra. 2021 në fakt është edhe një moment shprese, sepse si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut, presin të hedhin një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian. Së pari, të dyja vendet tona, siç e ka konfirmuar edhe vetë Këshilli në Mars 2020, i kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Dhe të dyja vendet tona kanë bërë shumë punë për të plotësuar kushtet. Në këtë pikë, dua në fakt të vlerësoj maksimalisht vendosmërinë dhe punën e Kryeministrit Zaev, të qeverisë së tij, të koalicionit qeverisës dhe të faktorit shqiptar, për të çuar përpara integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Gjithkush që e njeh rajonin tonë, besoj e kupton që arsyeja përse qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoninë e Veriut, ka qenë e mundur që të hidhen hapa kaq të guximshme përpara, është sepse ne – pjesa dërrmuese e popullsive tona – besojmë tek perspektiva evropiane. Do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se kjo punë kaq e madhe e ky besim kaq i madh do të zhgënjeheshin sërish, për shkak të konsideratave subjektive, politike të vendeve anëtare, në një moment që vlerësimi objektiv, teknik nga ana e Këshillit dhe vendimi i tij në mars 2020 ka qenë pozitiv.

Së dyti, stabiliteti, siguria dhe zhvillimi i rajonit tonë janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me perspektivën evropiane. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO ishte një arritje e shkëlqyer, që e ka bërë rajonin tonë shumë më të sigurt. Anëtarësimi në BE i mbarë rajonit, është garancia e zhvillimit të rajonit, por jo vetëm kaq, është edhe një kontribut i madh për sigurinë e vetë BE. Dhe këtu – e lashë për në fund sepse dua t’i jap peshën që i takon dhe vlerësimin tim maksimal – ka luajtur e luan një rol të jashtëzakonshëm faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, që jo vetëm ka dhënë e jep një kontribut jetik në qeverisjen e vendit, jo vetëm ka luajtur një rol vendimtar në proceset euroatlantike, por është në fakt edhe një urë e fortë lidhëse, miqësie e bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut", tha Xhaçka.

Ndërsa ministri i Jashtëm për Maqedoninë e Veriut,  Bujar Osmani tha se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të zgjerohet, ndërsa dialogun Prishtinë-Beograd e cilësoi të nevojshme për një Ballkan të sigurt.

“Gatishmëri për mbështetje të ndërsjellë mes dy vendeve tona. Jemi të interesuar për dialogun Prishtinë- Beograd për një Ballkan të sigurt.Jemi të interesuar për dialogun Prishtinë – Beograd, e mbikëqyrur nga BE-ja dhe SHBA-ja që do të hapë një hap serioz drejt një Ballkani të qëndrueshëm. Në këtë drejtim pata nderin t’ia prezantoj ministres marrëveshjen trepalëshe që iniciohet nga vendi ynë. Të tre vendet, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Bullgaria mund të gjejnë një forum të rëndësishëm. Temë e diskutimit ishte dhe forumi i Prespës për dialog, promovimin e multikulturalizmit në rajon si një sfidë e rëndësishme për Ballkanin. Sot do të nënshkruajmë dhe marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e diasporës, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh. Ramë dakord se do të intensifikojmë bashkëpunimin mes dy vendeve për ti hapur rrugë investimeve. Degën e kulturës që është në Maqedoninë e Veriut do e hapim në Tiranë”, tha Osmani.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rëzimi i avionit, Azerbajxhani shpall 26 dhjetorin ditë zie kombëtare

Rëzimi i avionit, Azerbajxhani shpall 26 dhjetorin ditë zie kombëtare